ActualitéÉconomie

Dy taksat e fshehura që po e mbytin ekonominë shqiptare dhe projekt buxheti i vitit 2026.

5 Min de lecture

Së pari dua të them që nuk jam ekspert ekonomie. Puna ime është të projektoj, të zhvilloj, të hap vende të reja pune dhe të menaxhoj. Por nga sa di dhe nga sa kam lexuar, monedha vendase, në këtë rast leku, mund të forcohet në kurriz të monedhave të huaja vetëm në këto raste:

Kur kemi një rritje eksponenciale të eksporteve.

Rritje të fortë të investimeve të huaja në vënd, në Lekë.

Rritje të remitancave.

Ose një rritje të fortë të turizmit

Dhe po e nis nga kjo e fundit.

Aktualisht jemi në javën e tretë të nëntorit, ku sezoni i turistik ka muaj që është mbyllur. Në pikun e sezonit, në korrik dhe gusht, euro ështe këmbyer me rreth 96.7 deri 96.8 lekë. Sot, në 20 mëntor, kursi i këmbimit valutor ishte 96.2 lekë.

Pra si është e mundur që sezoni turistik ka mbaruar dhe numri i turistëve është ulur me të paktën 80 për qind krahasuar me korrikun dhe gushtin, ndërsa Euro vazhdon rënien?

Për investimet e huaja, statistikat flasin vetë: nuk kemi rritje.

Eksportet janë në rënie.

Ndërsa remitancat janë konstante.

Pra, si shpjegohet kjo rënie e pashpjegueshme e Euros, kjo pikiatë që po vazhdon prej vitesh dhe po na merr shpirtin?

Kjo është përgjigja që duhet të na kishte dhënë Ministri i Financave. Por që gjithsesi është gjithnjë në kohë ta bëjë.

E përtej kësaj, sot dua të flas edhe për dy gjëra që vazhdoj ti përtyp prej kohësh, por pa i nxjerrë nga goja. Shumë miq më thonë të mos flas, por situata është aq ulëritëse dhe sinqerisht nuk mban më.

Po i drejtohem pa përjashtim pushtetit, opozitës dhe pseudoopozitës, disa gazetarëve të ekonomisë që enden ditë e natë në panele mediatike, që siç thotë një mik i imi, nuk kanë një mendim, e nuk lidhin dot dy gjëra bashkë. Për analizë as që bëhet fjalë.

Nëse sot në vëndin tonë mungon besimi dhe invesrimet e huaja, serioze, sidomos atyre perëndimorë, që do të ndikonin ndjeshëm në rritjen e eksporteve, këtë ja atribuoj dy taksave të fshehura që Shqipëria ka, e për të cilat askush nuk flet: e para është zhvlerësimi i Euros me mbi 35%. Ndërsa taksa e dytë e fshehtë, është korrupsioni i zyrtarëve, e punonjësve të shtetit dhe mitmarrja.

Niveli i taksave në vënd nuk është ai që dimë e na thuhet, por të paktën 30% më i lartë se ai që kemi në letër.

Shqipëria prej disa vitesh tashmë nuk është më një vënd kaq atraktiv për të investuar, pasi kostoja e jetesës dhe niveli i taksave (përfshi taksat e fshehura), kanë arritur tashmë gati në nivelet e vëndeve të BE- së.

Taksa e parë (e fshehur) është zhvlerësimi i monedhave të huaja më raport me lekun. Dhe euro ësht ajo që na intereson të gjithëve.

Zhvlerësimi i euros, ndikon direkt, me rreth 35 për qind të të ardhurave neto vjetore, për të gjitha bizneset që merren me eksport dhe turizëm. Praktikisht, i gjithë sektori i eksporteve dhe turizmit, përfshi edhe mua, ndikohemi drejtpërsëdrejti nga kjo “taksë” dhe jemi në kushtet e mbijetesës.

Të pabarabartë me konkurrentët në rajon, të pamundur për të investuar, të pamundur për të rritur pagat e punonjësve që janë me një këmbë jashtë për t’u larguar. Të pamundur për hapur vende të reja pune. Praktikisht ne po mbrojmë veten dhe jemi me duar të lidhura për të vepruar. Më besoni, nuk ka gjë më të keqe për një sipërmarrës.

Taksa e dytë e fshehtë është korrupsioni dhe mitmarrja në administratën publike.

Nuk e di sa ndikon saktësisht në bilancet vjetore të një kompanie apo biznesi, pasi e kam luftuar dhe jam kacafytur pafund për të mos e paguar dhe ia kam dalë.

Ia kam arritur, por me kosto të mëdha personale dhe mbi biznesin tim.

E kam bërë duke çuar para drejtësisë dhe gjykatës çdo person të administratës që më ka cenuar në mënyrë të padrejtë.

E kam bërë sepse kam mbrojtur dinjitetin tim dhe të punonjësve të mi.

E kam bërë për të mbrojtur shtetin tim, i cili nuk i përket as të majtës e as të djathtës, por na përket të gjithëve.

E kam bërë që ky vënd të bëhet më i mirë për fëmijët tanë.

Pyetja që shtroj është;

për çfarë na duhen këto projektbuxhete kur bizneset eksportuese po mbyten?

Kur të rinjtë po largohen çdo ditë?

Sinqerisht do preferoja një borxh të jashtëm më të lartë, por një klimë biznesi më të mirë dhe më të qetë.

Do të prefeiroja që këto dy taksa (të fshehura) të zhdukeshin sa më parë.

Do të kishim më pak evazion fiskal, më shumë para në arkën e shtetit, më shumë investime të huaja dhe vendase, kushte më të mira pune dhe paga më të larta për punonjësit.

Do ulnim hemorragjinë e të rinjve që largohen jashtë vëndit dhe mbase do të niste rikthimi i atyre që kanë ikur.

Për paqen fiskale:

Padyshim që e dua, por mënyra si po bëhet kam shumë rezerva.

Së pari, paqja duhet të nisë nga bizneset e ndershme, të cilat kanë refuzuar të paguajnë zarfe nën dorë dhe janë ndëshkuar.

Duhet selektuar i ndershmi nga evazori. Asnjë mëshirë për evazorët dhe shkelësit e ligjit. Më falni, po ne që kemi paguar tëre jetën, budallenj jemi?!

Së dyti, shteti duhet ta kërkojë paqe (dhe falje publike) me biznesin, të heqë frymën toksike me të, duke fshirë gjithë gabimet dhe padrejtësitë e së kaluarës.

Dhe kjo duhet të nisë nga abrogimi i ligjit famekeq 9920 i vitit 2008.

I takon Opozitës në rradhë të parë të kërkojë abrogimin e këtij ligji kriminal dhe gjobvënës, pasi këtë paçavure e ka gatuar ajo kur ishte në pushtet.

Ky është një ligj i bërë enkas për të detyruar biznesin të shkojë në gojën e inspektorit tatimor dhe i hap rrugë korrupsionit dhe mitmarrjes.

Që të jem më i qartë, ky ligj thotë tekstualisht; se nëse një biznes gjobitet, nuk ka të drejtë ta apelojë nëse nuk bllokon të gjithë principalin. Ky principal mund të jetë 5 mijë, 10 mijë, 100 mijë, 200 mijë apo edhe 500 mijë euro. Asnjë biznes i ndershëm nuk i ka këto para menjëanë dhe për këtë arsye bëhen pre e abuzimeve.

Çdo biznes duhet të ketë të drejtën të ankimojë çdo vendim në çdo shkallë të administratës publike dhe gjyqësorit. Përndryshe, kjo është një gjobëvënie e pastër.

Nga njëra anë kërkoni prezumimin e pafajësisë për individë që akuzohen për korrupsion apo vrasje, ndërsa nga ana tjetër, biznesi duhet të paguajë gjobën që të këtë të drejtë të mbrohet e të prezumohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë, në çdo shkallë të gjyqësorit?

Pra edhe një herë; bëni paqe me biznesin, duke vendosur drejtësinë në vënd, sepse e keni bër baltë, për mos thënë dicka tjetër.

Sa për zhvlerësimin e euros, ndërmerrni një hap të parë dhe të shpejtë: kërkojuni bankave të nivelit të dytë dhe të tretë të rrisin depozitat në euro deri në 30%. Kjo do ta përmiresonte disi situatën.

Me kullat dhe gjërat e tjera nuk dua të merrem. Le të bëjë drejtësia punën e saj.

Për një gjë ama jam i bindur: njerëzit nuk hanë llaç e tulla në fund të ditës.

Të rinjtë nuk e braktisin vëndin për të parë kulla dhe gradaçela.

Asnje turist i huaj nuk impresionohet nga kullat, e aq më tepër askush deri më sot nuk ka lënë një review per to.

Shqipëria është shumë më teper se kaq.

Postime të ngjashme
Économie

L’euro comme monnaie nationale : la seule arme contre l’effondrement

3 Min de lecture
Lek i fortë, ekonomi e dobët: vetëm euroja si monedhë e vetme mund të mbrojë bizneset shqiptare Një krizë e padukshme që…
ActualitéÉconomie

Air Albania është Shqipëria në qiell – le ta ndihmojmë të fluturojë më lart!

2 Min de lecture
Çdo shtet mbron kompaninë e tij kombëtare, sepse çdo euro e investuar kthehet 100-fish në ekonomi, turizëm dhe imazh për vendin. Air…
Économie

Turqia ndërton një industri kombëtare me turizmin shëndetësor – 6 miliardë dollarë të ardhura në vitin 2025

3 Min de lecture
𝐍𝐝ë𝐫𝐬𝐚 𝐓𝐮𝐫𝐪𝐢𝐚 𝐞 𝐦𝐛ë𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭 c𝐝𝐨 𝐡𝐚𝐥𝐥𝐤ë 𝐭ë 𝐬𝐞𝐤𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐦𝐞 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤𝐚 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭ë𝐫𝐨𝐫𝐞, 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢𝐚 𝐧𝐮𝐤 𝐤𝐚 𝐚𝐬𝐧𝐣ë 𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐞𝐠𝐣𝐢 𝐚𝐩𝐨 𝐟𝐢𝐧𝐚𝐧𝐜𝐢𝐦. 𝐓𝐮𝐫𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐬𝐡ë𝐧𝐝𝐞𝐭ë𝐬𝐨𝐫 𝐧ë 𝐫ë𝐧𝐢𝐞…

Laisser un commentaire