Dritan Gremi

40% më pak të regjistruar tek mjekësia. Pasojat e paralajmëruara të një ligji të porositur!

4 Min read

Ajo që pritej, ndodhi. Këtë vit numri i të rinjve që kanë aplikuar për të studiuar mjekësinë është reduktuar me 40% në krahasim me vitin me shkuar. Duket një tkurrje e cila nuk mund të injorohet, pasi gati gjysma e studentëve të vitit 2022 i ka thënë jo fakulteteve shtetërore të mjekësisë.

Në të gjitha degët e Universitetit të Mjekësisë janë mbi 7500 aplikime, ku shumica kanë preferuar degën e Infermierisë.

Refuzimi i maturantëve për të studiuar mjekësinë e Përgjithshme në vendin tonë lidhet pikërisht me ligjin e miratuar në Parlament në orët e para të mëngjesit të 22 korrikut.

Këtë dukuri unë e paralajmërova që në momentin që u njoha me këtë ligj, për të cilin isha i bindur që do të kundërshtohej nga studentët dhe që do të krijonte një kaos mes fakulteteve shtetërore me ato private. Ky ligj i mbyll dyert studentëve në shtet dhe u hap portat në privat, duke provokuar gjithashtu një tjetër kaos, atë social.

Por, përkundër të gjitha pasojave të mundshme, ligjëvënësit në parlament e ngritën kartonin që të votonin një ligj që ndoshta shumë prej tyre as nuk e kishin lexuar.

Ligji që u miratua me 71 pro dhe 23 kundër detyron studentët e mjekësisë që të punojnë në Shqipëri pesë vite pasi të kenë përfunduar ciklin e studimeve dhe vetëm pasi të jetë shlyer detyrimi, ata do të mund të diplomohen dhe të ushtrojnë profesionin e tyre jashtë vendit. Kjo do të arrihet nëpërmjet një kontrate mes studentit MSHMSH, MAS dhe UMT.

Qeveria ka si qëllim që nëpërmjet këtij ligji të parandalojë largimin e mjekëve të rinj nga drejt vendeve të BE. Por, duket se reflektimi i këtij ligji do të hapë një plagë të re në vendin tonë, uljen e numrit të mjekëve.

Dhe jo vetëm kaq. Vendosja këtij ligji për fakultetet shtetërore favorizon drejtpërdrejtë, me qëllim, ose jo, universitetet private. Madje kjo u konstatua që në fillimet e prezantimit të ligjit. Reagimi i parë i studentëve pasi u njoh me planin e qeverisë për të mbajtur mjekët e rinj në Shqipëri ishte protesta, të cilat vijuan për disa ditë, por pa rezultat.

Edhe pse nuk mundën të bindin mazhorancën të hiqte dorë nga ky ligj, ajo që studentët bënë të qartë ishte braktisja e universiteteve shtetërore të mjekësisë duke u transferuar te universitetet private, mbi të cilat ky ligj nuk ka fuqi veprimi. Madje, disa prej sudentëve i kishin nisur procedurat e transferimit gjatë kohës që protestonin.

Natyrshëm lind pyetja pse ky ligj nuk zbatohet dhe nga universitetet private? E kam deklaruar në çdo dalje televizive se kjo masë detyruese në fakultetet shtetërore do i orientonte studentët drejt privatit.

Pse ky orientim? Ai ishte ky ligj i porositur? A është i qëllimshëm favorizimi i fakulteteve private? A është ky ligj klientelist? Nëse vërtet qeveria synon ndalimin e largimit të mjekëve të rinj nga vendi, a nuk do të ishte më korrekte që ky ligj të zbatohej nga univeristetet private?

Përgjigjet për këto pyetje i ka vetëm qeveria, e cila e di më mirë se kushdo se cili është qëllimi real i këtij ligji.

Nuk ështe e qartë se kush e propozoi këtë ligj i cili largon studentët nga fakultet shtetërore, por ai apo grupi i personave që mund ta ketë propozuar, duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat. Kur them përgjegjësi, e kam fjalën që të përgjigjet apo të përgjigjen para ligjit.

Por, duhet theksuar se nga ky ligj nuk janë të prekur vetëm studentët të cilët hynë për herë të parë në fakultetin e mjekësisë, por edhe ata që tashmë janë studentë të mjekësisë.

Sipas ligjit, studentët nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, kanë dy alternativa. Alternativa e parë është që studentët të nënshkruajnë një marrëveshje me UMT dhe dy ministritë. Respektivisht, studentët nga viti i dytë deri në vitin e katërt duhet të punojnë në vendin tonë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë do të punojnë dy vite.

Ndërkohë që alternativa e dytë; Nëse këta studentë nuk pranojnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve për vitet që kanë mbetur.

Pra, ligji për studentët e mjekësisë, jo vetëm që i josh maturantët që të aplikojnë për studime në universitetet private, por edhe studentët që janë tashmë në sistemet e universiteteve shtetërore po i shtyn të shkojnë në privat.

Kur të publikohet numri i maturantëve që kanë zgjedhur mjekësinë në shtet dhe atyre në privat, do ketë një tjetër panoramë që mund të shkaktojë ky ligj. Kush do të mbajë përgjegjësi nëse rezulton se numri i aplikanëtve për mjekësinë është më i lartë në privat se sa në shtet?

Në fund të fundit, qeveria duhet të forcojë institucionet shtetërore, jo të fuqizojë privatin. Ministria e Arsimit apo Fakultetet e Mjekësisë duhet të jenë transparentë dhe për numrin e transferimeve të kryera këtë vit nga shteti në privat.

A do të mbajë përgjegjësi ministrja e Arsimit Evis Kushi, për shkatërrimin e blancave shtet-privat?

Nëse vërtet qeveria do që mjekët e rinj të mos largohen nga vendi, duhet të krijojë kushte më të mira dhe jo t`i detyrojë ata që të punojnë në vendin tonë. Qeveria duhet të ndjekë politika të cilat e ndihmojnë një mjek të ri të zhvillohet në profesion dhe të vlerësohet për punën që bën.

Duhet filluar me rrogën e mjekut, e cila është një nga arsyet kryseore përse mjekët e rinj largohen nga Shqipëria dhe punojnë në Gjermani apo Itali. Siguria e mjekut, dhënia e mundësisë për t’u zhvilluar profesionalisht duke i siguruar mjetet dhe pajisjet inovative të nevojshme.

Atëherë Shqipëria nuk do të prodhonte mjekë vetëm për BE-në, por edhe për vete. Në këto kushte, nuk do të largohen nga Shqipëria ata studentët që do të “ngecin” në universitet shtetërore të mjekësisë, por përsëri rrugën për një jetë më të mirë do e marrin ata që dalin nga privati.

Similar posts
Dritan GremiTourism

Imazhi i ri i Shqipërisë motivi kryesor i boom-it turistik!

5 Min read
Nga Dritan Gremi Duket se autoritetet më në fund kuptuan rëndësinë e madhe që ka imazhi i mirë i vendit. Mbi të…
Dritan GremiTourism

Turizmi dhe mesazhi sfidues që na vjen nga Kroacia.  A mjafton strategjia e fjalëve dhe rekomandimeve për të promovuar Shqipërinë për një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm?

3 Min read
Ndërsa me ardhjen e verës, të gjithë i kthejmë sytë nga sezoni ynë i shkurtër turistik dhe mundësitë e gjenerimit të të…
Dritan Gremi

“Do padisim 40 shoqata”, Gremi: Kërkuan heqjen e Shqipërisë nga vendet e sigurta

1 Min read
40 organizata ndërkombëtare i kanë dërguar letër autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, ku i kërkojnë që të Shqipëria të hiqet nga lista…

Leave e Reply

×
Daily news

Projektligji për të mbajtur në Shqipëri mjekët duhet të shtrihet edhe në universitetet private, përndryshe do të vishej me nuanca klienteliste!