Economy

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min read

Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese të Kuvendit të Shqipërisë. Debatet në atë kohë ishin për disa kontrata partneritet publik-privat të ndërtimit të rrugëve, kur ai kërkoi fjalën për të dhënë pikëpamjet e tij duke e perifrazuar veten si “koncesionist”.

Gjatë periudhës që Beqja shërbeu si ministër shëndetësie u inciuan 4 kontrata koncesionare në dhënien e shërbimeve mjekësore me një vlerë totale prej 395 milion euro. Beqja ishte nismëtari i programit të Partisë Socialiste në opozitë për projektin e  shëndetësisë falas. Po a është falas shëndetësia sot apo ka qënë vetëm një truk që shërbimet mjekësore të kalonin te privati për të ushqyer interesa korruptive të disa zyrtarëve dhe të pasuronin brenda vitit disa kompani? A mund të kushtojnë 4 kontrata në shëndetësi që ofrojnë shërbime të dorës së dytë më shumë se kostot e gjithë sistemit? Le të shohim problemet dhe sa na ka kushtuar secila kontratë PPP.

1. Konçesioni/PPP Kontrolli bazë i popullsisë 35-70 vjeç (check up)

Kontrata koncesionare e Check Up me kompaninë 3P Life Logistic i kushton buxhetit të shtetit 8.2 milion euro në vit dhe kap një vlerë totale 82 milion euro për gjithë periudhën që do të zgjatë koncesioni. Kjo kontratë është e para e llojit partneritet publik-privat në sektorin e shëndetësisë e firmosur në 7 janar 2015, afati i saj përfundon pas 16 muajsh. Aksionerë në kompaninë koncesionare janë biznesmenja Vilma Nushi me 80% të aksioneve përmes kompanisë Marketing & Distribution dhe Trimed me 20% të aksioneve me pronarë Gentian Peshkatari, Endrit Hido dhe Shani Peposhi.

Fokusi i ofrimit të një shërbimi të tillë për popullsinë bazohej në uljen e numrit të sëmundjeve dhe zbulimin e hershëm të tyre me qëllim parandalimin. Pavarësisht objektit, sot nuk kemi asnjë të dhënë publike se si ka ndikuar ky shërbim në uljen e numrit të sëmundjeve të popullatës të grupmoshës 35-70 vjeç që e përfiton atë, apo sa para i ka kursyer sistemit shëndetësor parandalimi i tyre.

Kontrolli bazë ofrohet njëherë në vit pa pagesë për 475.000 persona të moshës 35-70 vjeç. Deri në vitin 2018 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar se shërbimin e kanë marrë vetëm 60% e përfituesve për shkak të interesit të ulët për të kryer këto analiza. KLSH ka zbuluar se janë afërsisht 140 mijë individë në vit që nuk e kanë marrë fare shërbimin, por buxheti i shtetit ka vijuar pagesat për kompaninë koncesionare për numrin e plotë të parashikuar në kontratë 475 mijë. Këto pagesa për shërbime të pakryera kanë kushtuar me 8 milion euro për periudhën 2025-2018. Në vitin 2019 është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë një shifër përfituesish në rritje (482.716) që ka tejkaluar dhe numrin e vendosur në kontratë. Në disa muaj të vitit 2020 dhe 2021 shërbimi Check Up është pezulluar përkohësisht për shkak të pandemisë dhe ka rinisur të ofrohet me kapacitet të plotë vitin 2022 dhe 2023. Për këto vite mungojnë të dhënat publike të përfituesve.  

2. Konçesioni/PPP (Ofrimi i setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimi i mbetjeve biologjike dhe dezinfektimi i sallave kirurgjikale)

Një prej kontratave më të shtrenjta të koncesioneve në shëndetësi është sterilizimi, marrëveshje që do t’i kushtojë shtetit shqiptar 120 milion euro në 10 vjet, por gjasat janë që kjo vlerë të kalohet me disa million euro. Sterilizimi i seteve kirurgjikale është një nga kontratat që ka dalë jashtë parashikimeve të fluksit të numrit të pajisjeve të sterilizuara që i ofrohen shërbimit spitalor në vend. Ndër vite janë raportuar numër më i lartë operacionesh, çka e ka detyruar buxhetin e shtetit që të paguajë 9 milion euro më shumë në vitin 2019, 800 mijë euro më shumë gjatë vitit 2020, 3 milion euro më shumë në vitin 2021 dhe 5 milion euro më shumë për vitin 2022.

Kjo kontratë është firmosur në 5 dhjetor të vitit 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania Sani Service në pronësi të kompanive italiane Servizi Italia me 30% të aksioneve, Tecnosanimed me 15%, U.Jet me 15% dhe shumica e kuotave zotërohet nga firma shqiptare Investital me 40% ku pronar është Ilir Rrapaj. Kontrata e sterilizimit përfundon në fund të vitit 2025.

Qëllimi i dhënies së këtij koncesioni ishte ofrimi i pajisjeve sterile që nevojiten për ndërhyrjet kirugjikale, por në bazë të një hetimi që ka bërë Prokuroria e Posaçme është zbuluar se kostot për setet e ofruara nga privati për shtetin shqiptar kanë qënë të fryra në interes të kompanive që ofrojnë shërbimin. Pikëpyetje të tjera që janë ngritur nga ekspertë të fushës së shëndetësisë është vënia në dispozicion të koncesionarit e qëndrës së sterilizimit, një investim tërësisht me paratë e buxhetit të shtetit dhe që mungonte vetëm trajimini i stafit si dhe kostot operacionale të sterilizimit të pajisjeve, çka do të kushtonte disa herë më lirë se çmimi që ofron privati.  

3. Konçesioni/PPP (Ofrimi i shërbimit të dializës në 5 spitale rajonale).

3 muaj pas nënshkrimit të kontratës për sterilizimin, Ministria e Shëndetësisë firmos në 10 shkurt 2016 një tjetër kontratë koncesionare, atë të dializës. Shërbimi i dializës mungonte në 5 spitalet rajonale të vendit (Shkodër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Vlorë) dhe shumë të sëmurë ishin të detyruar të vinin në kryeqytet për të marrë këtë shërbim. Kontrata siguron që shërbimi të ofrohet nga spitalet private dhe pagesën për këtë shërbim ta përballojë buxheti i shtetit.

Kontrata u nënshkrua fillimisht mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Diavita e cila zotërohej në 80% të aksioneve nga firma Evita dhe 20% nga American Hospital. Aksionet e të dy kompanive u shitën 100% në në fund të vitit 2019 te grupi Diaverium International AB.

Hemodializa është një kontratë që u planifikua t’i kushtonte buxhetit për 10 vjet të kohëzgjatjes së saj 78 milion euro, por kosto e reale që po paguan buxheti i shtetit është më e lartë çdo vit. Edhe në këtë kontratë, njësoj si në koncesionin e sterilizimit numri i përfituesve është gjithnjë e në rritje dhe nuk është parashikuar mbulimi me një çmim të ulët i rasteve shtesë. Kostot e larta dhe rigoroziteti për të mos dalë jashtë parashikimeve buxhetore ka vendosur shpesh nën presion bluzat e bardha që të shtyjnë shërbimin si për operacione në rastin e seteve të sterilizuara dhe në zvarritjen e shërbimit të dializës. Gjatë vitit të shkuar buxheti ka paguar 500 mijë euro më shumë se parashikimi, ndërsa për këtë vit planfikohet të paguhet në total 8.7 milion euro, 900 mijë më shumë se plani financiar i kontratës.

4. Ofrimi i Shërbimeve laboratorike spitalore

Kontrata e fundit e nisur nga Ilir Beqja si ministër, por e firmosur nën drejtimin e ministrisë nga Ogerta Manastirliu është ajo e partneriteti publik-privat për ofrimin e shërbimeve laboratorike. Investime të shtetit shqiptar, zyra, pajisje dhe trajnime të stafit do të shkonin tashmë në menaxhimin e një pale private. Kontrata u vonua në firmosje për shkak të disa kontestimeve që pati në vitin 2017 Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) në rolin e konsulentit të këtij procesi. Në një letër drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, IFC shprehej se kishte shqetësime për integritetin e një prej kompanive fituese të konsorciumit të përzgjedhur, por pa specifikuar emrin e saj dhe priste anullimin e garës. Pavarësisht këtij kontestimi koncesioni u firmos në 10 prill 2019 me të njëjtat kompani që ishin kualifikuar fituese.

Kompania shqiptare Labopharma në pronësi të Janis Karathano dhe Sokol Ramizi ka pjesën më të madhe të aksioneve në këtë koncesion, 41.7%.  33.3% zotërohen nga firma franceze Exalab, ndërsa 25% janë të regjistruara në emër të firmës offshore me bazë në Hollandë  “AB Laboratory Solutions”.

Kontrata e laboratorëve është më e shtrenjta sa i takon vlerës totale të firmosur për koncesionet në shëndetësi dhe kap shifrën 130 milion euro. Në vitin 2021 buxheti ka dhënë 12 milion euro për këtë shërbim, ndërsa në vitin 2022 janë dhënë 15 milion euro, 2 milion më shumë se plani i kontratës koncesionare. Kohëzgjatja e koncesionit të laboratorëve është 10 vjet dhe përfundon në vitin 2030.

Similar posts
Economy

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min read
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Economy

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min read
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…
Economy

Kush i rrëzoi valutat?

3 Min read
Prej disa muajsh monedha vendase ka nisur një forcim konstant ndaj valutave në tregun e brendshëm. Leku sot këmbëhet me 103.62 euro,…

Leave e Reply

×
Politics

Vjeshta e nxehtë e ndryshimeve politike dhe SPAK, çfarë do vijë më pas?