Daily news

Tradhëtia ndaj Albin Kurtit është tradhëti ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve

5 Min read
  • Ngjarjet ne Veriun e Kosoves dhe reagimi i qeverise se saj!

Një ngjarje e rëndë terroriste e cila i kushtoi jetën një efektivi të forcave të Policisë së
Kosovës dhe plagosi një tjetër, tronditi jo vetëm shtetin më të ri në Ballkan, por një pjesë të
mirë të zyrtarëve të perëndimit. Të mësuar të rrinë të ulur në karrigen e negociatorëve ku me
fjalimet e ftohta, ndikojnë në jetën e mijra njerzve, akti terrorist i vrasjes së një polici me sa
duket nisi t’i zgjojë nga një gjumë i thellë dhe indiferentizëm i skajshëm që po shfaqnin së
fundi ndaj Kosovës.
“Zotërinj, Serbia nuk do negociata, nuk do marrëveshje, ka plane të tjera destabilizuese!” do
të shprehej dhjetra herë gjatë muajve të fundit Albin Kurti. Por përgjigjja ishte “Negocio, ti je
një shtet i vogël dhe pa ne je asgjë, negocio!” Për shumë qytetarë këto mesazhe nga zyrtarët e
Bashkimit Europian por dhe atyre amerikanë, mund të ngjanin kontradiktore. Përse nuk po
mbështet më Kosova? A është një shtet i cili u ndërtua me ndihmën e tyre dhe sot ekzsiton po
falë tyre?
Gjithçka që kishte kohë që po vlonte përmes deklaratave me tone të acaruara, shpërtheu në
pranverën e këtij viti kur u mbajtën zgjedhjet lokale në 4 komunat në veri me popullsi serbe.
Pas një udhëzimi të dhënë nga Beogradi, Lista Serbe kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve,
por ndërkombëtarët thanë jo. Në këtë linjë qëndruan dhe kryeministri Albin Kurti bashkë me
presidenten Vjosa Osmani. Serbia nuk mund të diktojë datën e zgjedhjeve në një vend sovran.
Dhe po, kishin të drejtë. A ka dëgjuar ndonjë shtet një zyrtar të huaj t’i caktojë datën e
zgjedhjeve? A ka ndonjë lider në rajon që pyet më parë fqinjin apo pakicat dhe minoritetet
nëse duhet të shkelë kushtetutën?
Koha zbuloi se zgjedhjet njësoj si çdo pretekst tjetër i Beogradit, targat, tarifa për mallrat apo
kërkesat për autonomi të plotë qeverisëse ndaj komunitetit serb në veri, ishin thjesht kushte të
cilat përdoren për të fituar kohë dhe për t’i futur thikën nën brez kundërshtarit që ulet të
negociojë në tryezën ndërkombëtare. Nuk kishte se si Serbia të mos e përdorte si një kartë në
favor të saj luftën Rusi -Ukrainë. Çmime të larta, mungesë e lëndëve të para, bllokime dhe
sanksione që Europa bashkë me SHBA po bënin ndaj Rusisë, tashmë kërkonin një mbështetje
më të gjerë jo vetëm nga perëndimi por dhe nga aleatët e saj historikë si Serbia. Një premtim
në nivele diplomatike se dhe Beogradi do të dënonte sulmet në Ukrainë dhe do të bashkohej
në qëndrime e sanksione ndaj Rusisë, ktheu me 180 gradë qëndrimin e perëndimit në raport
me Kosovën.
Zgjedhjet në veri u zhvilluan dhe u bojkotuan nga partitë serbe. Pjesëmarrja rezultoi shumë e
ulët, vetëm 3.5% e votuesve ishin drejtuar në qendrat e votimit. Beogradi kërkon përsëritjen e
tyre, por Kurti refuzon. Këtu gjuha e diplomatëve fillon të marrë tone pro Serbisë. Tensionet
kulmuan kur në zyrat e bashkive në veri tentuan të hyjnë kryetarët e sapozgjedhur. Grupe
personash të klasifikuar si të rrezikshëm ndërtuan barrikada pranë institucioneve vendore për
të ndaluar hyrjen e krerëve të komunave. Mllefi i tyre nuk kurseu asnjë, as policinë vendase,
as atë të KFOR-it dhe as gazetarët.
Edhe pas plagosjes së disa ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) thirrjet I
drejtoheshin Albin Kurtit: “Tërhiqu dhe përsërit zgjedhjet. Ulu dhe bisedo dhe prano të
zbatosh marrëveshjen e Ohrit për të bërë asosacionin e komunave.” Një kontradiktë logjike,
ku arbitri i bën thirrje për qetësi paqësorit dhe dënon të dëmtuarin. Fundja interesat e politikës
së madhe ndërkombëtare në Kosovë, janë më të vogla se ato të luftës në Ukrainë që po mban
peng ekonomi të zhvilluara dhe ka nisur të krijojë pakënaqësi për qeveri të rëndësishme në
Europë. Dhe këtë që e kupton çdokush, nuk ka se si të mos e kuptojë dhe Albin Kurti. Një
kryeministër që më shumë kritikohet si kokëfortë, nacionalist dhe idealist se sa për
korrupsion, e bën atë të pashantazhueshëm nga të tjerët. Kurti, ndryshe nga shumë lider në
rajon, u qëndron besnik votuesve dhe jo ndërkombëtarëve që mbajnë në llogoret e tyre
zyrtarë të shantazhueshëm. Kurti e kupton dhe nuk do që Kosova të bëhet dëm kolateral për
një interes më të madh. Dhe kjo është e qartë dhe e kuptueshme. Kurti nuk është Zelensky,
nuk është votuar në Ukrainë, por në Kosovë.
Ai e di shumë mirë që Kosova është një shtet i ri, siç e di që Plani Ahtisari ka krijuar një
realitet të pakundërshtueshëm të pavarësisë së Kosovës dhe çdo marrëveshje që do të cënonte
këtë plan, qoftë në integritetin territorial, qoftë në atë të administrimit politik siç po tentohet
të bëhet me asocacionin, është kthim pas në kohë për Kosovën. Kurti e di mirë që pa
mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, Kosova sot nuk do të ekzistonte, por e
vetmja gjë që po kërkon të bëjë është të fitojë kohë, aq sa sytë e udhëheqësve të botës të
rikthehen dhe njëherë nga Ballkani.
Serbia e tregoi se nuk dëshiron marrëveshje, që nuk do ta respektojë marrëveshjen dhe po ta
nënshkruajë atë dhe se nuk do të njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës. Grupe të armatosura
sulmuan institucionet, sulmuan policinë ndërkombëtare, forcat speciale serbe morën peng 3
policë në kufi dhe në fund një bandë paramilitare prej 30 vetash sulmon policinë e Kosovës
dhe vret një polic e plagos një tjetër duke përdorur një arsenal të rëndë që nuk dihet kush e ka
sjellë dhe si e ka futur në territor, por që të dhënat të çojnë në një skenar të stisur nga
Beogradi.
Të dielën të gjithë e kuptuan se kush është Serbia dhe kush është Kosova. Të dielën dhe ata
që humbën memorien dhe harruan gjenocidin që u bë në Bosnjë e në Kosovë, që harruan
pushtuesin dhe harruan ata që dhanë jetën që Kosova të jetë ky shtet që është sot, e kujtuan se
kush është Serbia dhe kush është Kosova. Sepse dallohet qartë se kush është pushtuesi dhe
kush është paqësori, kush është Kurti dhe kush është Vuçiç. Ndaj të gjithë ata që nuk e
dënojnë sulmin si një akt terrorist, të gjithë ata që kërkojnë bisedime pa bërë thirrje për
Beogradin që të kërkojë falje për jetën e një dëshmori të rënë në krye të detyrës dhe të një
tjetri të plagosur, nuk ka tradhëtuar Albin Kurtin.
Sot ndërkombëtarët që nuk dënojnë aktin dhe nuk i kërkojnë llogari Beogradit, kanë
tradhëtuar Kosovën, shtetin për të cilin u investuan për një dekadë dhe që e ngritën me
vullnetin e tyre.
Sot politikanët shqiptarë që nuk e shohin sulmin si terrorist, nuk artikulojnë emrin e Serbisë,
por kërkojnë akoma qetësi dhe bisedime nga Kurti, duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është as
inat personal, e as interes për karrierë personale. Kosova është më e madhe se Albin Kurti
dhe se karriera e çdo zyrtari në Tiranë, Prishtinë dhe Bruksel.

Similar posts
ActualityDaily news

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min read
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
ActualityDaily news

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min read
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Daily news

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min read
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…

Leave e Reply