Lajmi i ditës

Kadastra/Çfarë ka ndodhur dhe si zgjidhet?!

4 Min lexim

Fushata e socialistëve në vitin 2013, zgjedhje të cilat i sollën në pushtet, përveç korrupsionit të lartë, detyrimeve ndaj kompanive private, mungesës së ujit 24 orë apo vështirësive të shumta ekonomike, i mëshoi një plage të vjetër për shqiptarët: pronat. “Si ka mundësi që një parti që ka 8 vjet në pushtet të premtojë akoma regjistrimin e pronave?!” do të pyesnin në atë kohë opozitarët. Zgjidhjen e kësaj çështje, bashkë me legalizimet sipas programit elektoral, por dhe atij qeverisës do ta bënin brenda mandatit të parë.

Që atëherë ka kaluar një dekadë, por çështja e pronave nuk është zgjidhur dhe vetë institucioni që adreson këto probleme ka kaluar në një valë të gjatë tranzicioni për të mbërritur në pikën që jemi sot: mijëra aplikime dhe për procedurat më të thjeshta në kadastër po mbeten pa përgjigje.

Fillimisht Agjencia e Legalizimit të ndërtimeve pa leje shtyu afatet e përfundimit të këtij procesi me 5 vjet shtesë, e më pas, fakti që shqiptarët vazhdojnë të ndërtojnë pa leje u pranua institucionalisht dhe datat e përfundimit të këtij procesi vazhdojnë të shtyhen. Më pas, u kërkua bashkimi në një njësi e hipotekës me legalizimet, në mënyrë që këto çështje të zgjidheshin. U prezantua nisma e dixhitalizmit të hartave të kadastrës, që të mos ndodhnin më ndryshime të kufirit të pronave, por edhe kjo duket se është shtyrë në kohë pa patur një datë se kur sistemi dixhital i hartave do tëjetëi përfunduar tërësisht.

Një vit më parë, nisma për heqjen e shërbimeve nga sportelet shtetërore dhe ofrimin e tyre online nga shumica e institucioneve përfshiu dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kjo u pompua me të madhe jo vetëm nga ish kreu i Kadastrës Artan Lame, por dhe nga vetë kryeministri. Por nuk ishte tërësisht e saktë. Vetëm një pjesë e shërbimeve ofroheshin online dhe kryesoret vijonin të ishin fizikisht. Dhënia e lajmit për kadastrën online zhduku dhe përdorimin e sistemit “Fast Track”, një shërbim që ofrohej më herët nga agjencia për aplikimet bazike, i cili gjurmonte ecurinë e tyre dhe detyronte punonjësit të kthenin përgjigje brenda 24 orëve ose maksimumi për 1 javë. Sistemi rikthehet sërish në punë dhe nis të ofrohet me pagesë për qytetarët që kërkojnë përgjigje të shpejtë dhe jashtë radhe.

Historia përsëritet, kadastra përsëri “online”.

Në verën e këtij viti kryeministri i shoqëruar nga drejtuesja e re e Kadastrës, Dallëndyshe Bici, njofton se tashmë të gjitha shërbimet e kësaj agjencie do të bëhen online. Kontakti fizik me punonjësit, por dhe sekserët që enden përreth agjencisë do të mbaronte, duke zgjidhur kështu problemet e korrupsionit me këtë institucion. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, nëse sistemi i ri  nuk do të akumulonte një stok prej 40 mijë aplikimesh dhe do të krijonte vonesa dhe bllokime për qytetarët. Prej më shumë se 2 muajsh mijra qytetarë presin të bëjnë regjistrimin e pronave, shitjen dhe blerjen e tyre apo lënien kolatarel në banka, por kadastra nuk kthen përgjigje edhe pse afatet janë tejkaluar disa herë. Tregu imobiliar sot është i paralizuar dhe po ashtu edhe tregu bankar, duke qënë se 70% e kredidhënies në Shqipëri përqëndrohet me kolateral pasuritë e patundshme.

Çfarë ka ndodhur?

Sipas informacioneve zyrtare brenda Agjencisë së Kadastrës, problem kryesor lidhet me sistemin e ri që bën shpërndarjen automatike të kërkesës që ka një subjekt. Nëse dikush nga Tirana aplikon për të regjistruar banesën në Tiranë, fillimisht kërkesa e tij duhet të skanohet. Ky proces merr një kohë të gjatë pasi nuk lidhet direkt me aplikimin e noterit në momentin që duhen materiale shtesë. Pas regjistrimit dhe hedhjes në sistem (shporta), bëhet shpërndarja automatike. Në këtë moment një kërkesë nga një rajon në Tiranë, mund të shkojë te dega e kadastrës në Bulqizë apo Fier dhe specialistët atje nuk e njohin mirë hartën si një specialist që punon prej vitesh në një zonë në kryeqytet. Një tjetër problem që ka dale,është vështirësia për të punuar online, kur jo të gjitha hartat janë dixhitale. Për të bërë rakordimin e sipërfaqes nga kompjuteri në letër, kërkohet kohë dhe shumë punonjës nuk arrijnë të kapin afatet. Aplikimi i sistemit të ri ka sjellë një stok të lartë aplikimesh që nuk janë prekur me dorë dhe po çon në kolaps funksionalitetin e institucionit.

Zgjidhja dhe e shkuara.

Kryeministri Edi Rama nuk pranoi se bllokimi i Kadastrës ka ndodhur për shkak të sistemit online. Më shumë se me atë që po ndodh sot, gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ai drejtoi gishtin nga e shkuara dhe ata që kishin zaptuar më parë këtë institucion, duke e lidhur indirekt me stafin që ka punuar njeriu më i besuar i tij në këtë fushë, Artan Lame. Kryeministri ka të drejtë të thotë që ka korrupsion në kadastër dhe është i mirëpritur edhe për ndjesën që i ka kërkuar një muaj më parë qytetarëve për këtëçështje, por ai duhet të ofrojë zgjidhje konkrete dhe jo vetëm terma të përsëritur ndër vite siçështë fjala “online”, e cila mund të ketë qëllim të mirë, por sot po prodhon kaos. Problemet në kadastër dhe mbivendosjen e pronave marrin fund kur të gjithë hartat të bëhen dixhitale dhe korrupsioni zgjidhet kur puna e punonjësve të shpërblehet në bazë të performancës që kanë në numrin e çështjeve që shqyrtojnë. Kadastra është një institucion që mbledh të ardhura nga tarifat për shërbimet që jep, nëse një pjesë e tyre do të shkonin për bonuse për punonjësit, nuk do të kishim as korrupsion dhe as zvarritje!

Postime të ngjashme
AktualitetLajmi i ditës

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min lexim
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Lajmi i ditës

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min lexim
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…
Lajmi i ditësSociale

Për engjëllin e vogël që ra në shtratin e vdekjes dhe nuk u zgjua dot më kurrë!

2 Min lexim
Sot jam i mbushur si asnjëherë tjetër! Jam plot mërzi, keqardhje, pikëllim, zhgënjim dhe urrejtje, me veten dhe me gjithë ata që…

Lini një Përgjigje