AktualitetEkonomi

Shqipëria turistike 2025: euro bie, çmimet ngjiten, turistët tkurren

3 Min lexim

Nga Dritan Gremi

Nga “perlë e lirë” e Mesdheut, në një destinacion ku pushimet kushtojnë më shumë dhe vlejnë më pak.

Pas një dekade ku Shqipëria u shfaq si “perlë e fshehur” e Adriatikut – e bukur, ekonomike, autentike dhe mikpritëse – sot vendi po përballet me sfida që rrezikojnë pozicionin e tij si destinacion potencial turistik në Mesdhe. Zhvlerësimi i madh i euros, rritja e çmimeve, mungesa e fuqisë punëtore dhe mbi të gjitha abuzimi, në disa raste, me turistët nga vetë operatorët dhe subjektet tregtare, po i bëjnë pushimet në Shqipëri më të shtrenjta dhe më pak tërheqëse për të huajt.

📉 Çmimet po rriten, turistët po tkurren

Strukturat hoteliere, restorantet dhe shërbimet turistike kanë rritur tarifat vit pas viti, por pa rritur njëkohësisht cilësinë në shërbim. Kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë turistë të huaj – sidomos italianë – të rishikojnë zgjedhjet e tyre dhe të kthejnë sytë drejt destinacioneve të tjera si Puglia, Greqia apo Kroacia, të cilat vazhdojnë të ofrojnë një turizëm të qëndrueshëm e të konsoliduar, me një raport të mirë çmim–shërbim.

💶 Efekti i zhvlerësimit të euros: Shqipëria më e shtrenjtë për çdo të huaj

Nëse çmimet e shërbimeve në lek, në 6 vitet e fundit, janë rritur nga 40 deri në 100%, zhvlerësimi i euros ka dhënë goditjen tjetër. Praktikisht, nga janari i vitit 2018, euro është zhvlerësuar në raport me lekun me mbi 36 pikë, duke bërë që një turist i huaj të marrë 27% më pak në këmbim të monedhës evropiane dhe për rrjedhojë, të përballet me çmime realisht 27% më të larta.

👉 Shembull konkret: Si ka evoluar kursi i këmbimit të euros në raport me lekun nga janari 2018 deri më sot?

📊 Tabela: Zhvlerësimi i euros ndaj lekut (2018–2025)

VitiVlera për 100 €Humbje në lekHumbje në %
2018 (janar)13,300 lekë
201912,350 lekë-950-7.1%
202012,370 lekë-930-7.0%
202112,280 lekë-1,020-7.7%
202211,930 lekë-1,370-10.3%
202311,020 lekë-2,280-17.1%
202410,070 lekë-3,230-24.3%
2025 (korrik)9,700 lekë-3,600-27.1%


📊 Grafik ilustrues: Zhvlerësimi i euros ndaj lekut (2018–2025)

🧑‍🍳 Emigracioni dhe mungesa e stafit: një kosto tjetër që ka ndikuar në rritjen e çmimeve

Një tjetër faktor vendimtar në rritjen e çmimeve është tkurrja e krahut të punës në turizëm dhe gastronomi si pasojë e fluksit të madh të emigracionit. Shumë të rinj shqiptarë kanë emigruar vitet e fundit, duke krijuar një mungesë akute të stafit në sektorë kritikë si hoteleri dhe restorante. Si rrjedhojë, pronarët janë të detyruar të ofrojnë paga shumë më të larta – në disa zona, deri në 100% më shumë se 6 vite më parë. Kjo kosto operative është reflektuar nga operatorët në çmimet për turistët, por pa përmirësuar në të njëjtën shkallë cilësinë e shërbimeve. Si pasojë, kjo gjë, me të drejtë, nuk “përtypet” mirë nga turistët, të cilët po zgjedhin destinacione të tjera si Greqia dhe Puglia.

💸 Kursi i këmbimit “sipas qejfit” – një abuzim i heshtur në mes të ditës

Sikur të mos mjaftonte rënia zyrtare e euros, turistët abuzohen më tej nga vetë subjektet tregtare: hotele, bare, supermarkete, restorante – jo vetëm në zonat turistike por edhe në mes të Tiranës. Shumë prej tyre vendosin kursin e këmbimit si t’u teket, pa iu referuar fare kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.

🧾 Shembull real, testuar më 19 korrik 2025: Pagova me euro cash në tre biznese të ndryshme në jug të vendit (supermarket, beach bar, plazh privat). Në të tre rastet, euroja u konvertua me kurs 94–95 lekë, ndërkohë që kursi zyrtar ishte 97 lekë.

➡️ Për çdo 100 €, një turist humb deri në 300 lekë të tjera. Kjo për mua është vjedhje e pastër, në mes të ditës.

Ku janë institucionet?

Si ka mundësi që kjo gjë nuk vihet re nga askush – mbi të gjitha nga ata që duhet të monitorojnë dhe i paguajmë me taksat tona? Si është e mundur që turisti abuzohet ditën për diell dhe të gjithë flenë gjumë?

Kaq e thjeshtë; mjaft të thuhet: “Çdo subjekt që pranon pagesa në valutë është i detyruar të zbatojë kursin zyrtar të Bankës së Shqipërisë – përndryshe ndëshkohet.”

SI PËRFUNDIM

Shqipëria nuk është më e lirë për të huajt – është bërë më e shtrenjtë dhe shpesh edhe më e padrejtë. Zhvlerësimi i euros dhe abuzimi me kursin në treg dëmtojnë drejtpërdrejt imazhin turistik të vendit. Heshtja institucionale është problemi më i madh – më shumë se vetë zhvlerësimi apo inflacioni. Nëse nuk ndërhyjmë tani, rënia e turizmit nuk do të jetë e përkohshme. Do të jetë e pandalshme.

Postime të ngjashme
AktualitetLajmi i ditës

Imazhi i Shqipërisë është pronë e të gjithëve – dhe askush s’ka të drejtë ta përdhosë

6 Min lexim
Nga Dritan Gremi Ka një kufi që nuk guxon të kalohet – e ai është dinjiteti i kombit. Imazhi i Shqipërisë është…
AktualitetHistori dhe njerëzSociale

Të Rinjtë që Nuk Largohen nga Shqipëria

1 Min lexim
Në qendër të këtij takimi janë historitë e katër të rinjve shqiptarë, Emersonit, Edës, Roselës dhe Lorencit, janë bërë simbol i shpresës…
Aktualitet

Fati i jetimëve në Shqipëri! Luli, Moza dhe Sabaili, tre histori të ndryshme të lidhura në një nyjë

1 Min lexim
Tre histori sa prekëse aq edhe inkurajuese. Të ndryshme, por të lidhura nga e njëjta nyje.Moza, një nënë që rrit e vetme…

Lascia un commento