Në garën për drejtimin e bashkisë më të madhe në vend, është përfshirë një emër që vjen jashtë politikës tradicionale. Dritan Gremi, një sipërmarrës me përvojë mbi dy dekada brenda dhe jashtë vendit, ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Tiranës, me synimin për të sjellë në administratë frymën e biznesit, disiplinën e menaxhimit dhe transparencën e rezultateve.
I pozicionuar larg politikës, as majtas dhe as djathtas, Gremi thotë se u bë pjesë e kësaj fushate për shkak të një revolte qytetare që ndjen nga padrejtësitë; revoltë jo me dhunë, por me vetëdije dhe përgjegjësi.
“Nuk besoj as te e majta e as te e djathta. Për mua kanë vdekur prej vitesh. Vota duhet t’i jepet atij që firmos një kontratë me qytetarin dhe mban përgjegjësi për çdo nënshkrim. Nëse nuk e bën, ajo është votë e hedhur kot,” — shprehet ai.
QYTETI NUK ËSHTË PRONË E POLITIKËS
Në podcastin N’Kafe te Gremi përballë gazetares Anduela Ndreu, kandidati Dritan Gremi thotë se qyteti i Tiranës nuk mund të jetë monopol i politikës.
“Bashkia e Tiranës nuk është dhe nuk duhet të jetë monopol i politikës. I përket vetëm njerëzve. Ideja që vetëm politika mund ta çojë përpara këtë qytet duhet të marrë fund,” thotë ai.
FUSHATA – NJË KONTRATË ME QYTETARËT, JO DERË MË DERË
Në një kohë kur premtimet politike janë bërë ofertë e zakonshme, sipërmarrësi Dritan Gremi hyn në garën për drejtimin e Bashkisë së Tiranës me një filozofi krejt tjetër. Ai nuk premton takime derë më derë, por një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët përmes një platforme publike: podcastit N’Kafe te Gremi.
“Fushata ime nuk do të jetë derë më derë, siç është bërë 35 vite me radhë. Njerëzit janë lodhur dhe mërzitur nga fushatat e njëpasnjëshme, me përqafime, shtrëngime duarsh e premtime boshe. Unë, bashkë me Anduelën, në këtë podcast, do t’u shpjegoj qytetarëve, pa i mërzitur, programin për të cilin ata kanë realisht nevojë,” — thotë Gremi, duke përcaktuar qartë stilin e tij të komunikimit. Është një mënyrë për të shkuar drejtpërdrejt, ku gjithsecili mund ta “takojë” në telefonin e tij, në çdo moment që mundet e ka kohë, dhe pa u bezdisur.
NJË REVOLTË QYTETARE, JO POLITIKE
Dritan Gremi e sheh drejtimin e bashkisë si një sfidë profesionale, jo si karrierë politike, dhe beson se menaxhimi publik mund të bëhet me të njëjtat standarde të llogaridhënies që ka një biznes. Ai hyn në këtë garë si përfaqësues i një fryme të re, jo për pushtet, por për vokacion dhe përgjegjësi qytetare, për të dhënë kontributin e tij për një Tiranë më të mirë dhe më të drejtë për qytetarët e saj.
Në një kohë kur politika shpesh shihet me mosbesim, ai kërkon të provojë se një sipërmarrës mund të jetë një administrator i mirë publik, nëse udhëhiqet nga vizioni, përgjegjësia, ndershmëria dhe dëshira për të bërë mirë punën e tij.
“Ky hap i imi është një revoltë qytetare. Një reagim ndaj shumë gjërave që nuk funksionojnë në këtë qytet. Tirana aktualisht është në kolaps, asgjë nuk funksionon siç duhet; ne paguajmë pafund taksa dhe nuk marrim shërbimin që meritojmë.”
NGA BIZNESI TE SFIDA E QYTETIT
Dritan Gremi e ka ndërtuar suksesin jashtë vendit, për ta sjellë atë edhe në Shqipëri. Ai e sheh kandidimin e tij jo si ambicie personale, por si një përgjigje ndaj mungesës së reagimit institucional ndaj thirrjeve që ai ka bërë ndër vite. Gjatë bashkëbisedimit të tij në podcast, ai thekson se ky hap ishte domosdoshmëri:
“Në një moment të caktuar, kupton se nuk ke rrugë tjetër veçse të futesh vetë brenda sistemit dhe ta ndryshosh,” — shprehet Dritan Gremi.
“PROGRAMI IM NUK ËSHTË LISTË PREMTIMESH, POR ZGJIDHJESH”
Në qendër të fushatës së tij qëndron programi “10 Zgjidhje”, një paketë që, siç thotë vetë Gremi, është vetëm nisja e një mënyre të re të menduari për menaxhimin e qytetit:
“Programi ‘10 Zgjidhje’ duhet të jetë një trampolinë që e çon trendin e menaxhimit drejt një realiteti ndryshe. Ky qytet ka nevojë jo për 10, por për 150 apo 1500 zgjidhje. Çdo vit mbart plagë që askush s’ka guxim t’i prekë.”
Kandidatura e Dritan Gremit mbështetet në një program me 10 pika konkrete, që sipas tij janë të zbatueshme dhe të matshme:
- Tirana, qyteti i pastërtisë dhe i përgjegjësisë qytetare — pastrimi i “merimangave” të qytetit, telat dhe kabllot ajrore
- 30 parkime sociale — lufta kundër stresit urban dhe trafikut
- Transporti publik smart dhe i gjelbër — Tirana që lëviz pastër
- Trotuaret — ec lirisht në qytetin tënd
- Hapësirat publike për fëmijët — oborret e shkollave të hapura
- Tirana e studentëve — qyteti ku nis e ardhmja
- Tirana që rikthen buzëqeshjen — kujdesi për të moshuarit
- Tirana e turizmit të qëndrueshëm — nga qendra në rrethina
- Tirana bashkë — siguri, besim dhe bashkëqeverisje në çdo lagje
- Come back home and build your Tirana
DREJTËSIA — SPAK, E VETMJA GJË E MIRË NË 35 VITE TRANZICION
Në mënyrë të pazakontë për një kandidat bashkie, Gremi vendos theksin te drejtësia si shtyllë themelore për shoqërinë.
“Unë dhe biznesi im kemi mbajtur shumë mbi supe. Por besoj se e vetmja shpresë për të kaluar tranzicionin është drejtësia e pavarur. SPAK është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur këtij vendi në 35 vite, ndaj edhe ata prokurorë duhen mbështetur fort.”
Në këtë mënyrë, Dritan Gremi nuk prezantohet si kandidat tipik. Ai përpiqet të flasë me gjuhën e qytetarëve, jo të politikës. Me një fushatë që nuk premton mitingje, por bashkëbisedim publik, ai e nis rrugën e tij drejt zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës me një mesazh të thjeshtë:
“Tirana ka nevojë për menaxhim, jo për propagandë.”
KUSH ËSHTË DRITAN GREMI?
Nga emigrimi në sukses ndërkombëtar
Historia e Dritan Gremit është një nga ato rrugë suksesi që nisin nga asgjëja. Në moshën 15-vjeçare, ai u largua nga Shqipëria me anije për të ndërtuar një jetë ndryshe në Perëndim.
Pas shumë viteve punë dhe përvoje në Itali, ai u bë pjesë e projekteve të rëndësishme në fushën e turizmit dhe shëndetësisë, duke ndërtuar një karrierë që sot njihet edhe jashtë kufijve shqiptarë, në Francë, Itali, Angli dhe më gjerë në Europë.
Media prestigjioze ndërkombëtare si CNN International, AFP, FORBES France, M6, France 2, France 24, Le Figaro, LA7, Il Sole 24 Ore, L’Express, RTL Info dhe TV5 Monde kanë treguar historinë e tij si historinë e një djali shqiptar që iku si shumë të tjerë, me një ëndërr të madhe, e u rikthye në vendin e tij për të ndërtuar të ardhmen. Ata e kanë paraqitur si shembullin e emigrantit që nuk u dorëzua kurrë, që punoi me ndershmëri, ndërtoi me durim dhe u kthye jo për privilegje, por për të kontribuar.
U kthye sepse beson se Shqipëria nuk është vend për t’u braktisur, por një vend që mund të ngrihet, të zhvillohet dhe të rikthejë shpresën.
Sot ai qëndron përballë qytetarëve si një prej tyre: një shqiptar që ka provuar vështirësitë, që ka ndjerë largimin dhe rikthimin, dhe që beson me zemër se Tirana mund të bëhet më e drejtë, më njerëzore dhe më dinjitoze.
Sepse ky vend nuk ka nevojë për premtime boshe, por për frymë të re, për vullnet, për punë dhe për njerëz që i shërbejnë qytetit, jo vetes.
NJË RIKTHIM PËR TË NDËRTUAR
Pas përvojës shumëvjeçare në Perëndim, Gremi vendosi të rikthehet në Shqipëri për të ndërtuar një sipërmarrje me bazë të qëndrueshme, duke investuar në shërbime cilësore dhe në promovimin e imazhit të vendit.
Projekti “Gremi Clinic” është ndër më të njohurit në fushën e turizmit shëndetësor, i prezantuar në panaire ndërkombëtare si ITB Berlin e shumë të tjerë. Përmes turizmit shëndetësor, siç thotë ai, ka synuar të ndërthurë tre komponentë: biznesin, Tiranën dhe Shqipërinë, duke synuar përmirësimin e imazhit të vendit por edhe rritjen e tij në këtë fushë.
TURIZMI I KUJTESËS
Dritan Gremi është fokusuar pas kthimit në Shqipëri edhe në nisma që lidhin turizmin me historinë, përmes konceptit të “turizmit të kujtesës”, si projekti “Shtëpia e Artistit” me mikun e tij, të ndjerin Agim Rada.
“Një vend që harron, nuk mund të ecë përpara. Kujtesa dhe dinjiteti qytetar janë pjesë e një qyteti modern,” — shprehet ai.
Intervista e plotë me Dritan Gremin mund të ndiqet në YouTube në podcastin “N’Kafe te Gremi”, si dhe në rrjetet sociale.


