Sociale

Nëse spitalet shtetërore do të funksionin, privati do të kishte falimentuar. E vetmja rrugë për ta, turizmi shëndetësor

4 Min lexim

110 milionë euro shpenzuan shqiptarët në sistemin shëndetësor privat gjatë vitit 2022. Një shifër që tingëllon e panevojshme, po të kemi parasysh se Shqipëria është një vend, që trumbeton dhe aplikon shëndetësinë falas.
“Çdo pacient ka të drejtën për akses në shërbimet shëndetësore sipas nevojës vetjake shëndetësore. Një pacient që kërkon trajtim, por që nuk ka mundësi të përballoje koston, ka të drejtën ta marrë falas atë”. Është ky specifikimi që jepet në pikën 2 të kartës së të drejtave të pacientit, mbështetur në pikën 3, të nenit 116, të kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe të ligjit nr. 10107, datë 30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”.
Nisur nga kjo, është e qartë dhe e dukshme që në rastin e aktorit Genc Fuga, e në dhjetra e qindra raste të pacientëve të tjerë që njohim dhe dimë, kjo e drejtë është shkelur me të dyja këmbët. E për fat të keq, argumenti se gjithçka ka ardhur ngaqë ky shërbim mungon në shtet, nuk i vjen askujt në ndihmë.
Përse ky shërbim duhet të mungonte në spitalin publik?
Më keq akoma. Nën zë flitet se QSUT prej vitesh i disponon aparaturat që nevojiten për të kryer tromebctominë, por nuk i përdor, sepse janë prishur e presin të rregullohen me protokoll, ndërkohë që jeta e njeriut nuk kërkon e nuk pret për protokolle.
Rasti i Genc Fugës është veçse dëshmi e asaj që ne të gjithë e shohim dhe e jetojmë, e dëgjojmë nga miq apo familjarë e më keq akoma, përballemi sa herë na duhet të marrim kujdes shëndetësor.
Në Shqipëri nuk ka shëndetësi falas. Shëndetësia falas është veçse një slogan, një parrullë, një falsitet apo fasadë në emër të së cilës lihet vend për spekulime, abuzime dhe akuza, një pjesë e të cilave tashmë kanë marr rrugën drejt SPAK.
Fakti që qytetarët shqiptarë zgjedhin një spital privat apo zgjedhin të ikin jashtë për shërbim shëndetësor tregon qartë dështimin dhe paaftësinë e sistemit tonë publik.
Sepse nëse spitali shtetëror do të funksiononte me standardet dhe shërbimet e nevojshme për çdo pacient, është e sigurt se askush nuk do të zgjidhte privatin. Këtij të fundit as nuk do t’i duhej të ekzistonte.
A e kemi dyshime të mendojmë, që qëllimisht shtetërori është lënë pas dore për t’i dhënë akses privatit? E në mos qoftë kështu, a i justifikon sistemi ynë shëndetësor taksat e paguara të qytetarëve shqiptarë për të marr shëbim falas?
Përgjigja është jo dhe këtu nuk ka dyshime. Me rryshfetin të kthyer në institucion, me pajisjet e prishura, me radhët e gjata dhe sorollatjet burokratike, ata që kanë mundësi i bëjnë SKIP sistemit publik, ndërsa ata që nuk munden të pagujanë fatura janë të detyruar të paguajnë xhepin e mjekut, infermierit, e madje edhe të sanitarit.
Me 110 milionë eurot e shpenzuara në privat, me 130 milionë eurot e konçensionit të Check-up-it, me 65 milionë eurot e konçensionit të laboratorëve, me 90 milion eurot e konçesionit të paisjeve kirurgjikale, me 130 milionë eurot e konçensiomit të dializës ne sigurisht që do të kishim mundësinë të ofronim një shërbim shumë më të mirë për pacientët shqiptarë. Të blinim pajisje e aparatura, të paguanim mjekët në paga të kënaqshme e t’u ofronim qytetarëve shqiptarë, shërbimin për të cilin kanë nevojë, e që shteti e ka detyrim ligjor.
Por shteti ynë delegoi tek privati paratë dhe shërbimet mjekësore, e tashmë ngre duart i dorëzuar.
Është e sigurt, që të gjitha këto para, do të ishin të mjaftueshme jo vetëm për infrastrukturë të përmirësuar, por edhe për paga më të larta të mjekëve për të motivuar punësimin e tyre në shtet e natyrisht për të frenuar fenomenin e përhapur të mitmarrjes.
Pa harruar, se këto para që jepen rryshfet në xhepat e punonjësve të shërbimit shëndetësor, mundet fare mirë të formalizohen në një mënyrë, të deklarohen e të konsiderohen si pjesë e pagesës së mjekëve në operacione të vështira apo specifike.
Në të tilla raste, shteti fare mund të mbulpjë pjesën më të madhe të kostove, duke lënë një përqindje të vogël për vetë pacientët, përqindje kjo që mund të shkojë drejpërsëdrejti për të rritur pagesën e mjekëve, të cilët i kemi në mungesë.
E nëse shteti përmirëson shërbimin, nëse qytetari merr falas atë që me ligj i takon, nëse mjekët stimulohen për të qëndruar në spitalet publike, është koha që spitalet private të vendosin për drejtimin që do të marrin e të na tregojnë sa vlejnë. Le t’i hedhin sytë në një treg më të madh, në popullsi me numër më të lartë e pse jo edhe më të vjetra në moshë, ku potenciali për pacientë është sigurisht më i lartë. Nëse duan të ekzistojnë, le të shohin përtej, tek turizimi mjekësor. Ky treg ka potenciale shumë herë më të mëdha se tregu i brendshëm dhe fuqi më të lartë të blerjes së shërbimeve.
A janë gati spitalet tona private të futen në garë me vende si Turqia, Kroacia apo edhe më tej, që tërheqin qytetarë nga e gjithë bota për shërbimet mjekësore? Një praktikë, që sektori i dentistrisë e ka realizuar, e madje edhe sfiduar me shumë sukses. Pa ligje klienteliste, pa mbështetje dhe pa suporte “nën rrogoz”.
Sektori privat mundet fare mirë të tërheqi pacientë nga vende të tjera, përfshirë dhe Lindjen e Mesme, ku këto shërbime nuk kryhen me kosto më të larta apo edhe me cilësi më të ulët.
Sjellim në vëmendje që tregu i turizimit mjekësor në botë vlen plot 150 miliardë dollarë, nga të cilat Turqia siguron mesatarisht rreth 12 miliardë dollarë në vit, ndërkohë që potenciali ynë është nga 200 milion deri në 1 miliardë dollarë në vit. Pra mesatarisht 2-10 herë më i lartë nga çfarë mund të sigurojnë pacientët e rraskapitur të vendit tonë, të endur dhe degdisur dyerve të spitaleve si topa ping -pongu. Është koha që ecejaket e shqiptarëve të marrin fund, që shteti të paguajë për shërbimin që pretendon se ofron, që privati të provojë konkurrencën e ndershme, që loja dhe pazaret e tavolinave me arbitër të blerë të marrin fund, përgjithmonë. Kështu të gjithë do e keni shpirtin në paqe. Nëse duan ta kenë!

Postime të ngjashme
Lajmi i ditësSociale

Për engjëllin e vogël që ra në shtratin e vdekjes dhe nuk u zgjua dot më kurrë!

2 Min lexim
Sot jam i mbushur si asnjëherë tjetër! Jam plot mërzi, keqardhje, pikëllim, zhgënjim dhe urrejtje, me veten dhe me gjithë ata që…
Sociale

Skandali/ Rrajat lehtësohen nga akuza, ekspertiza e fisit Maja 17 ditë pas dhunës 

3 Min lexim
Në foton më poshtë janë pasojat e dhunës së ushtruar nga anëtarë të fisit Rraja, ndaj njërit prej anëtarëve të fisit Maja,…
Sociale

Media që vënë gjoba dhe bëjnë shantazh, a do të jenë drejtuesit e tyre një tjetër fokus i SPAK?

3 Min lexim
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit i publikuar pak ditë më parë ngriti alarmin për një fenomen që ekziston rëndom, por që…

Lascia un commento

×
Lajmi i ditës

Sa të tjerë si Genc Fuga trokasin çdo ditë në spitalet private? Sistemi ynë shëndetësor i padrejtë dhe i dështuar!