Fotoja e ish-Ministrit Saimir Tahiri në krah të Eskobarit të Ballkanit Klemend Balili dhe Safet Bajrit, ngriti këtë të premte shumë pikëpyetje.
Cili ishte raporti i Saimir Tahirit me Klemend Balilin dhe Safet Bajrin? Si është e mundur që një ish-ministër të qëndrojë brenda një dhome me dy nga njerëzit më të rrezikshëm të vendit e të cilët po ai vetë kishte kërkuar t’i arrestonte? Cili vendosi që Tahiri të qëndronte në dhomë me këta persona dhe mbi ç’bazë u mor ky vendim?
Në fakt të dhënat thonë se me arrestimin e Klement Balilit në burgun e Lushnjës u krijua një sektor i ri, me kushte të veçanta të trajtimit të të burgosurve.
Nuk dihet se kush e kërkoi, kush e pagoi dhe kur u ndërtua ky sektor, por thuhet se ashtu si Pablo Eskobar, edhe Klement Balili pati forcën dhe aftësinë të ndikonte mbi zgjedhjen e njerëzve që do të qëndronin aty…
Në Korrik të vitit 2022, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u transferua nga burgu i Fierit ku vuante dënimin prej muajit shkurt, në atë të Kosovës, në Lushnjë.
Transferimi ishte kryer pas një kërkese të familjarëve, me argumentin se burgu i Fierit është i sigurisë se lartë, ndërsa qelitë në burgun e Kosovës në Lushnjë janë të sigurisë së zakonshme. Më herët, vetë Tahiri kishte dorëzuar në gjykatën e lartë një kërkesë për pezullim dënimi, pasi në burg i rrezikohej jeta.
Në këtë background ngjarjesh, e gjeti publikun shqiptar fotografia e publikuar këtë të premte nga gazetari Flamur Vezaj. Tahiri, ndërsa drekon me Klement Balilin, Safet Bajrin dhe një tjetër të dënuar, emri i të cilit ende nuk është bërë i njohur.
Fotoja është realizuar brenda ambienteve të burgut, duke ngritur jo pak polemikë në rrjetet sociale. A ka një shkelje ligjore në këtë drekë të “pavdekësuar” në foto? A janë duke konsumuar alkool tre të dënuarit sikurse duket? Si u gjendën ata bashkë? Kush e realizoi foton? Drejtoria e Burgjeve iu përgjigj shpejt këtyre pyetjeve, me një reagim publik, në të cilin u bë me dije se fotoja ishte realizuar në kohën kur të 4 personat vuanin dënimin në burgun e Lushnjes.
“Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre. Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese. Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tone”, thuhej në reagim.
Gjithashtu i njëjti njoftim bënte me dije se fotoja është kryer nga personeli i burgut, si pjesë e disa fotografive që dokumentojnë ndjekjen e një dite normale në institucion, konform rregulloreve ne fuqi.
Megjithatë duket se kaq nuk mjafton për t’ju dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve, që në mos me faj, e veshin me përgjegjësi morale ish-ministrin.
A ishte pikërisht marrëdhënia me Klemend Balilin shkaku që Saimir Tahiri bëri kërkesë për t’u transferuar në burgun e Lushnjës?
A kishte burgu i Lushnjës ca kushte më të mira se ai i Fierit, ca investime të reja e ca privilegje më shumë për persona si Tahiri e Balili? Apo ndoshta VIP-at marrin trajtim të veçantë edhe aty?
Le të mos harrojmë se gjatë kohës që ky i fundit drejtonte Ministrinë e Brendshme ka patur shumë akuza se aksionet për Balilit janë dekonpsiruar nga vetë policia.
“Dua t’ju them sot se ashtu si gjithë llumin e Lazaratit e te drogës, te krimit te organizuar e te korrupsionit ne polici e gjetëm nuk e sollëm ne, po e trashëguam nga ju, edhe Klement Balilin nga ju e kemi peshqesh! Dhe ashtu si kemi pastruar jo pak nga llumi qe ju e mblodhët shtresa – shtresa ne tete vjet dhe e shtruat si jorgan pandeshkueshmerie mbi Policinë e Shtetit, ashtu do bëjmë edhe për Klement Balilin. Shpifjet tuaja për shëtitjet e tij neper plazhe e neper Tirane apo fotomontazhet e qytetareve tuaj dixhitale me gjoja Balilin mbi jahte nen mbrojtjen e policisë, nuk na kane penguar po na kane motivuar edhe me shume ne ndjekjen e këtij krimineli ne kërkim”, shprehej dikur Tahiri për Balilin.
Çfarë e bëri Eskobarin e Ballkanit t’i harrojë këto deklarata e të flejë në një dhomë me ish-ministrin? Apo gjithçka atëherë ka qenë një fasadë?