Daily news

Zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja e vetme për ndarjen nga e shkuara dhe një fillim të ri

4 Min read

Jashtë politikës dhe institucioneve të gjithë “Ahmetajt” e dosjeve të prokurorise dhe Spak!

Detajet e dosjes hetimore ndaj ish- Zv.Kryeministrit Arben Ahmetaj janë bërë tashmë publike dhe janë shpërndarë në media.
E ndërsa vetë Ahmetaj ka lënë pas pikëpyetjet mbi vendodhjen apo hapat që do të kryejë pasi kuvendi vendosi për arrestimin e tij, nga ana tjetër mesazhe apo dokumenta të sekuestruara tashmë nga Prokuroria e Posaçme përfshijnë emra të tjerë politikanësh dhe funksionarësh publikë.
Ish-kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqo, Zv.Kryetarja e Kuvendit Felaj apo ish-ministri Damian Gjiknuri bëjnë pjesë në emrat tashmë publikë që përflitet se kanë patur një rol në aferën e inceneratorëve.
Është ende e paqartë nëse prokuroria do të nisë hetim ndaj emrave të tjerë të përmendur në këtë dosje, ashtu sikurse nuk dihet nëse Ahmetaj do të kthehet për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.
Por është e qartë edhe nga debatet e fundit të zhvilluara në kuvend, se kjo dosje e ka futur politikën shqiptare në një ngërç, që mundet gjithashtu të jetë edhe fillimi i një faze të re të saj.
Me ish-ministrin Koka dhe ish-deputetin Bllako tashmë në burg, me Ahmetajn që mban mbi shpinë një “urdhër arrest”, me akuzat e opozitës për emra të lartë të qeverisë të përfshirë në këtë aferë, duket se qeverisja Rama nevojë të konfirmojë qëndrimin e saj në pushtet e mbi të gjitha pastërtinë e saj.
A ishte Ahmetaj i vetmi politikan i përfshirë dhe përfitues i kësaj afere, apo emra të tjerë të veshur me mandat duhet t’i dorëzohen drejtësisë?
Duket se momenti për të pastruar politikën shqiptare dhe për të vërtetuar akuzat e ngritura në kohë, tashmë ka mbërritur.
Cila do të ishte zgjidhja, që SPAK të jetë i lirë të kryejë aktivitetin e tij dhe që qytetarët të kenë mundësinë e besimit tek ky institucion dhe tek politika?
A është Edi Rama, sot kryeministër, i gatshëm të kërkojë një besim tjetër tek qytetarët dhe a është gati politika shqiptare në të dy polet të vendoset përballë kësaj sprove?
Zgjedhjet e reja do të ishin përgjigje për gjithë situatën e krijuar. Një përgjegjësi politike për të gjithë faktorët dhe aktorët.
Si?
Duke i dhënë kohë deri në vjeshtë, apo në fillim të dimrit të gjitha partive të përgatiten për garën e re. Por, drejtuesit politikë të të gjitha forcave duhet të marrin përsipër përgjegjësinë e pastrimit të listave dhe të lënë jashtë tyre çdo emër të përfolur, të akuzuar apo të dyshuar për përfshirje në afera korruptive dhe kriminale.
Dhe jo vetëm kaq. Kushdo që ka dosje të hapur nuk duhet as të kandidojë dhe as të jetë pjesë në institucionet shtetërore, derisa pozicioni përkatës të jetë sqaruar përballë drejtësisë.
E kur themi kushdo kemi parasysh të dy kahet politike, kemi parasysh emrat dhe dosjet që tashmë SPAK ka në dorë e ku përfliten jo pak zyrtarë të lartë. Kujtojmë hetimin për çështjen ÇEZ – DIA, hetimi për Gërdecin, hetimin për 21 Janarin, hetimin për Uniformat e Ministrisë së Brendshme apo Check-Up-in. Në të gjitha këto dosje ka emra zyrtarësh të lartë të përfshirë e të thirrur nga SPAK. Sigurisht ndaj tyre ende nuk ka një hetim apo akuzë që i bën fajtorë, por ende nuk ka as një zbardhje dhe gjykim të çështjes që i nxjerr të pastër.
Me të drejtë shumë njerëz mund të mendojnë që deri në momentin që dikujt nuk i është njohur fajësia nga gjykatat, nuk ka përse të shpallet fajtor. E natyrisht askush nuk po i deklaron të tillë. Por në kushtet kur qytetarët presin drejtësi, kur u ka humbur besimi tek politika është më mirë që ata, të cilët përmenden apo përfshihen në çështje në hetim, të bëjnë një hap pas. Ne nuk kemi kohë të presim, nuk është e drejtë t’i shohim të veshur në imunitet dhe nuk kemi asnjë taksirat t’i mbajmë këta politikanë mbi shpinë, deri sa ata të kenë sqaruar pozicionin e tyre përpara drejtësisë. Vendimet e gjykatave do të jenë ato që japin verdiktin. Nëse dalin të pastër le të kthehen sërish në politikë e të garojnë me kokën lart, në të kundërt të vazhdojnë jetën e tyre jashtë dyerve të politikës dhe larg përgjegjësive të administratës publike.
A janë të gatshëm dhe të aftë drejtuesit e partive politike ta ndërmarrin këtë hap? Të zhveshin nga forca dhe mandati çdo burrë apo grua të këtij vendi, që deri më sot ka përfituar nga petku politik dhe forca që i kanë dhënë qytetarët shqiptarë përmes votës?
A ka ende ky vend njerëz të ndershëm, të papërlyer, të aftë, të përgatitur dhe vullnetplotë, për t’i dhënë dhe për t’i shërbyer këtij vendi?
Sigurisht. Dhe për këtë jam i bindur. Ka mjekë, ekonomistë, mësues, pedagogë, inxhinierë, sipërmarrës, të rinj, studentë të shkëlqyer. Ka njerëz të sukseshëm në punën e tyre, me kontribute dhe vlera, që kanë krijuar, kanë ngritur dhe kanë arritur suksese në atë që bëjnë. Ka njerëz të cilët e shohin të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve në këtë vend e që për këtë janë gati të kontribuojnë.
Ky është momenti për të treguar se kjo mund të ndodhë, tashmë me vepra dhe jo vetëm me fjalë e retorika boshe. Detyra i përket politikës, të majtë e të djathtë.

Similar posts
ActualityDaily news

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min read
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
ActualityDaily news

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min read
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Daily news

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min read
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…

Leave e Reply