ActualitéLajmi i ditës

Imazhi i Shqipërisë është pronë e të gjithëve – dhe askush s’ka të drejtë ta përdhosë

6 Min de lecture

Nga Dritan Gremi

Ka një kufi që nuk guxon të kalohet – e ai është dinjiteti i kombit. Imazhi i Shqipërisë është fryt i një përpjekjeje të gjatë, kolektive, për të ndërtuar një vend të besueshëm në sytë e botës. Dhe sot, kur më në fund kemi filluar ta shohim ndryshimin, dikush po e rrënon atë me fjalë. Fjalë të papërgjegjshme, të nxjerra jashtë kufijve, në emër të një beteje personale politike.

Kjo nuk është më një përballje politike – është një akt i rëndë që godet drejtpërdrejt interesin kombëtar. Është një sjellje e dëmshme që jo vetëm e përdor Shqipërinë si mjet lufte, por tradhton me vetëdije të gjithë ata që, me mund, përkushtim dhe sakrificë, po përpiqen prej vitesh ta nxjerrin vendin nga hija dhe ta çojnë me dinjitet në sytë e botës. Në një botë ku opinioni ndërkombëtar ndikon drejtpërdrejt mbi investimet, turizmin dhe marrëdhëniet diplomatike, manipulimi i këtij opinioni me qëllime politike është një rrezik i madh dhe një papërgjegjshmëri e pafalshme.

🇮🌟 Gianni Agnelli e tha bukur: “I panni sporchi si lavano a casa.”
Rrobat e pista lahen në shtëpi.
Edhe plagët dhe problemet e Shqipërisë ashtu zgjidhen – brenda mureve të saj, jo në Parlamentin Europian, jo nëpër media të huaja që ushqehen me perceptime negative dhe presin çdo mundësi për të na paraqitur keq – dhe asnjëherë në sallat e Brukselit, ku ne shkojmë për t’u pranuar si të barabartë, jo për të baltosur veten.

Shqipëria ka sfida serioze: mungesë funksionimi të drejtësisë, korrupsion të rrënjosur dhe mungesë barazie reale sociale e ekonomike. Por as partitë europiane, as mediat e huaja, nuk do të na i zgjidhin ato. Nëse jeni burra dhe e doni këtë vend, betejën bëjeni këtu – aty ku vërtet ka kuptim. Brenda Shqipërisë. Brenda shtëpisë tonë. Jo nëpër media të huaja, e aq më pak në sallat e Brukselit ku aspirojmë të bëhemi pjesë – sepse aty nuk shkohet për të ulur kokën dhe për të përçmuar vendin tënd, por për ta përfaqësuar me dinjitet, me argumente, me vetëbesim. Në ato ambiente, fjala jonë ka peshë. Dhe kur ajo përdoret për të baltosur vendin

Nga çfarë gropash kemi dalë

E nëse doni t’ju tregoj nga kemi ardhur, më lejoni t’ju kujtoj.
Rreth vitit 2008, kur nisëm për herë të parë të promovonim Shqipërinë si destinacion turistik dhe shëndetësor, komentet që merrnim në rrjetet sociale ishin tronditëse:
“Në Shqipëri? Atje të vrasin, të përdhunojnë, kthehesh pa një veshkë!”
“Atje të zhdukin për një fjalë goje, nuk kthehesh më!”
“Të fusin kallashin në kokë – dhe askush nuk mban përgjegjësi!”

Turistët e parë vinin të frikësuar, të tulatur, me sy dyshues.
Të afërmit e tyre i kishin pyetur nëse ishin çmendur që kishin zgjedhur Shqipërinë. Dhe kështu filloi një betejë e heshtur, por e vështirë: beteja për të ndryshuar perceptimin.

Në Francë ishte edhe më keq.
Lobi serb dhe rus kishin punuar për vite të tëra për të na nxirë, për të ngritur mbi ne një hijesirë mashtruese dhe armiqësore. Dhe me ndihmën e heshtur të indiferencës sonë, ata ia dolën.

Kulmi ishte raporti i Dick Marty – i fabrikuar, i pasaktë dhe i tmerrshëm në pasojat që shkaktoi. Raporti që na etiketoi si vend ku trafikohen organe njerëzore, u votua në Parlamentin Europian dhe u certifikua edhe nga Parlamenti Shqiptar, në kohën kur opozita e sotme ishte në pushtet.

Në Francë, ky raport u bë armë. U kthye në dokumentarë, në emisione, në biseda kafesh. Vetëm film artistik nuk bënë. Dhe mos harroni: në atë periudhë në pushtet ishte pikërisht opozita e sotme. Po shteti ynë në ato vite? Heshti. Ambasadori ynë? Nuk reagoi. Qeveria? U bë e padukshme.
Dhe ndërsa goditjet binin njëra pas tjetrës, ne që ishim në terren, që përpiqeshim të ndryshonim mendje dhe të ndërtonim besim – e paguam më shtrenjtë se kushdo.

Kush e ka mbrojtur imazhin e Shqipërisë këto vite?

Gjatë këtyre viteve është bërë një përpjekje e përbashkët nga shumë individë e aktorë – në fushën e turizmit, të sipërmarrjes, të artit dhe të shëndetësisë – për të ndihmuar Shqipërinë të ngjitet në hartën e besimit ndërkombëtar. Për të ndërtuar një narrativë ndryshe, të bazuar jo në stereotipe, por në realitet. Jo për ta zbukuruar Shqipërinë me fjalë boshe, por për ta treguar siç është dhe siç meriton të shihet: si një vend i sigurt, i aftë, mikpritës dhe dinjitoz.

Më lejoni t’ju flas në vetë të parë. Kam mbi 15 vite që punoj pa ndalim, çdo ditë, çdo natë, për të përmirësuar imazhin e këtij vendi. Kam investuar veten, familjen, të ardhurat e mia – jo për të bërë propagandë, por për të ndryshuar realitetin. Për të treguar që Shqipëria meriton të besohet. Për të sjellë pacientë nga e gjithë Europa, për të qenë pjesë e një përpjekjeje shumë më të madhe, të përbashkët – që Shqipëria të shihet ndryshe: si një vend i sigurt, i aftë, mikpritës dhe dinjitoz.

Nuk jam i vetëm në këtë rrugëtim. Ka plot të tjerë që kanë bërë të njëjtën gjë në fusha të ndryshme – nga arti te sipërmarrja, nga sporti te shkenca – të gjithë kanë kontribuar që ky vend të marrë fytyrën që meriton.

Dhe sot, gjithë kjo përpjekje kolektive kërcënohet nga disa deklarata të papërgjegjshme që i bëjnë të huajt të rimendojnë gjithçka. Një fjalim në Bruksel. Një status në rrjete sociale. Një intervistë në një televizion të huaj. Dhe rrezikon të rrëzohet gjithçka që është ndërtuar me durim.

E përse? Për një interes të qartë dhe hall personal. Për pak protagonizëm, për një mikrofon më shumë, për një kronikë më të ndezur.

Imazhi i Shqipërisë: Aseti më i keqkuptuar, por më jetik për zhvillimin

Kemi bërë shumë punë për të arritur deri këtu. Imazhi i një vendi nuk është vetëm çështje krenarie apo ndjenje personale – ai është një aset konkret, i prekshëm ekonomikisht. Është i lidhur drejtpërdrejt me ekonominë, turizmin, vlerën e pronës, me atë që në mënyrë figurative e quajmë ‘kartëvizita kombëtare’. I përket të gjithëve – përfshi dhe ju që jeni në opozitë, dhe fëmijët tuaj.

Për ata që ende nuk e kanë kuptuar: vlera e imazhit të një vendi është si vlera e aksioneve të një shoqërie në bursë. Sa më pozitiv dhe i besueshëm të jetë ai në sytë e botës, aq më shumë vlen çdo metër katror tokë shqiptare, aq më shumë vlen një natë qëndrimi në hotelet tona, aq më shumë vlerësohet çdo pasuri e luajtshme apo e paluajtshme në territorin e Shqipërisë. Aq më shumë besueshmëri ndërtojmë për investimet e huaja, eksportet, importet dhe çdo transaksion financiar që lidhet me ne.

Jashtë Shqipërisë, Shqipëria nuk shahet!

Ky nuk është vetëm një slogan. Është një parim kombëtar që duhet të bëhet kod sjelljeje për këdo që përfaqëson këtë vend.
Sepse kur e shan Shqipërinë para botës, nuk godet kundërshtarin tënd politik – godet gjithë shqiptarët.

Kritika është e nevojshme. Opozita është thelb i demokracisë. Por ajo nuk duhet të bëhet duke sakrifikuar nderin e vendit që përfaqëson.
Mos e përdorni Shqipërinë si armë kundër njëri-tjetrit. Mos e digjni shtëpinë për të fituar një betejë personale. Sepse këtu jetojmë të gjithë.

Le të kemi një rregull të pathyeshëm që na bashkon përtej bindjeve:
“Jashtë Shqipërisë, Shqipëria nuk shahet.” – Ky duhet të ishte titulli i çdo ndërgjegjeje kombëtare që flet në emër të këtij vendi, jo thjesht një slogan i harruar në fund të fjalës.

Kjo nuk është retorikë. Është minimumi i përgjegjësisë që i detyrohemi kombit që na mban.

Sepse imazhi i Shqipërisë është më i madh se çdo emër politik.
Dhe më i shtrenjtë se çdo klikim në rrjet.

Sepse nuk ka asnjë nder që vjen nga ulja e vendit tënd përballë të huajve.

Postime të ngjashme
ActualitéHistoires et personnesSociété

Të Rinjtë që Nuk Largohen nga Shqipëria

1 Min de lecture
Në qendër të këtij takimi janë historitë e katër të rinjve shqiptarë, Emersonit, Edës, Roselës dhe Lorencit, janë bërë simbol i shpresës…
Actualité

Fati i jetimëve në Shqipëri! Luli, Moza dhe Sabaili, tre histori të ndryshme të lidhura në një nyjë

1 Min de lecture
Tre histori sa prekëse aq edhe inkurajuese. Të ndryshme, por të lidhura nga e njëjta nyje.Moza, një nënë që rrit e vetme…
Actualité

VETING PËR GJITHË GAZETARËT, ANALISTËT DHE DREJTUESIT E MEDIAVE!

2 Min de lecture
Bisedat e zbardhura të Sky ECC dhe Encrochat nxorën së fundi publikisht lidhjet e shumëdiskutuara të botës së krimit me politikën e…

Laisser un commentaire