ActualityDaily news

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min read

Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar

Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek drejtësia dhe e drejta, asnjëherë nuk kisha menduar që do të kthehesha në një “viktimë” të padrejtësisë. Por që kurrsesi nuk do të lejoj askënd, aq më tepër këtë sistem të kalbur nga korrupsioni, që të më trajtojë si viktimë apo të më bëjë pjesë të tij.

Historia më poshtë është sa paradoksale aq edhe e rëndomtë. Paradoksale në kushtet e një vendi që “pretendon” se po bën drejtësi dhe e rëndomtë mbase për shumë biznesmenë të ndershëm, që në jetën e tyre janë përballur më shumë se një herë me çibanët e korruptuar e të korruptueshëm të një sistemi, që tashmë duket i kalbur që në rrënjë.

*
Kur në verën e këtij viti, teksa ndodhesha jashtë vendit me një mikun tim të mirë që sot nuk jeton më, më njoftojnë se tatimet kishin shkuar për kontroll në subjektet që unë posedoj. Gjithashtu punonjësja ime më bënte me dije se kishte patur një debat të ashpër me njërin prej tyre (me të fortin e tatimeve me demek), pasi ky i fundit me prepotencë kishte tejkaluar kompetencat, ndërsa ajo i kishte treguar vendin, duke i parashtruar të drejtat që i jepte ligji në bazë të urdhërit të punës me të cilin kishin ardhur.

Pas kësaj, i “forti” kërkon të bisedojë me mua, e duke u ankuar për vajzën më fton ta zgjidhim bashkë, se me të nuk kuptohej dot.
Dhe unë ia jap një zgjidhje, atë që i jap gjithmonë, por me sa duket nuk i pëlqeu dhe rrudhi buzët.

Me pak fjalë, i përgjigjem që punonjësja ka të drejtë dhe “shumë mire jua ka bërë”, Ne respektojmë punën tuaj por në të njëjtën kohë ju do respektoni të drejtat tona, të cilat nuk na i jepni ju, por ligji.

I rikujtoj gjithashtu se ambjenti është i pajisur me kamera dhe se për çdo shkelje dhe tejkalim kompetencash që do bënin do t’i procedoja në prokurori. I ftoj të rrinë në një nga ambjentet e biznesit pasi punoj me të huaj e nuk dëshiroja të krijoja pengesë në procesin e punës, ndërkohë që i bëra të qartë se do ju vija në dispozicion gjithçka që nevojitej. I prekur më pyet nëse po i bëja presion.

-Jo, i përgjigjem.

Ky është këndvështrimi im mbi shtetin e së drejtës, ligjin dhe këdo tjetër, pa dallim, duke filluar nga ai, tek ata që qëndrojnë mbi të dhe më lart akoma.

I rikujtoj gjithashtu, që në fund të ditës pagën e siguron përmes taksave të mia dhe të shumë sipërmarrësve të tjerë të ndershëm, që si unë apo shumë më tepër, kontribuojnë në këtë vend. Ky është shteti për të cilin unë punoj dhe paguaj taksa.

Me sa duket kjo qasje nuk ju pëlqeu dhe u hakmorën, proceduan në mënyrë krejtësisht të padrejtë me gjobë.

Për të qenë të më të qartë. Prej vitesh Gremi ushtron aktivitetin si sktrukturë e turizimit dentar në vend, me 2 biznese të regjistruara në 2 Nipte të ndryshme, por të dyja në posedimin e Dritan Gremit. Është fjala për një klinikë dentare dhe një laborator dentar ku kryhet cikli i plotë i implanteve dentare, që nga kirurgjitë e deri tek protetika. 

Duke qenë se procesi i punës në të dyja bizneset krijon një lidhje zinxhir që kërkon marrëdhënie të ndërsjella, shpesh është e nevojshme që punonjës të njërës strukturë të bashkëpunojnë me punonjësit e strukturës tjetër në procese të ndjekjes së allçisë apo protetikës.

Duke e ditur dhe parashikuar këtë pjesë, që në fillim të ngritjes së klinikës dhe laboratorit është përpiluar edhe një akt noterial që rregullon dhe deklaron këtë marrëdhënie. Pra është parashikuar nga ana jonë ky raport mes punonjësve dhe për këtë arsye kemi përpiluar dhe aktin noterial çka parashikon që kjo është një marrëdhënie e ligjshme.  

Dua gjithashtu të sjell në vëmendje se çdo punonjës në strukturat e mia është i deklaruar dhe siguruar.

Por gjatë kontrollit të sipërpërmendur, “çibanët” tatimorë nuk e morën në konsideratë këtë dokument, duke e konsideruar shkelje, praninë e mjekut të klinikës në strukturat e laboratorit dhe laborantëve në ambjentet e klinikës, e përsëris, të gjithë të deklaruar. Nga ana tjetër, kujtoj se me të njëjtin dokument dhe të njëjtat kushte, një tjetër kontroll i mëparshëm i kryer nga një tjetër institucion shtetëror, ZYRA E PUNËS, e konsideroi komplet të ligjshme dhe të drejtë këtë situatë. Por jo tatimet.

Ata e gjetën mekanizmin e hakmarrjes së tyre tek një gjobë prej 800 mijë lekësh të reja.

Ky është vetëm fillimi i paradoksit, por jo fundi i tij.

Me avokatët dhe zyrën juridike vendosëm ta dërgojmë këtë gjobë në apelin e tatimeve, por nuk pranohet.

Më pas e çojmë në gjykatën administrative, por edhe kjo e fundit vendosi rrëzimin e padisë duke krijuar një precedent të frikshëm në funksionimin e shtetit ligjor, ose më mirë akoma duke detyruar biznesin që “t’i bindet” maskarenjve dhe të gjejnë “rrugë e zgjidhje” me ta. Sepse kështu të bie më lirë, të merr më pak kohë e natyrisht nuk të duhet të endesh dyerve të institucioneve. Por ky nuk është rasti im. Sepse beteja ime sapo ka nisur, ndërkohë që është e pamundur që pas kësaj historie të mos më vijnë shumë pikëpyetje.

Si mundet që apeli i tatimeve që është organ i vetë institucionit të mos shohë një shkelje kaq flagrante? Apo duhej gjetur “rruga e duhur” edhe atje?

Si është e mundur që një qytetar i këtij vendi të mos ketë të drejtën për të kërkuar drejtësi? Të mos ketë mundësi të apelojë në gjykatën e apelit administrativ një çështje për të cilën ai mendon se i është shkelur e drejta në mënyrë arbitrare?

Si mundet që në një vend si yni, me ekonomi dhe drejtësi të brishtë, biznesi të sulmohet në këtë mënyrë e në anën tjetër të privohet nga mundësia për të kërkuar të drejtën përmes sistemit gjyqësor?

E gjithë kjo në favor të kujt? Në favor të tatimorëve çibanë e gjobvënës që nuk shkojnë në punë, por shkojnë në punë për të bërë ndonjë punë.

Që nuk shkojnë në punë për të luftuar informalitetin, por e gjurmojnë atë që  shkeljet t’i mbyllin me “kafe” për xhepat e tyre.

Dhe së fundmi, “gringot” nuk shkojnë në punë për të marrë lekët e rrogës në fund të muajit, por për të bërë ndonjë lek dita- ditës, sapo t’i jepet mundësia. E nuk ka argument tjetër në fakt që të justifikojë “luftën” e madhe të militantëve të partisë për të kapur punë e detyra nëpër zyrat e shtetit.

Nuk do kishte justifikim tjetër militantizmi partiak në zyrat e shtetit, kur rrogat në privat janë shumë më të larta. E për sa kohë kjo filozofi të mbizotërojë brenda zyrave ata që “paguajnë” jemi ne jashtë zyrave.

 Ky vend duhet të ndyshojë e do ndryshojë vetëm atëherë, kur të kuptojmë që në fund të ditës janë pikërisht taksat e bizneseve që paguajnë për rrogat e gjithë administratës e bashkë me ta edhe të këtyre punonjësve tatimorë që mision të tyre nuk kanë punën dhe shtetin e së drejtës, por gjobvënien.

I siguroj që nuk e kam aspak në plan të dorëzohem, nuk do e paguaj  KURRË një gjobë të padrejtë. E imja është mosbindje civile!

Do të vazhdoj të luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të qelbur të cilit dalëngadalë po i vjen fundi.

Gjithashtu, ftoj të gjithë biznesmenët e ndershëm të reagojnë dhe të mos frikësohen nga askush. Rezistoni deri në mosbindje civile ndaj çibanëve gjobvënës të veshur me petkun e shtetit. Ne nuk mund dhe nuk duhet të paguajmë për padrejtësinë, për të mbajtur në këmbë e në punë njerëz që qëllim të vetëm kanë korrupsionin.

Së fundmi, atyre që më gjobitën me të padrejtë iu them që sistemit tuaj po i vjen fundi. E dini dhe ju shumë mirë këtë gjë.

Bashkë do rishihemi në gjykatë, nuk do ju ndahem deri sa të kem marrë të drejtën time dhe ju të keni paguar deri në një.

Ndërsa parlamentit i them të rishohë sa më shpejt nenin 45 të ligjit nr 49 për gjykatat administrative, pasi dëmton sipërmarrësit dhe lë shteg për abuzime. Nuk mbushet arka e shtetit duke grabitur bizneset me gjoba, por duke luftuar informalitetin dhe duke vjelë taksa. Gjithmonë nëse duam të bëjmë shtet.

Kam dy fjalë edhe për gjykatësen që mori vendimin, meqënëse edhe rroga e saj paguhet nga taksat e mia dhe nuk jam nga ata që thonë se nuk komentojnë vendimet e gjykatave.

Nuk po ia përmend emrin, jo për frikë, po për arsye etike. Meqenëse dhe paga juaj paguhet nga taksat e mia e të shumë biznesmenëve të tjerë, me vendimin që dhatë ngritët një precedent të rrezikshëm duke çuar biznesin në krahët e shtetarëve të korruptuar, pra duke i detyruar t’i nënshtrohen ligjeve të tyre, që nuk janë ligjet e shtetit, por ligjet e palaçove.

Në fund të ditës duhet të kuptoni me kë jeni dhe kë mbroni, pasi me vendimet që merrni keni në dorë ekuilibrat e një shoqërie të tërë.

Gjithsesi, unë atë gjobë nuk do ta paguaj KURRË!

Similar posts
ActualityDaily news

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min read
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
Actuality

Nga AFP tek Le Figaro, Gremi Clinic në faqet e mediave të rëndësishme franceze, Dritan Gremi: Preferoj të flas për turizmin e lumturisë 

4 Min read
Agjencia prestigjioze e lajmeve franceze AFP, më e madhja në botë, i ka kushtuar së fundi një material turizmit shëndetësor në Shqipëri,…
Actuality

Revista franceze për Linda Ramën: Ka fuqinë të bindë

6 Min read
Revista franceze “Soon” ka publikuar së fundi një intervistë me bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama. Është gazetari Mário de Castro, i cili…

Leave e Reply

×
Daily news

15 urdhër arreste brenda natës, kush është ushtari i penduar i bandës së Lushnjës