Ekonomi

Bankat shqiptare me fitimet më të larta në Europë

3 Min lexim

Llogaria e parë që bëjnë sipërmarrësit kur marrin vendimin nëse do të investojnë në një kompani apo jo, është kalkulimi i normës mbi kthimin e kapitalit. E shprehur në formulë, norma shpreh fitimet e secilit aksioner në bazë të aksioneve që zotëron në biznes. Kthimi i kapitalit llogaritet në bazë të përqindjes së parave që zotëron nga asetet e firmës kur i zbriten detyrimet.

Norma e kthimit të kapitalit në sektorin bankar është më e ulët se në biznese të tjera. Mestarja e vendeve të Bashkimit Europian në fund të vitit 2022 ishte 7.22% dhe më e larta ka qënë përpara krizës financiare në 2007-n në 10%. Bankat shqiptare rezutojnë të kenë një normë kthimi të kapitalit dy herë më të lartë se mesatarja europiane. Në fund të vitit të shkuar ky tregues ishte 14.23%.

Edhe pse një shifër në nivele të larta pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, indikatori shpreh edhe një anë tjetër të medaljes: bankat shqiptare renditen në 5-shen e bankave që kanë normat më të larta të fitimit në Europë.

Rankimi sipas normës së fitimit.

Shteti që ka sistemin bankar me normën më të lartë të kthimit të kapitalit në Europë është Rumania. Vitin e shkuar Rumania arriti ta ketë këtë tregues në nivelin 19.3%, e ndjekur nga Sllovenia me 17.2% dhe Lituania me 15.02%. E katërta renditet Greqia me një normë të kthimit ndaj kapitalit 14.43% dhe në vendin e pestë është Shqipëria me normën 14.23%.

Shtetet me sistemin bankar me normën më të ulët të kthimit të kapitalit janë Irlanda me 3.46%, Luksemburgu dhe Malta me 4.21 dhe 4.02% dhe Gjermania me një normë kthimi 5.72%. Ndërsa vendet me një normë kthimi normal janë Hollanda, Italia, Portugalia dhe Belgjika.

Sipas të dhënave të Federatës Europiane të Bankave norma e kthimit të kapitalit ndryshon nga viti në vit në bazë të investimeve që bëjnë aksionerët. Greqia rezulton me një normë negative në vitin 2021, ndërsa ka patur një rritje eksponenciale në fund të vitit që lamë pas. Në Shqipëri fitimi dhe efiçenca e sektorit bankar janë parqitur të qëndrueshme. Në fund të vitit 2021 norma e kthimit të investimit ishte 11.36%, ndërsa në vitin e vështirë të pandemisë 2020, 8.63%.

Fitimet e bankave në Shqipëri.

Në tremujorin e parë të këtij sektori bankar pati periudhën më të shkëlqyer të fitimeve që pas pandemisë që goditi globin por dhe fitimet e këtij tregu. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të marsit, 11 bankat që operojnë në tregun vendas siguruan 79 milion euro fitime, 2.4 herë më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2021. Edhe viti 2021 nuk rezultoi keq për fitimet e aksionerëve të bankave në Shqipëri, të cilët siguruan 216 milion euro fitime për të gjithë vitin. Tendencat në rritjen e normave të interesit projektojnë rritje të mëtejshme për paratë që do të ndajnë pronarët e bankave.

Diferenca mes shpenzimeve që bankat në Shqipëri kanë për interesat ndaj depozituesve dhe atyre që paguajnë interesat e kredive është i lartë. Në fund të vitit të shkuar sistemi bankar akumuloi nga interesi i huave të dhëna 607 milion euro, por shpenzoi për të paguar interesat e individëve që kanë kursime në banka vetëm 87 milion euro, gati 7 herë më pak.

Vitin e shkuar bankat arkëtuan edhe 149 milion nga gjobat dhe komisionet bankare që faturojnë për shërbimet e tyre, ndërsa vetëm për 3 muajt e parë të këtij viti të ardhurat nga komisionet rezultuan 36 milion euro.

Shpenzimet më të larta të bankave shkojnë për qiratë e godinave, sistemet e sigurisë dhe informacionit, pagat e punonjësve dhe mbrojtja e imazhit përmes reklamave dhe fushatave të marketingut. Vitin e shkuar këto shpenzime për të gjithë sistemin banker ishin 358 milion euro.

Si u nda fitimi i bankave në vitin 2022.

Banka që rezultoi me fitimin më të madh vitin e shkuar është BKT, e cila mbylli vitin me një rezultat financiar pozitiv prej 94 milion euro fitime. Banka Kombëtare Tregtare zotërohet nga grupi turk Çalik Holding dhe është banka më e madhe në Shqipëri sa i takon totalit të aseteve duke dominuar 26% të tregut. Austriakët e Raiffeisen Bank ndanë 16% të fitimeve të të gjithë sistemit bankar vitin e shkuar duke u renditur të dytët me 38 milion euro dhe hungarezët e OTP Bank ishin të tretët sa i takon fitimit për vitin e shkuar me 31 milion euro.

Abi Bank fitoi 17.9 milion euro, Intesa San Paolo 12.8 milion, Credins Bank 11.6 milion, Tirana Bank 10 milion euro, Union Bank 9.2, Fi Bank 8.8 milion dhe UBA me Pro Credit ndanë fitimet më të ulta të tregut, përkatësisht me 1.3 dhe 1.1 milion euro.

Shqtësimi për normat e larta të fitimit që mbajnë bankat për kreditë, transfertat, komisionet, kursin e këmbimit dhe penalitetet është ngritur shpesh në Shqipëri, megjithatë vendi ynë vijon të mbetet i mirë për bankierët dhe i shtrenjtë e i vështirë për konsumatorët dhe individët që kërkojnë shërbime bankare bashkëkohore dhe të shpejta.

Postime të ngjashme
Ekonomi

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min lexim
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Ekonomi

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min lexim
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Ekonomi

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min lexim
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…

Lascia un commento

×
Ekonomi

Kontradikatat e rritjes ekonomike