Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do fshihet dhe do t’i përkasë të shkuarës.
Në mendimin tim, të njëjtin fat do kenë edhe nje pjesë e mirë e pronarëve, drejtuesve, moderatorëve dhe gazetarëve të mediave më të rëndësishme në vend, të cilët me emisionet dhe gazetarinë e “pilotuar” i kanë shërbyer interesave të tyre personale dhe sistemit në tërësi, duke ndikuar trurin dhe votat e qytetarëve shqiptarë në më shumë se 30 vite.
Kur them sistemi e kam fjalen për politikën, pa dallim, majtas apo djathtas, nepotizmin, grupet e interesit, oligarkët e deri tek grupet kriminale.
Jo më kot përmenda interesat personale, pasi një pjesë e mirë e tyre (kuptohet jo të gjithë) fuqinë mediatike e kanë përdorur per interesa te ngushta, si konçesione, leje ndërtimi, tendera apo gjëra të tjera të kësaj natyre.
Të njëjtin fund do ketë dhe elita e sipërmarrësve shqiptarë, të cilët kanë ndikuar më së shumti ekonominë tonë gjate 30 viteve të fundit.
Do goditet pikërisht ajo shtresë e oligarkisë e cila ka monopolizuar gati 90% të tregut. Të ndihmuar nga influenca mediatike dhe lidhjet e tyre me politikën, kanë përfituar pjesën me të madhe të konçesioneve dhe tenderave, ligje të shkruara dhe propozuara nga vetë ata, leje ndërtimi, emërime ministrash apo drejtorësh në administratën publike duke i kthyer në “ushtarë” të tyre të devotshëm.
Që tashmë të gjitha këto që thashë më sipër do ndodhin nuk kam as më të voglin dyshim. Falë Zotit që ia arritëm kësaj dite pasi është një gangrenë e madhe që ka kllaposur gjithë shoqërinë shqiptare. Njerëzit kanë humbur besimin te politika dhe institucionet, gjë që të cilën e kanë shprehur qartë, duke bojkotuar zgjedhjet, e mbi të gjitha duke emigruar në masë jashtë vendit.
Lidhja perverse e medias me grupet e interesit, politikën dhe krimin, ka shpërfytyruar figurën e gazetarit duke ndryshuar dhe transformuar krejtësisht misionin e tij sublim. Duhet të falenderojmë SPAK-un për guximin dhe punën e madhe që po bën, sepse po shkruan një faqe të rëndësishme të historisë shqiptare, e pa më të voglin dyshim, vendi dhe brezat do t’i jenë mirënjohës. Faleminderit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, pa ndihmën e te cilëve (fatkeqësisht do thoja, pasi duhej ta kishim bërë vetë dhe kjo gjë si popull nuk na nderon) keto ndryshime nuk do kishin ndodhur kurrë.
Por kur e gjithë kjo te ketë ndodhur, pyetja është: Çfarë do te vijë me pas? Kush do jenë elitat e ardhshme politike, shoqërore, ekonomike dhe mediatike shqiptare? Kush do jenë aktorët e rinj qe do marrin në dorë frenat e ekonomise sonë? Pra me pak fjalë, kush do na drejtojë?
Pasi të kemi rrafshuar çdo gjë (me të drejte) duke e çuar vendin në pikën zero, ne si shoqëri, a do jemi në gjendje te ngrihemi ne lartësinë e duhur?
A do jemi te përgatitur të nisim gjithçka nga fillimi, duke ruajtur të gjitha ekuilibrat që garantojnë normalitetin dhe mbarëvajtjen e një shteti? Mbi të gjitha, a do jemi në gjendje të bëjmë zgjedhjet e duhura ne mënyrë që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës?
Që mos themi gjithnjë të njëjtat gjëra, situata në vend kishte arritur ne një pike që nuk mbante më, ndaj dhe kjo që po ndodh është mëse e mirëseardhur. Por nga ana tjeter, duhet të kemi te qartë se të çosh nje shtet ne pikën zero, e me pas të nisësh çdo gje nga fillimi nuk është aspak e lehtë. Është njëlloj si të bësh ndërhyrje në kolonat e nje ndërtesë (ne kete rast shtetit), me rrezikun qe nëse diçka shkon keq, (shteti) mund të shembet, duke na zënë te gjithëve brenda. E përsëris, ky vend duhej me patjetër te ndryshonte, mirënjohje të madhe SPAK per çfarë ka bërë deri tani dhe per atë që pritet te bëjë më pas, por njëkohësisht ne si shoqëri duhet të jemi te qarte dhe te vetëdijshëm se çfarë po ndodh, e mbi të gjitha te përgatitur qe gabimet e se shkuarës të mos përsëriten më.
E nisim nga politika p.sh; Është e sigurt se e gjithë klasa politike dhe njerëzit me më shumë ndikim brenda Partisë Socialiste, e cila ka qeverisur vendin ne 10 vitet e fundit, do goditen nga hetimet e SPAK dhe si pasojë do bjerë. Arrestimet qe priten te bëhen së bashku me skandalet e shumta qe kanë prekur partinë ne pushtet mund te çojnë vendin ne zgjedhje te parakohshme, ose drejt formimit te nje qeverie tranzicioni.
Nga ana tjeter, pjesa me e madhe e deputetëve te Partisë Demokratike janë mbledhur rreth liderit te tyre Sali Berisha, i cili tashmë është pa parti, e mbi të gjitha nën hetim nga SPAK.
Lulzim Basha sapo është zgjuar nga letargu i radhës (jo se kur është zgjuar nuk fle) dhe me vulen në xhep ka nisur fushatën e radhës duke brohoritur dhe mbështetur SPAK në aksionet e tij, në një kohë kur mbi te rëndojnë disa skandale, si p.sh.500.000 eurot e financimeve ruse, 21 Janari, Rruga e Kombit dhe disa skandale e gojëdhëna te tjera.
Ne te dyja rastet, nëse do kishte zgjedhje te parakohshme, por edhe nese do shkohej drejt nje qeverie tranzicioni, Lulzim Basha do ishte nje nga aktorët më influentë në qeverinë e ardhshme. Por lind pyetja: Pas gjithë kësaj stuhie ndryshimesh, pas me shumë se 30 vite vuajtjesh tranzicioni, a meritojmë ne si popull te drejtohemi nga një njeri si Lulzim Basha? A është e drejtë te mbajmë mbi supe dikë që tashmë ka ezauruar çdo mundësi nga pikëpamja politike, etike, morale dhe shoqërore, dikë që nuk drejton dot veten e jo më një shtet dhe një popull?!.
A mundet që aleati më i madh ndër vite i Sali Berishes (prej kohësh non grata dhe i hetuar nga SPAK), i përzgjedhuri, “delfini” i tij, që mban mbi supe peshën e disa skandaleve, të na kthehet ne shpresë, pikërisht tani që shqiptarët po përjetojnë ndryshimet e mëdha epokale, që populli i priste prej vitesh? A mos vallë shqiptarët do jene aq shumë te dehur nga vala e skandaleve dhe arrestimeve të zyrtareve te larte, që te hanë sapunin per djathë duke pranuar figura me dritë- hije të mëdha, pjesë e të njëjtave skandale, për te cilat po hetohen dhe burgosen politikanë dhe ish-figura të larta të shtetit?
Dhe jo vetem kaq: A mundet që një komb si i yni, në një moment kaq historik dhe të rëndësishëm të periudhës së tij post komuniste, mbase edhe të 100 viteve të fundit, përballë partive tradicionale PS-PD (tashmë të kalbura), të prodhojë alternativa si “Shqipëria bëhet”, dhe kur pyet kryetarët (Adriatik Lapaj) se si bëhet ky vend, nuk dinë të japin një përgjigje?
Si mund të krijosh një shoqatë me ketë emër shpresëdhënës për shqiptarët, e cila më pas do kthehet patjeter në parti politike dhe do mbledhë vota, deputetë, e ca më keq akoma, pretendon edhe të qeverisë vendin me sllogane populiste, pa ide, pa program, e krijuar nga njerez të cilët s’kanë qullosur asgjë në jetën e tyre, e jo më të marrin në dorë jetët tona në një moment kaq të rëndësishëm ndryshimesh? Për çfarë?! Për të qenë më keq se ç’ishim? Për të rritur një elitë të re shushunjash, mediokrësh e të paaftësh? Apo se ky ka takuar ambasadoren, ka pirë kafe me të, ka qenë në USA dhe siç thotë ai ka marrë bekimin e tyre? Jo, kjo nuk duhet të ndodhë kurrë!! Është ulje për secilin nga ne!
Shoh në horizont një tjetër grupim politik, “Diaspora per Shqipërinë e Lirë”.
I mirëstudiuar edhe ky si slogan, me demek fton diasporën te çlirojë Shqipërinë, ndërkohë kjo gjë ka që ka ndodhur nja 80 vite më parë, pasi gjermani i fundit iku në 1944.
Por nëse duan ta çlirojnë vendin nga prangat e korrupsionit dhe krimit, atë po e bën SPAK. Me shumë respekt për emigrantët dhe gjithe diasporen shqiptare, i kujtoj “luftëtarëve të lirisë ” që kjo luftë nuk bëhet nga foltoret jashtë vendit, duke luftuar me mullinjtë e erës, por në sheshin e “betejës ”, pra bëhet dhe fitohet këtu, në Shqipëri, dita- ditës, me kontributin e gjithësecilit.
Nuk mundet të ndryshohet Shqipëria nga mijëra kilometra larg, me siluret dhe raketat e hedhura nga avionët dhe aeroplanmbajtëset e foltoreve jashtë vendit.
Por me sa duket ata i kanë bërë llogaritë mirë, iu duhen votat dhe jo ndryshimi.
Patjetër që diaspora duhet te votojë, por në të njëjtën kohë numri i deputeteve të dalë nga vota e tyre nuk mund të jetë i njëjtë me ata që jetojnë, luftojnë dhe votojnë në vend.
Se fundmi dëgjoj nga ata që thonë se diçka do ndodhë, e di Amerika, e dinë ndërkombëtarët se kush do vijë në pushtet, diçka do bëhet ….
Unë jam i mendimit që ndërkombëtarët do na ndihmojnë për aq sa u takon, madje shumë kanë bërë dhe po bëjnë, e për ketë i falënderojmë. Por vendin tonë, Shqipërinë, duhet ta ndryshojmë vetë ne Shqiptarët, askush nuk mund të zgjedhë për ne dhe fatin tonë.
Për ta mbyllur, Shqipërisë i duhet një alternativë e re, me një program të qartë politikash zhvillimi, i cili ju duhet prezantuar shqiptarëve përpara se të shkojnë tek kutitë e votimit.
Kohëve, kur një forcë politike shkon përpara zgjedhësve me premtime elektorale kuturu, pa një program të qartë, e më keq akoma me sllogane populiste apo duke sharë e drejtuar gishtin njërës apo tjetrës palë duhet t’u vijë fundi. Partitë që nuk kanë një program duhet të bojkotohen!
Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, vizionarë, largpamës, me aftësi të mira projektuese dhe vendimarrëse, mbi të gjitha për atdhetarë dhe njerëz që e duan vendin.
Vetëm kështu “Shqipëria bëhet ”!