Économie

Kontradikatat e rritjes ekonomike

3 Min de lecture


Ekonomia u rrit me 2.72% në tremujorin e parë të vitit, duke shënuar ritmin më të ulët që prej pandemisë së Covid-19 në 2020-n. Një vit më parë prodhimi kombëtar në këtë periudhë shënoi një normë të lartë rritjeje, me 7.22%, e udhëhequr dhe nga çmimet e larta çmimeve të mallrave si pasojë e luftës në Ukrainë.

Inflacioni ka mbetur i lartë dhe këtë vit, 6.5% për periudhën janar-mars, por ajo që ka ndryshuar është një tjetër formulë. Katrori i Kaldorit është një teori ekonomike e cila bazohet në postulatin se rritja e kapitalit është e lidhur me rritjen e produktivitetit. Nikolas Kaldor thotë në teorinë e tij se që të ketë rritje ekonomike duke duhet të ketë rritje të punësimit, rritje të çmimeve si pasojë e kërkesës dhe rritje të prodhimit dhe fuqisë eksportuese. Nëse njëra nga këto variabla ulet, automatikisht do të ulen dhe njësitë e tjera. Atëherë çfarë ka ndodhur në Shqipëri që ka mospërputhje të këtyre koncepteve?

Rritet inflacioni, por jo ekonomia.

Që të ketë rritje ekonomike të lartë, dukuria ekonomike që e shoqëron është norma e inflacionit, e cila tregon se ka kërkesë konsumatore. Një kërkesë e lartë konsumi pasqyron një ekonomi që ka para në qarkullim dhe fuqi blerëse. Por, në Shqipëri inflacioni nuk po udhëhiqet nga kërkesa e lartë për blerjen e mallrave, por nga rritja e çmimeve në tregjet e huaja. Inflacioni i lartë në fakt po prodhon të kundërtën, po ul fuqinë blerëse dhe ekonomia nuk po zgjerohet njësoj si më parë.

Eksportet janë goditur.

Eksportet e mallrave vendase u rritën vetëm 2.1% në tremujorin e parë të vitit, ndryshe nga një vit më parë ku rritja e tyre u dyfishua me një normë 49.6%. Stabilizimi i tregjeve botërore sidomos në fushën e industrisë dhe dobësimi i valutave në tregun vendas po godet sektorin bazë të ekonomisë: prodhuesit. Nëse shohim shifrat e INSTAT, bujqësia u rrit me 0.04%, industria me 1.23%, aktivitetet profesionale ranë me 2.36% dhe taksat mbi produktet u ulën me 2.81%. Këto të dhëna sinjalizojnë ngadalësim në sektorin e tregtisë, dega që ka peshën më të lartë në ekonominë e vendit.

Forcimi i lekut nuk shpjegon rritjen ekonomike

Nëse leku do të forcohej nga faktorët të ekonomisë reale, atëherë të parët që do të kishin rritje të shitjeve janë eksportuesit. Tregtia e jashtme e Shqipërisë do të kishte konkurruar dhe dominuar shumë vende të tjera dhe leku do të forcohej mbi euron, dollarin apo paundin. Por nuk ka ndodhur kjo. Ekonomia është rritur me vetëm 2.72% por leku është mbiçmuar me 9.2% këtë vit, 3 herë më shumë. Sektorët që sjellin euro, turizmi, eksportet dhe dërgesat e emigratëve nuk po i përgjigjen ritmit të forcimit të monedhës vendase.  

Ndërtimi dhe eventet “mbajtën në këmbë” ekonominë.

Dy degët e vetme që patën kontributin më të madh në ekonomi gjatë 3 muajve të parë të vitit ishin ndërtimi dhe grupi “arte, argëtim, çlodhje”. Ka më shumë se 5 vjet që ndërtimi dhe industria e shit-blerjeve të pasurive të patundshme po udhëheqin rritjen ekonomike. Megjithatë ky zgjerim nuk përputhet me një një tjetër dukuri,  rënien e konsumit. Nëse ka para për të blerë vila dhe apartamente me çmime të larta, përse po konsumohet më pak në ushqime, karburant dhe veshje? Shpjegimi që japin teoritë ekonomike në këtë rast lidhet me një tjetër shkak: atë të qarkullimit të parave nga burime jo formale, me burim krimin, korrupsionin apo evazionin fiskal.

Nga ana tjetër eventet dhe koncertet kanë pushtuar këto muaj jo vetëm kryeqytetin por dhe shumë zona turistike. Kontribut të rëndësishëm pati dhe fushata zgjedhore për zgjedhjen e 61 drejtuesve të bashkive të vendit, por po rrezikojmë që rritjen e këtij aktiviteti ta kufizojmë në sezonal. Ditët e fundit policia bashkë me inspektorët mjedisore janë duke ushtruar kontrolle, mbyllur dhe konfiskuar pajisje muzikore në ambiente që ofrojnë argëtim pa bërë asnjë matje. Këto aksione në kulmin e sezonit turistik dhe pa respektuar procedurat e verifikimit të ndotjes reale rrezikojnë mbylljen e bizneseve dhe vendeve të punës dhe të ngadalësojnë kontributin e kësaj dege në ekonomi në pjesën e mbetur të vitit.

Postime të ngjashme
Économie

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min de lecture
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Économie

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min de lecture
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Économie

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min de lecture
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…

Laisser un commentaire