Ekonomi

Fituesit dhe humbësit e krizës së çmimeve.

4 Min lexim

Për herë të parë në dekadën së fundit Kuvendi i Shqipërisë rishikoi 3 herë buxhetin për shkak të rritjes së të ardhurave nga taksat dhe rialokimit të disa shpenzimeve. Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare si pasojë e konjekturave të reja të tregjeve post-pandemisë dhe luftës në Ukrainë, shtoi të ardhurat në buxhetin e shtetit me plot 330 milion euro, ose 6.4% më shumë se parashikimi fillestar.

Arka e shtetit mblodhi nga paratë e taksapaguesve vitin e shkuar 5.2 miliard euro duke shënuar një rekord historik në drejtim të mbledhjes së të ardhurave nga 4.88 miliard që planifikonte të mblidhte sipas ligjit të buxhetit të miratuar në fund të dhjetorit 2021. Por meritat si gjithmonë për këtë do t’i merrnin qeveritarët.

Të ardhurat janë 15.9 % më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo është lidhur ngushtësisht me çmimet por edhe me aktivitetin ekonomik në vend dhe rritjen e kapacitetve të mirëadministrimit.” do të shprehej një vit më parë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj.

Efekti i çmimeve te rritja e të ardhurave.

Inflacioni vitin e shkuar shënoi nivelin më të lartë në dy dekadat e fundit, 6.7%, ndërsa rritja më e lartë e çmimeve u përqëndrua në segmentin e produkteve të domosdoshme. Çmimi i karburanteve, ushqimet dhe energjia elektrike ishin produktet më të goditura nga inflacioni dhe që kanë peshën më të madhe të konsumit në Shqipëri.

Nëse një qytetar i Bashkimit Europian shpenzon mesatarisht për t’u ushqyer 6.6% të buxhetit të tij, në Shqipëri 41.3% e buxhetit të një familje shkon për ushqimin bazë, 10% për energji, qira dhe ujë dhe 6.3% për transport e karburant. Më shumë se gjysma e buxhetit të një familje, 57.6% përdoret për blerjen e produkteve bazë, të cilat vitin e shkuar patën dhe rritjen më të lartë krahasuar me kategoritë e mallrave të tjerë.

Taksat kryesore të buxhetit të shtetit mblidhen në përqindje, siç është TVSH, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat apo pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Pjesën e “luanit” në buxhetin e shtetit e ka tatimi mbi vlerën e shtuar. Për çdo produkt që ble konsumatori, shteti i vendos 20% taksë, çka automatikisht sjell efekte pozitive në skenarin kur çmimet rriten dhe negative nëse pësojnë ulje.

Edhe në rastin e krizës së çmimeve, të ardhurat nga TVSH u rritën gjatë vitit të shkuar me 270 milion euro, duke përbërë 80% të rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit. 50 milion euro të tjera kanë rritjen e sigurimeve shoqërore, tatimit mbi të ardhurat. Akcizat dhe taksat kombëtare dhe ato doganore u ulën në raport me planin e qeverisë duke dhënë sinjale se konsumi i mallrave në sasi nuk ka qënë sipas parashikimeve dhe duke rrëzuar edhe teorinë e luftës ndaj evazionit fiskal. Nëse rritja e të ardhurave do të përfshinte dhe këto dy zëra, atëherë po, shtimi i të ardhurave në buxhet nuk do të ishte vetëm nga çmimet e larta por dhe nga rritja ekonomike që do të udhëhiqej nga një kërkesë e lartë konsumatore.

Qeveria nuk rishpërndau atë që morri nga kriza.

Të dhënat analitike të buxhetit faktik 2022 tregojnë se në total politikat e qeverisë për zbutjen e pasojave të krizës për shtresat në nevojë kushtuan 90 milion euro, duke mos zënë as gjysmën e të ardhurave që u mblodh në buxhet si pasojë e çmimeve të larta.

Shuma më e madhe e ndihmës u dha gjatë marsit të vitit të kaluar, kohë kur sheshi përpara Kryeministrisë u mbush me protestues të cilët kërkonin masa për rritjen e çmimeve. Në këtë periudhë qeveria ka dhënë 47 milion euro për përballimin e efekteve të krizës. 11 milion euro ishin për indeksimin e pensioneve, një politikë e planfikuar në buxhet për t’u bërë në prill dhe 36 milion euro të tjera bazohej në dhënien e 25 euro në muaj si kompensim për efektet e krizës për pensionistët, personat me aftësi ndryshe dhe familjet me ndihmë ekonomike. 4 milion euro u shtua në fondin e dhënies së naftës pa taksa për fermerët dhe 4 milion të tjera për kompensimin e rritjes së efekteve të karburantit për linjat e transportit urban.

Në vjeshtë qeveria angazhoi 43 milion euro fonde të tjera për të amortizuar pasojat e krizës. 18.8 milion euro shkuan për indeksimin e pensioneve, 11.3 milion euro iu shtua buxhetit për naftën pa taksa të fermerëve dhe pjesa tjetër u nda për rritjen e pagave për mjekët dhe shtesat në kompensimin e çmimit të naftës për transportin publik.

Të dhënat analitike tregojnë se edhe pse buxheti i shtetit pati një rritje të rëndësishme të të ardhurave nga çmimet, e udhëhequr nga taksa e TVSH-së, një tatim që e paguan direkt konsumatori, shpenzimet për zbutjen e efekteve të krizës u bënë vetëm për disa kategori të caktuara dhe pa u shtrirë tek të gjithë qytetarët. Të vetmit morrën diçka nga rishpërndarja e të ardhurave ishin disa kategori të varfrish dhe kompanitë e pasura që kanë kontrata me shtetin. Këta të fundit përfituan të drejtën e kompensimit për rritjen e çmimeve të materialeve të ndërtimit për një vlerë totale prej 60 milion euro. Peshën e krizës e mbajti mbi shpinë më shumë shtresa e mesme!

Postime të ngjashme
Ekonomi

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min lexim
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Ekonomi

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min lexim
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Ekonomi

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min lexim
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…
×
Dritan Gremi

Sipërmarrësi ironizon Mirela Kumbaron: Keni pasur zemrën e mirë me AirBnb-të