Daily news

Sipërmarrësi shqiptar letër Dhomës së Lordëve: Shqipëria vend i sigurt, mos lejoni azilin në vendin tuaj të politikanëve shqiptarë të korruptuar

6 Min read

Sipërmarrësi Dritan Gremi i është drejtuar me një letër publike Dhomës së Lordëve në kuvendin Britanik dhe më konkretisht Lordit Murray i Blidworth, një prej anëtarëve që kundërshtoi amendamentin 128A për klasifikimin e Shqipërisë një vend jo i sigurt origjine.
Duke e falënderuar Lordin për qëndrimin e tij, zoti Gremi shprehet i kënaqur që iniciatorja e këtij amendamenti, Baronesha Lister u tërhoq prej tij dhe bën me dije se ka nisur gjithashtu një padi civile ndaj 40 organizatave në Britaninë e Madhe që e mbështetën këtë nismë publikisht, duke njollosur imazhin e Shqipërisë, pa të drejtë.
Gjithashtu, në këtë letër zoti Gremi ka një kërkesë të fortë ndaj shtetit dhe institucioneve britanike, teksa i referohet rastit të ish-ministrit Arben Ahmetaj i akuzuar për korrupsion, që ndonëse i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, duket se ka zgjedhur Londrën si vendin për t’i ikur gjykimit.
Sipërmarrësi kërkon nga shteti britanik, që nëse në një të ardhme të afërt apo të largët, ish-ministri do të kërkojë azil në Britaninë e Madhe, kjo mundësi t’i refuzohet dhe ai të kthehet për t’u përballur me drejtësinë në vend.
Gjithashtu kjo letër e hapur i është përcjellë të gjitha mediave britanike, për të sensibilizuar akoma më shumë opinionin publik anglez ndaj kësaj çështjeje kaq të rëndësishme, e cila cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Më poshtë letra e plotë

Drejtuar: Dhomës së Lordëve, Lord Murray of Blidworth
Shqipëria është një vend i sigurt origjine! Mos lejoni azilin në vendin tuaj të politikanëve shqiptarë të korruptuar!

I nderuar Lord Murray of Blidworth!

Përmes kësaj letre publike dëshirojmë të shprehim mirënjohjen ndaj qëndrimit tuaj lidhur me Amendamentin 128A dhe propozimin e Baroneshës Lister e Burtersett për të nxjerrë Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta të origjinës. E vlerësojmë qëndrimin dhe fjalën tuaj kur thoni se: “Ne jemi të kënaqur, që në përgjithësi Shqipëria, një vend anëtar në NATO, firmëtare në ECAT (Qendra Europiane për Transparencë) dhe një vend që kërkon të hyjë në BE, i plotëson këto kritere”. Ne gjithashtu vlerësojmë kërkesën tuaj për të nxitur baroneshën e nderuar që ta tërhiqte kërkesën, çka sikurse dihet u mor parasysh nga ana e saj.
Letra jonë në adresën tuaj merr shkas gjithashtu nga një tjetër letër publike që më 13 Qershor mbështeste nismën e baroneshës Lister dhe që mbante firmën e 40 organizatave që veprojnë në Britaninë e Madhe në fushën e emigrantëve dhe të drejtave të tyre.
Duke ju falenderuar edhe një herë për këtë qëndrim tuajin, ne gjithashtu mendojmë se ky hap do të nxiste të rinjtë shqiptarë të largohen ilegalisht nga vendi, do t’i hapte rrugë pranimit në Mbretërinë e Bashkuar të qindra emigrantëve që largohen përmes La Manshit e njëkohësisht do të ndihmonte në marrjen e statusit të pamerituar shumë të tjerë, që tashmë janë në pritje në Britaninë e Madhe dhe rrezikojnë të kthehen.
Duke ju kthyer përcaktimit të vendeve të sigurta të origjinës, kujtojmë se një vend i sigurt i origjinës është ai ku aplikohet ligji dhe një sistem demokratik, ku nuk ka persekutime, trajtime antihumane, dënime, apo rreziqe për shkak të diskriminimit dhe dhunës, apo situatave të konflikteve të armatosura kombëtare ose ndërkombëtare.
Në letrën e tyre 40 organizatat argumentonin se Shqipëria nuk i plotëson kriteret e të qenit një vend i sigurt origjine.
“Vendi përballet me probleme të mëdha si korrupsioni, trafiku njerëzor, lufta mes bandave dhe diskriminimi ndaj komuniteteve të caktuara si LGBTQI, Romë apo Egjiptianë”, thuhet në argumentin e organizatave.
Fatmirësisht Shqipëria është ndarë nga një e shkuar e errët e komunizmit tashmë prej më shumë se 30 viteve dhe aplikon një sistem demokratik pluralist, aspiron për integrimin në BE, organizon me sukses samite, (Samiti i BE në Tiranë), takime dhe evente sportive ndërkombëtare si finalja e UEFA Conference League.
Qytetarët shqiptarë kanë sot të drejtën e qarkullimit në zonën Shengen, të drejtën e fjalës, sipërmarrjes dhe votës së lire, fakt ky i argumentuar edhe në raportet më të fundit të OSBE dhe ODIHR.
Gjithashtu, qëndrimi i 40 organizatave, jo vetëm që dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë, por nxit emigrimin e paligjshëm drejt Britanisë së Madhe, në një kohë kur fare mirë të rinjtë shqiptarë kanë hapësirat dhe mundësitë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Duhet të kuptojmë që strategjia që këto organizata përdorin për t’i dhënë të drejtën emigrantëve shqiptarë të pajisen me dokumenta angleze, jo vetëm që është e pabazuar, por edhe rrezikon të jetë spekuluese.
Ku e kanë bazuar këto 40 organizata qëndrimin e tyre? Në çfarë shifrash dhe analizash konkrete? Cilat janë kategoritë që sipas tyre janë të marxhinalizuara apo të rrezikuara në Shqipëri? Sa përqind të popullatës përbëjnë ato dhe a janë ato argument për të hequr Shqipërinë nga lista e vendeve të sigurta? A janë pikërisht këta njerëz ata që po kërkojnë lejeqëndrimi në Britaninë e Madhe, apo realiteti i tyre është i ndryshëm nga çfarë paraqesin në Home Office?
Le të të konsiderojmë faktin, që mbi këtë argument nuk mungojnë edhe spekuluesit. Ka ende femra që abuzojnë me statusin e trafikut apo të mitur që trajnohen dhe instruktohen të sillen si të dhunuar nga familja, nga prindërit, si vulnerabël nga dhuna në familje apo si të bullizuar në shoqëri. Qëllimi është një dhe i vetëm; përmes spekulimit të fitojnë një status e gjithashtu të fitojnë dokumenta për të qëndruar në Angli.
Ka gjithashtu një kategori që deklaron se kanë probleme me gjakmarrjen e të tjerë që deklarojnë vëahtirësi financiare dhe varfëri ekstreme, por sapo pajisjen me dokumenta kthehen në Shqipëri pa asnjë hezitim për të kaluar disa ditë pushimesh më bregdet. Pavarësisht problematikave, vendi ka ecuri pozitive në të gjitha progres raportet, ndaj iniciativa si ajo e 40 organizatave, nuk bëjnë tjetër veçse dëmtojnë imazhin e vendit dhe nxisin emigrimin e paligjshëm. Më tej, të tilla nisma rrezikojnë të merren si indicje për raportet që hartohen ndaj Shqipërisë, duke e konsideruar pa të drejtë një vend jo i sigurt. A është e drejtë që për fondet e disa organizatave dhe për 12 mijë emigrantë që mund të përfitonin nga shteti britanik të penalizohen 3 milionë shqiptarë?! Ju bëjmë me dije, se pikërisht për këtë shkak, për dëmtim të imazhit të Shqipërisë e rrjedhimisht edhe të vetë qytetarëve shqiptarë e mirëqenies së tyre, ne do t’i drejtohemi gjykatës me një padi ndaj këtyre 40 organizatave.
Sjellim në vëmendjen tuaj, se si një vend që ka hapur negociatat për anëtarësim, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme, mes të cilave ajo në drejtësi, ku po shihen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shembulli më i fundit është ai i një ish-ministri të qeverisë, i akuzuar për një aferë të madhe korruptive, e tashmë me një urdhër arresti të nxjerrë nga Prokuroria e Posaçme dhe me një vendim të parlamentit për ekzekutimin e tij.
Por ndërsa ky ish-ministër vendosi të largohet duke e ndjerë rrezikun, si për ironi të fatit duket se ka zgjedhur pikërisht Londrën si vendqëndrim.
A mundet dhe a duhet që shteti britanik t’i japë mbështetje, azil politik dhe mundësi qëndrimi një individi të tillë, që abuzoi me paratë e taksapaguesve? Është koha që në Shqipëri ky ish-ministër të përballet me drejtësinë. Të shpjegojë rolin dhe pozicionin e tij në një aferë, për të cilën janë arrestuar gjithashtu edhe një tjetër ish-ministër e një ish-deputet.
Ne mendojmë se shteti britanik duhet të konsiderojë rikthimin në Shqipëri të këtij politikani, ndërkohë që tashmë ndaj tij ka një urdhër arresti dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndërsa vendi është duke hedhur hapa të qartë e të sigurt për integrimin në strukturat Euro-Atlantike, lufta me korrupsionin është kali i betejës në këtë udhëtim dhe përballja e zyrtarëve të lartë me drejtësinë është ajo çka qytetarët presin.
Duke ju rikthyer kërkesës së 40 organizatave, të cilët në letrën e tyre flasin për një Shqipëri që përballet me korrupsionin, kujtojmë se anëtarët e tyre të larguar nga vendi prej vitesh, duhet të dinë që për ne që jetojmë këtu vënia para drejtësisë e zyrtarëve të korruptuar është sa sfidë, aq edhe tregues i një drejtësie që funksionon.
Besojmë dhe shpresojmë që si ligjvënës të një shteti historik, të merrni një vendim në favor të qytetarëve shqiptarë dhe të drejtës.
Dritan Gremi, sipërmarrës shqiptar

Similar posts
ActualityDaily news

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min read
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
ActualityDaily news

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min read
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Daily news

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min read
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…

Leave e Reply

×
Daily news

Padi ndaj 40 organizatave që njollosën imazhin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe e cilësuan vend jo i sigurt origjine