Vajza adoleshente që shemben në tokë pasi kanë thithur oksidin e diazotit brenda tullumbaceve. Të tjerë të rinj që reklamojnë në rrjetet sociale gazin “çudibërës” dhe efektet e tij, madje duke shpjeguar edhe sa kushton e ku mund të gjendet. Janë këto imazhet tronditëse që po godasin rrjetin gjithmonë e më shumë ditët e fundit, ndërsa shihet se përdoruesit janë adoleshentë dhe të rinj jo më shumë se 15 apo 17 vjeçar.
Droga e re tashmë me kosto fare të ulët mund të gjendet nga të gjithë, edhe pse nuk klasifikohet drogë. Me 90 mijë lekë të vjetra mund të helmohen plot 45 të rinj.
Protoksidi i azotit është në fakt një gaz që është përdorur që në vitet 1700 si anestetik, por i njohur gjithashtu edhe për ndjesinë e euforisë që shkakton nëse thithet. Zakonisht tregtohet i lirë në bombola të vogla dhe përdoret si anestezi në spitale apo klinika dentare, por edhe në industrinë ushqimore për paketimin e panës.
Ndërkohë ata që e përdorin për efektet e tij psiko-aktive arrijnë ta marrin përmes thithjes nga tollumbacet.
Edhe pse nuk është klasifikuar si drogë, protoksidi i azotit është një përbërje e dëmshme për shëndetin. Mjekët tregojnë se ai prek kryesisht mushkëritë, trurin e zemrën dhe dëmet mund të shkojnë deri në vdekje. Ky gaz është në gjendje të shkëpusë oksigjenin nga gjaku duke bërë që truri të mos furnizohet me oksigjen, por me substancën që përthithet. Dëmton gjithashtu rruazat e kuqe të gjakut.
Edhe pse një aksion i Policisë së Shtetit njoftoi ndalimin e personave të përfshirë në tregtimin e kësaj substance tek të rinjtë, fenomeni sigurisht që nuk është ndaluar vetëm me izolimin e disa shpërndarësve.
Është e qartë që një aksion policie nuk mund të ndalë rubinetin e hapur të këtij problemi, ashtu sikurse është e qartë se deklarata e Ministrit të Brendshëm që do të bashkëpunohet me Prokurorinë dhe konsultimin e mjekëve ekspertë të fushës për klasifikimin e rrisqeve që sjell kjo lëndë tek shëndeti i të rinjve, nuk është e mjaftueshme.
Fenomeni që për fat të keq është përhapur edhe përmes rrjeteve sociale është tronditës për çdo prind, që fëmijën e tij e dërgon në shkollë, por që nuk di se ç’ndodh me të, qoftë edhe brenda mureve të shkollës.
Ndaj për të parandaluar pasojat katastrofale duhen veprime të shpejta dhe konkrete që nuk ndalen thjesht dhe vetëm tek shitësit e vegjël të këtij gazi, por që shkojnë në bllokimin e të gjithë mekanizmave që mund ta dërgojnë atë tek të rinjtë.
Duhet nisur menjëherë me një vendim për ndalimin e blerjes apo posedimit të protoksidit të azotit, ashtu sikurse bëri Holanda qysh në janar të vitit 2023, apo ashtu sikurse po konsideron të veprojë Britania e Madhe, për të njëjtat arsye.
Është e qartë se tek ne ka një vakum ligjor, që mundëson tregtimin dhe përdorimin e pakontrolluar të këtij gazi tek të rinjtë dhe adoleshentët.
Ndaj është imediate nevoja për një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë për ta konsideruar si drogë dhe më pas nevojitet një draft i plotë ligjor për të ndaluar shitjen apo përdorimin e këtij gazi në mënyrë të pakontrolluar. Institucionet tona nuk mundet të qëndrojë në heshtje apo pasive për shkak të padijes, paaftësisë apo mosdëshirës për të vepruar, kur është fjala për situata të rëndësishme që prekin drejtpërdrejtë pjesën më të brishtë të shoqërisë dhe pikërisht adoleshentët.
Është për të ardhur keq, që mbi këtë fenomen nuk sheh as protesta dhe as reagime të shoqërisë civile, që në fakt duhej të ishte e para që të ngrinte zërin e të mbronte adoleshentët. Fatkeqësisht edhe qyetarët tanë që prej një jete denoncojnë, spiunojnë, me ankesa e video nëpër portalet e bashkëqeverisjes, duket se kur është fjala për fëmijët e tyre janë të ftohtë e të pandjeshëm.
Ndaj, përveç një akti ligjor që do të pengonte shitjen e lirë dhe përdorimin e gazit të azotit do të duhej të shtonim apo dyfishonim dënimin për ata që shesin dhe shpërndajnë drogë tek adoleshentët deri në moshën 18 vjeç. Dhe për të parandaluar gjithçka do të ishte e domosdoshme vendosja e kamerave në ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollave si dhe krijimi i një Departamenti të Policisë së Shtetit për mbrojtjen e fëmijëve në shkolla, ku një efektiv policie, pa uniformë, por i veshur civil, mund të qëndrojë brenda ambjenteve të shkollës për të survejuar dhe mbajtur cilindo që guxon të rrezikojë qetësinë dhe jetën e fëmijëve tanë.
Që nesër të mos qajmë, duhet të veprojmë sot! Sepse të gjithë ne, përpara se të jemi sipërmarrës, deputetë, ministra apo drejtorë jemi prindër.
Përse ligjvënësit tanë duket sikur e kanë harruar këtë përgjegjësi dhe shfaqen kaq indiferentë e të pandjeshëm, kaq të mefshtë dhe të paaftë?! Ato tollumbace të lëna pa vëmendje sot, janë rrezik për cilindo, që angazhimin prindëror e sheh si detyrë dhe përgjegjësi. E nëse autoritetet tona, ligjvënësit tanë, nuk kanë sot ndjeshmëri për fëmijët , çfarë duhet të presim ne prej tyre?