Économie

Kush i rrëzoi valutat?

3 Min de lecture

Prej disa muajsh monedha vendase ka nisur një forcim konstant ndaj valutave në tregun e brendshëm. Leku sot këmbëhet me 103.62 euro, por një javë më parë ai vendosi një rekord historik duke e çuar për herë të parë vlerën e monedhës europiane afër 100 lekëve. Mbiçmimi i lekut ka ndodhur dhe me valutat e tjera: paundin britanik dhe dollarin amerikane. Monedha vendase është forcuar me 15% që nga fillimi i vitit përballë euros dhe dollarit dhe 10% kundrejt paundit.

Arsyet zyrtare që janë artikuluar nga autoritetet përgjegjëse për këtë luhatje të madhe në kursin e këmbimit është kërkesa dhe oferta. Pra, sektorët që sjellin euro në Shqipëri, eksportuesit, turizmi, emigrantët dhe investitorët e huaj kanë sjellë më shumë se një vit më parë. Kjo ka rritur kërkesën për monedhën vendase dhe vlera e saj është rritur.

Banka e Shqipërisë i lidh shkaqet e luhatjeve me faktorë të tregut të brendshëm, pasi të dhënat financiare të tregjeve globale tregojnë një ecuri konstante të valutave. Dhe këtu autoriteti qëndror monetar ka të drejtë. Por pyetja që sot ka mbetur pa përgjigje është se përse ankohen prodhuesit, eksportuesit dhe bizneset e turizmit nëse supozohet se kanë patur shtim të xhiros e si rrjedhojë dhe të fitimit? Përse ata po protestojnë dhe paralajmërojnë falimentin? Kjo lidhet me një tjetër faktor që nuk thuhet: paratë që vijnë nga burimet jo formale.

Flukset e valutave më të larta se deklarimet në kanalet zyrtare.

Gjatë periudhës janar – mars 2023 në tregun e brendshëm të këmbimit valutor janë konvertuar 1.83 miliard euro, sasi e barabartë me gjysmën e prodhimit kombëtar të vendit gjatë një tremujori. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se sasia e valutës euro që është konvertuar në treg është rritur me 170 milion euro (9.2%) më shumë se një vit më parë. Sipas statistikave zyrtare, të hyrat në euro nga eksportet në këtë periudhë u rritën modestisht me 2.1%, ndërsa në mars, muaj gjatë të cilit u konvertuan afro 700 milion euro, eksportet u tkurrën me 11.7%.

Banka qëndrore insiston në teorinë se prurjet e larta të valutës lidhen me  performancën e mirë të ekonomisë vendase. Ekonomia u rrit në tremujorin e parë me 2.72% e udhëhequr nga ndërtimi dhe sektori imobliar, por norma ishte 3 herë më e ulët se vitin e shkuar (7.22%) kur kursi i këmbimit ishte në ekuilibër. Banka e Shqipërisë numëron si faktorë fuqizimin e eksporteve, rritjen e dërgesave të emigrantëve, flukset që sjellin turistët dhe investimet e huaja, por  të dhënat zyrtare konfirmojnë se sasia e hyrë prej tyre në valutë nuk kalon vlerën 1.5 miliard euro. Kjo sasi nuk justifikon tërësisht 1.83 miliard euro që qarkulluan në pikat e këmbimit valutor në këtë periudhë dhe afro gjysëm miliardi dollarë.

Sasi të larta të konvertimit të valutës ka patur dy vitet e fundit edhe për monedhën amerikane. Gjatë vitit 2022 u konvertuan 1.92 miliard USD dhe 470 milion USD janë këmbyer në tremujorin e parë të vitit. Dy vitet e fundit sasitë e dollarit që kanë qarkulluar në tregun valuator janë rritur me 25%, ndërsa vlera e tij në treg është ulur në 94.5 lekë nga afërisht 110 lekë që ishte në muajin janar.

Vitet e fundit në Shqipëri ka patur edhe prurje të stërlinës angleze e cila po ashtu ka humbur pikë përballë lekut. 1 paund sot në Shqipëri kushton 122 lekë, ndërsa dy vitet e fundit qarkullimi në treg është rritur me 60%.

Të gjitha këto të dhëna janë të përpunuara vetëm me flukset e deklaruara nga bankat dhe zyrat e këmbimit valutor. Shumë pika këmbimi nuk deklarojnë vlerën e plotë ose punojnë në “të zezë”, çka bën që sasia faktike e prurjeve të valutave të jetë shumë më e lartë. Megjithatë edhe me të dhënat zyrtare të deklaruara, faktorët e ekonomisë formale nuk arrijnë të shpjegojnë sasitë e larta të qarkullimit të euros, dollarit dhe paundit.

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e rendit Shqipërinë si një nga vendet kryesore të tranzitit të lëndëve narkotike në Europë, kontinent që përdor në masë euron. Raporti vinte në dukje fuqizimin e grupeve kriminale shqipfolëse në Amerikën Latine, shtete që zhvillojnë tregtinë me dollarin amerikan. Paratë me burime joformale nga grupet shqiptare që merren me krimin lokal në Britaninë e Madhe mendohet të kenë rritur edhe prurjet e stërlinës në treg vitet e fundit. Sipas të dhënave zyrtare, ekonomia shqiptare përdor në masë paranë “cash” dhe fluksi vjetor i qarkullimit të parasë jashtë kanaleve zyrtare është 3.6 miliard euro, duke zënë 25% të GDP-së së vendit.

Postime të ngjashme
Économie

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min de lecture
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Économie

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min de lecture
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Économie

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min de lecture
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…

Laisser un commentaire

×
Économie

Bankat shqiptare me fitimet më të larta në Europë