Arrestimi i ish-kreut të forcës Operacionale Oltion Bistri së bashku me prokurorin Xhevahir Lita ka hapur një kapitull të ri të luftës së drejtësisë me krimin dhe pikërisht atë të lidhjeve të njerëzve të veshur në pushtet me personat e inkriminuar.
Ajo çfarë dukej pjesa më tronditëse në dosjen ndaj ish –shefit Bistri është fakti se sipas detajeve të bëra publike në media dhe sipas dosjes së SPAK, atij i janë zbuluar komunikime me Ervis Martinajn, duke i dhënë informacione edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij, gjë që shpjegon se përse Martinaj nuk ra kurrë në duart e policisë.
Edhe pse në fakt vazhdimisht është folur për lidhje të forta të Martinajt në Policinë e Shtetit e aq më tepër për një listë të personave të paguar prej tij brenda radhëve të uniformave blu, kjo është hera e parë që një funksionar i një niveli kaq të lartë vërtetohet të ketë patur komunikime me të shumëkërkuarin Martinaj.
Kujtojmë se nga radhët e forcave operacionale kishim një vitë më parë një tjetër të arrestuar, pikërisht ish-oficerin Jeton Lami i cili e kishte shoqëruar Ervis Martinaj pikërisht në natën e zhdukjes së tij.
I dënuar aktualisht me 2 vite e 10 muaj burg për shpërdorim detyre, Jeton Lami duket se nuk ka dhënë informacione tek drejtësia, për bashkëpunëtorë të tjerë të Martinajt brenda policisë. Të paktën në dukje dhe publikisht.
Por nëse kthehemi pas në kohë, pikërisht në momentin e arrestimit të Jeton Lamit më 21 korrik 2022, kujtojmë se ky i fundit ka patur një takim të gjatë dhe vetëm për vetëm, me kreun e policisë së asaj kohe Gledis Nano.
Lajmi u bë mediatik, ndërkohë që asnjëherë nuk u mësua se çfarë bisedoi Lami me Gledis Nanon.
Por teksa i referohemi detajeve të SPAK nga dosja ndaj Bistrit, kujtojmë gjithashtu se kjo nuk është hera e parë kur flitet për dekonspirim operacionesh.
A ka rrëfyer Jeton Lami para Gledis Nanos pikërisht “tradhtarët” brenda policisë? A i ka raportuar ai policët e inkriminuar me të cilët bashkëpunonte në mbështetje të Ervis Martinajt? Mbetet pikëpyetje, aq sa mbeti pikëpyetje publikishit edhe vetë arsyeja e shkarkimit të Nanos, jo më shumë por vetëm 6 ditë pas takimit me Jeton Lamin, pikërisht më 29 gusht 2022.
Në fakt që në atë kohë u fol se Lami i kishte dhënë Nanos konkretisht emrat e policëve të inkriminuar dhe ky i fundit i kishte raportuar tek eprorët e tij duke kërkuar largimin e tyre. Përgjigja? Shkarkimi i Nanos. Sot, 1 vit më pas, ngjarjet rrjedhin në mënyrë të tillë, që e bëjnë edhe më të besueshëm këtë skenar, pavarësisht se Nano nuk ka folur kurrë mbi të.
Nga ana tjetër, burime për “My Albania” konfirmojnë se në kohën e Gledis Nanos, policia ndërmori disa operacione për kapjen e Ervis Martinaj. Të gjitha dështuan, madjen në njërin prej tyre Martinaj shpëtoi në 30 minutat e fundit.
Po të kthehemi sërish pas në kohë, në një intervistë të dhënë për televizionin francez M6, në programin “Enquete exclusive”, Nano kishte folur pikërisht për këtë fenomen.
Intervista ishte regjistruar gjatë verës, por u transmetua në shtator kur Nano nuk ishte me në krye të policisë së Shtetit. Ai , shprehimisht pohonte: “Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale. Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …..Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”.
Me këtë deklaratë, Geldis Nano i referohej në fakt pikërisht operacionit të SPAK me 32 fletë arreste ku gjendeshin edhe emrat e Ervis Martinaj, Suel Çelës, Kamer Mehjas, Talo Çelës dhe Fatos Gogos, por ku u ekzekutuan verëm 14 urdhra, sepse të tjerët nuk u gjetën.
Ndërkohë, duket se atë që nuk e arriti dot Gledis Nano apo që ndoshta nuk deshën ta arrinin eprorët e tij, po e bën tashmë SPAK, si një institucion që ka kthyer tek qytetarët besimin dhe shpresën se lidhjet mes krimit, politikës, biznesit e së fundi edhe të medias, ka ardhur koha të priten.