Prej disa ditësh Policia e Shtetit është sulur në terren për të bllokuar lokalet që vendosin muzikë me zë të lartë. Sipas njoftimit zyrtar, aksioni është shtrirë në disa lokale në Vlorë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan, ndërkohë që administratorët e këtyre bizneseve janë proceduar penalisht.
Për më tepër, autoritetet kanë shkuar edhe më tej, duke sekuestruar pajisjet që gjenerojnë muzikë në lokale, pra bokse, kompjuter etj, si të ishin “armë” krimi.
Në fakt, në parim çdo qytetar është kundër ndotjes akustike, pasi askush nuk do që ngjitur me banesën e tij të ketë një lokal me muzikë me zë të lartë.
Për këtë arsye është dhe ligji i cili mban nën kotroll këto lokale në zonat e banuara. Por, sa dhe si zbatohet ky ligj?
Nëse lokalet akuzohen për shkelje të ligjit, po autoritetet sa e kanë zbatuar ligjin kur kanë shkuar dhe kanë bllokuar pas asnjë udhëzim të mëparshëm bizneset e qytetarëve. Dhe përse pikërisht tani?
Kujtojmë se më 13 prill të këtij viti, vet ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro deklaroi para Kryeministrisë se Këshilli i Ministrave kishte miratuar amendimet në ligjin për vlerësimin e zhurmave. Madje, sipas ministres, para se policia të shkonte t’i mbyllte derën biznesit, zhurma duhet të matej me pajisje të certifikuara nga OBSH.
Krejt e kundërta ka ndodhur. Sipas rasteve të denoncuara në “My Albania”, policia jo vetëm që nuk ka bërë matje të ndotjes akustike me mjetet e certifikuara nga OBSH që thotë Kumbaro, por as nuk ka dhënë asnjë paralajmërim që administratorët e lokaleve të merrnin masa paraprake.
Për derisa nuk kanë përdorur mjetet për ndotjen akustike, si e kuptoi Policia e Shtetit se zëri ishte më i lartë nga sa lejohet në zona të caktuara? Nuk besoj se kemi policë me aq vesh të mirë muzikor sa të arrijë të dallojë edhe valën e zërit. Ky është injorim total i ligjit nga Policia e Shtetit.
Në njoftimin e Policisë nuk pamë në asnjë pamje nga momenti kur patrulla e policisë bën kontrollet rutinë. Nuk ka, sepse policia shkon vetëm për të bllokuar lokalin pas një telefonate që mund të kenë marrë nga një qytetar anonim. Por, a është rruga e duhur bllokimi i biznesit vetëm me një telefonatë të dikujt, pa bërë minimalisht procedurat e matjes së ndotjes akustike që të detyron ligji?
Ministrja në muajin prill tha gjithashtu se Bashkia do të bëjë hartëzimin e territorit për të vendosur se ku lejohet dhe ku jo zëri i lartë i muzikës. A është bërë ky hartëzim nga bashkia? Nëse po, pse nuk janë vënë në dijeni administratorët e bizneseve, në mënyrë që të mbajnë muzikën nën kontroll? A është ky një tjetër marifet për të shtuar numrin e gjobave? Nëse lokalet janë bllokuar pa u zbatuar procedura ligjore, kush do të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar?
”Fashat orare për sezonin e verës, për aktivitetet muzikore normale të përditshme do të jenë nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës dhe në përputhjen me hartëzimin e bërë nga bashkia dhe policia e shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma. Jemi përpjekur që të parashikojmë edhe hapësirat për jetën e natës edhe për festat e ndryshme“, tha në atë kohë Kumbaro.
Por ne mësojmë se aksioni i policisë është shtrirë edhe brenda kësaj fashe orare, duke vepruar në arbitraritet.
Biznesi në Shqipëri ka mijëra peripeci që i vinë vetëm nga mos zbatimi i ligjit. Para se autoritetet të shkojnë të bllokojnë bizneset, le t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Biznesin mbajeni në kontroll me ligje të shtetit dhe jo me bindje personale të drejtorëve në polici apo dhe vetë ministrave përkatës.
Kujtojmë se në fakt, edhe në njoftimin e policisë nuk bëhet aspak e ditur se cila ka qenë shkelja e kryer dhe në çfarë nivelesh ka qenë ajo. Si dhe me çfarë u mat shkelja, që u finalizua sikurse njoftoi policia me të paktën 10 procedime penale të iniciuara nga shqetësimet vetë qytetarëve që u konkretizuan në kontrolle të befasishme.
Çfarë do të ndodhte ndërkohë, nëse ata që janë prekur nga ky aksion do procedonin duke paditur në gjykatë Policinë e Shtetit? A janë të sigurt që nuk kanë shkelur ligjin apo kanë tejkaluar kompetenca?
Nëse autoritetet ende nuk e kanë të qartë ligjin, u bëjmë thirrje institucioneve t’ua vënë në dispozicion. Tek e fundit, kujt i shërben mbyllja e muzikës së lokaleve, në kulmin e sezonit veror?