Lajmi i ditësPolitikë

Legalizimi i kanabisit, dënim për Shqipërinë apo përfitim për ekonominë?

3 Min lexim

Kur nga qeveria “Rama” u artikulua për herë të parë legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, për opinionin publik u duk si një shaka politike, për një vend që me dekada ka probleme të theksuara me luftën kundër lëndëve narkotike.

Pas më shumë se një viti pasi 61% e qytetarëve i dhanë “lejen” nëpërmjet Këshillimit Kombëtar, më 17 qershor 2023 kabineti “Rama” miratoi projektligjin  për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, duke ia pasuar “topin” parlamentit, ku gjithashtu PS ka shumicën e ligjvënësve.

Pritet që Shqipëria nga legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore të përfitojë 50 milionë euro për 5 vite. Gjithmonë nëse plani dhe ligji i hartuar nga qeveria zbatohet me përpikmëri. Frika më e madhe e eksperteve është se legalizimi i kanabisit do i japë mundësi më shumë tregut ilegal për t’u shtrirë si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Nga ana tjetër, duke patur parasysh faktin, që Shqipëria është një vend me problematika në kultivimin ilegal të narkotikëve, dyshimi se ky biznes do të arrijë të mbahet brenda kuadrit ligjor mbetet prezent edhe pse qeveria ka njoftuar kushtet dhe rregullat për çdo kompani që do të përfshihet në të.

Një nga problemet që del që në hapin e parë lidhet me faktin se Shqipëria ende nuk ka një program mjekësor të përdorimit të kanabisit. Edhe pse duket se ky detaj është anashkaluar nga vëmendja e ekspertëve, qeverisë do t’i duhet një tjetër hap së bashku me ekspertët e shëndetit për të patur një ligj i cili e lejon kanabisin mjekësor të përdoret dhe të shitet në farmaci, por njëkohësisht dhe të jetë barrikadë për abuzimet.

Ligji duhet të përcaktojë qartë dhe formën e shitjes së kanabisit për qëllime mjekësore, pasi ky produkt vjen në forma të ndryshme si pilula, vaj, pluhur dhe gjethe të thara. Gjithashtu, një përcaktim i qartë ligjor duhet edhe për kompanitë që shpërndajnë produktin brenda vendit tone (nëse kjo do të ndodhë) dhe cilat do e eksportojnë atë. Thelbi i problemit nuk është se si e shpërndajnë, por se sa këto kompani do i rezistojnë tundimit për të mos abuzuar me liçencën që kanë marrë.

Sipas projekt-ligjit, liçenca për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore apo industriale mund të përfitohet vetëm nëse subjekti ka së paku 3 vite eksperiencë në këtë fushë, një kapital prej së paku 100 milionë lekësh, dhe së paku 10 të punësuar.

Por, edhe përzgjedhja e kompanive do të jetë një tjetër pikë debati, pasi ku do të gjenden kompanitë ligjërisht me eksperiencë të prodhimit të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri? Rrjedhimisht logjika të çon se qeveria ka menduar që kultivimi i kanabisit në vendin tonë t’ju besohet kompanive të huaja.

Ndërkohë, krahas taksave të tjera që do të vjelë qeveria, subjektet angazhohen të paguajnë një tarifë vjetore shtesë prej 1.5% të xhiros. Ndërsa sipërfaqja totale në rang vendi e mbjellë me kanabis për qëllime mjekësore nuk mund t’i kalojë 200 hektarët.

Gjithashtu, projektligji detyron ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo Agjenci në bashkëpunim me atë të Barnave Mjekësore, me Agjencinë e Fidanëve në Ministrinë e Bujqësisë si edhe me strukturat e tjera si Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme është e ngarkuar për të kontrolluar dhe monitoruar procesin në të gjitha hallkat, që nga farërat, mbjellja, korrja, tharja dhe destinacioni fundor i kanabisit.

Për të kuptuar se si dhe sa do arrihen objektivat e qeverisë, duhet të analizojmë rregullat, por dhe të bëjmë një analogji me vendet që e kanë kaluar këtë përvojë.

Rreziku i dështimit të këtij projekti është i lartë, po aq i larë sa dhe pritshmëria e përfitimeve ekonomike. Mjafton të përmendim Maqedoninë e Veriut, vendi i vetëm në Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe një nga 29 shtetet në Europë që ka legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore.

Në vitin 2016, Maqedonia e Veriut i dha dritën jeshile prodhimit të kanabisit mjekësor. Parashikimet e përfitimeve ekonomike ishin deri në 250 milionë euro në vit, arka e shtetit në vendin fqinj rezulton të ketë përfituar mesatarisht vetëm 3.5 milionë euro në vit nga kanabisi mjekësor. 

Nga 67 kompani të licencuara fillimisht në prodhimin e vajit të kanabisit, sot në Maqedoninë e Veriut numërohen rreth 40 të tilla, ndërsa vetëm njëra prej tyre mund të eksportojë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Duke u nisur nga këto fakte, por dhe shembuj për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore, lind pyetja nese ky projekt e ndihmon ekonominë apo aspektet e tjera në Shqipëri, apo e rrezikon atë?

Postime të ngjashme
AktualitetLajmi i ditës

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min lexim
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
AktualitetLajmi i ditës

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min lexim
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…

Lascia un commento

×
Ekonomi

Fituesit dhe humbësit e krizës së çmimeve.