Sot jam i mbushur si asnjëherë tjetër! Jam plot mërzi, keqardhje, pikëllim, zhgënjim dhe urrejtje, me veten dhe me gjithë ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre, në pabesi të plotë, pa dijeninë dhe dëshirën e tij, çuan në shtratin e vdekjes një fëmijë që ishte vetëm 3 vjeç, një engjëll. Ne qe kishim detyrimin ta mbronim, të kujdeseshim, të bënim zgjedhjet e duhura për të, Ne që duhej ta mbronim nga gjithçka, NE e hëngrëm në besë, tradhëtuam dhe e çuam në shtratin e vdekjes për 2 dhëmbë dhe ca para të qelbura që na duheshin.
Dikush më thotë të mos flas, se neser ku i dihet, mund të ndodhe ty, ç’të duhet?! Por jo, unë do flas dhe do ulëras madje sa të kem në kokë, sepse ky vend, ky sistem, kjo shoqëri sot ka kaluar çdo kufi të mundshëm dhe imagjinueshëm etik, moral dhe shoqëror. Sot kuptova që jetoj në nje vend ku morali, etika profesionale dhe njerëzore kanë vdekur.
A ka ZOT?!
Për ç’arsye për 2 mbushje dhëmballe (qumështi) dhe pastrimit të dhembeve të tjerë (qumështi), një fëmijë 3 vjeç duhet të trajtohet me anestezi totale (gjenerale)?
Ai nuk ishte një fëmijë i spektrit të autizmit (me gjithë respektin qe kam per ta, por që parashikohen të jenë më të vështirë për të marr shërbimet e stomatologut), s’ishte fobik, ai fëmijë ishte krejt normal, totalisht i vetëdijshëm dhe bashkëpunues. A më thoni dot përse dreqin i duhej propozuar prindërve dhe të afërmve një anestezi totale për një fëmijë 3 vjeçar? Përse?
Përse i duheshin kuruar 24 dhëmbë njëherësh, çfarë urgjence kishte?
Po si mund të mbahet një fëmijë për 9 orë i seduar në gjumë për ndërhyrje dhe për arsye të cilat nuk janë jetësore? Për çfarë?
Ka boll mjekë të specializuar, të cilët kanë gjithë durimin e kësaj bote në trajtimin e fëmijëve. Përse vallë duhej futur ai fëmijë në atë sallë?!
Mjeku thotë se djali 2 vite më parë kishte bërë një ndërhyrje në zemër. Dhe çfarë pastaj? Kjo ishte arsyeja për t’i trajtur gjithë gojën njëherësh me anestezi të plotë? Ku ndodh kjo? Në cilin vend të botës? Çfar urgjence jetike kishte që dhëmbët të mos trajtoheshin në mënyrë normale, një e nga një, me sedacion të thjeshtë?
Të gjithe po merren me medikamentet apo sasinë e lartë të anestezisë qe i është dhënë, por askush, them askush, asnjë mjek, dentist, stomatolog, anestezist, nuk e thotë që s’kishte asnjë arsye që ai fëmijë të futej në anestezi gjenerale. Heshtja e tyre më neverit jashtë mase, nëse e bëjnë për të mbrojtur kolegët është akoma më e turpshme. Duke heshtur, atë fëmijë po e vrasim së dyti!
Heshtin dhe institucionet, qe me inekzistencën totale të tyre, prej shumë vitesh, e kanë lënë gjithë sektorin e klinikave dentare në mëshirë të fatit. Sot ky sektor është preja e kaosit, informalitetit dhe e anarkisë totale.
Sa fundmi, kjo ishte një vdekje e paralajmëruar me kohë. Nëse shteti dhe institucionet nuk zgjohen, jam i bindur, që nuk mbaron këtu.