Politics

“Alma” fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min read

Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për demokracinë. Edhe një herë ai zyrtarizoi zërat se vendit i mungon opozita, ndërkohë që në Kukësin e pas skandalit seksual të Safet Gjicit, askush nuk i priste 5500 vota diferencë. Kjo diferencë është në fakt më shumë se 2 fishi i diferencës që Safet Gjici kishte patur me Admir Sinamatin në zgjedhjet e 14 Majit. Në kohën kur skandali seksual brenda zyrës së bashkisë, publikuar me zë e figurë,  do duhej të rrëzonte “nga froni” socialistët në Kukës, (në mos të gjithë qeverinë siç mund të ndodhte në çdo vend tjetër) përkundrazi ndodhi krejt  e kundërta: PS shtoi vota. Përtej  çudisë, paradoksit, apo influencës së partisë në pushtet për të siguruar këtë rezultat, është e qartë se në fakt diferenca prej 5 mijë votash flet për dështimin, në mos vdekjen e plotë të opozitës. E pikërisht kjo e fundit është shqetësuese për një vend që aplikon dhe trumbeton demokracinë. Edhe pse PD e Bashës vendosi të mos përfshihej në garë, duket se kaq nuk mjaftoi për të maksimalizuar votën dhe për të ndryshuar qeverisjen vendore të Kukësit. Kaq nuk mjaftoi as për të dhënë një sinjal reflektimi ndaj videos erotike të Safet Gjicit. Më shumë se sa dështim, mosorganizim apo përçarje, opozita e zgjedhjeve të Kukësit, na konfirmoi se është tërësisht e blerë. Sjelljet e kohëve të fundit të japin përshtypjen se në fakt, më shumë se sa një ushtri e shpartalluar luftrash, opozita e sotme është një ushtri gjeneralësh dembelë, të cilët e kanë mbyllur karrierën e përballjeve dhe tashmë të mbajtur fort pas gradave të së shkuarës, qëllimin e tyre të vetëm kanë ruajtjen e pozicionit dhe statusit të dhuruar nga “lavdia” e dikurshme. E ëvrteta është se opozitës së Lulit, po aq sa edhe asaj të Berishës, nuk i intereson pushteti. Nuk i intereson gara dhe as qeverisja.  Të duket se ndjehen komodë në rolet që kanë zgjedhur të luajnë, mes retorikave boshe dhe akuzave të ndërsjellta, por pa e prishur zonën e tyre të rehatisë për të kryer detyrën që një opozitë duhet të kryejë në një vend demokratik. E gjithë kjo, në të vërtetë nuk bën asgjë tjetër veçse shton bindjen se më shumë se sa e vdekur, opozita jonë është e blerë. Diku me një foto për takimet mes Bashës e Ballës dhe diku tjetër një zë për pakte të heshtura të Berishës me ministra e zyrtarë, duket se sjellja e opozitës nuk bën tjetër veçse konfirmon atë që thuhet nën zë. Në këmbim të favoreve, lejeve të ndërtimit apo ndoshta dhe frikës ndaj SPAK, opozita e Bashës, Berishës dhe Metës është në fakt jo thjesht dhe vetëm e paaftë për të fitur zgjedhje, por e pazë për të denoncuar problemet dhe skandalet. E ndërsa në duart e opozitës ka mbetur si “derri maç” vetëm çështja e inceneratorëve, duket se e vetmja opozitë e vërtetë që I ka mbetur vendit është SPAK. Është SPAK ai që i detyron ministrat t’i druhen korrupsionit, është SPAK ai që e detyron Kryeministrin të ndryshojë qeveritë, është SPAK ai nga ku qytetarët presin të njohin të korruptuarit e të shohin ndëshkimin e tyre. Është SPAK që po i bën opozitë krimit, mafias dhe korrupsionit, që nga sa shihet i ka shtrirë tentakulat edhe tek politika, media, biznesi e madje edhe tek vetë opozita.

Similar posts
Politics

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min read
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politics

Rama në “tango” me SPAK

4 Min read
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…
Politics

Kontradiktat e dosjes së sterilizimit

2 Min read
Dosja hetimore e sterilizimit zbulon lidhje të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë me pronarët e kompanisë koncesionare. Hetimet vërtetojnë se njohje me ta kishte…

Leave e Reply

×
Daily news

Kadastra/Çfarë ka ndodhur dhe si zgjidhet?!