Politikë

“Ndryshe flet, ndryshe vepron”, hipokrizia e PD me aferën e inceneratorëve! Pse e votuan kundër raportin e kuvendit?

5 Min lexim

Afera e inceneratorëve mund të konsiderohet si më e madhja në tre dekada pluralizëm në vendin tonë, pasi në të janë përshirë  e akuzuar zyrtarë të niveleve të larta, madje dhe ish-numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj.  Një aferë e këtyre përmasave, do duhet të ishte një mundësi e “artë” për çdo opozitë. Por me sa duket, jo aq për tonën.

Edhe pse PD e drejtuar nga Lulzim Basha e kishte denoncuar vazhdimisht këtë aferë, ky denoncim humbi  vlerat dhe peshën me vetë shkatërrimin që sjellja e Bashës i solli në besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, pavarësisht ndarjes dhe sherrit brenda familjes, (i cili ende vijon) PD nuk hoqi dorë nga kauza e inceneratorëve edhe për faktin se me arrestimin e Lefter Kokës dhe thirrjen e zyrtarëve të lartë në SPAK, përmasat e skandalit po rriteshin. Në dukje, dy PD, ajo e Berishës dhe Alibeajt (Bashës) dukeshin të bashkuara në qëndrimet mbi inceneratorët, pavarësisht se vepronin në iniciativa të ndara.

Kujtojmë se pikërisht për këtë qëllim, më 28 Tetor 2021, me kërkesën e opozitës dhe votat e maxhorancës vetë, u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar. Komisioni u drejtua nga demokratja Jorida Tabaku, në atë kohë mbante dhe detyrën e nënkryetares së PD zyrtare.

Roli i këtij Komisioni do të ishte kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve administrative dhe procedurës së ndjekur nga ana e organeve ekzekutive në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane në Tiranë, Elbasan dhe Fier si dhe verifikimin e pasojave ekonomike në buxhetin e shtetit shqiptar. Kujtojmë se në këtë komisioni janë pyetur zyrtarë të lartë, ministra dhe ish-ministra, madje dhe vetë kryeministri Edi Rama.

Ai  u trumbetua nga PD si një komision që do të nxirrte në dritë personat e korruptuar, paratë e vjedhura dhe të gjitha shkeljet ligjore. E kundërta ndodhi. Ky komision nuk prodhoi asgjë të re nga ato që kishin dalë në media deri në atë kohë. I vetmi lajm i këtij komisioni ishte që vetë Rama nuk refuzoi që të shkonte të dëshmonte, por u paraqit.

Pas katër muajve hetime, komisioni doli me dy raporte një i PS e tjetri i PD. Opozita në 120 faqet e saj që iu bashkëngjitën raportit të mazhorancës si “mendim i pakicës” pretendoi se faktoi të gjitha akuzat e saj fillestare për “grup të strukturuar kriminal”, “skemë korruptive” dhe “pastrim parash” për të paktën 50 zyrtarë shtetërorë dhe përfaqësuesit e kompanive që kanë përfituar këto kontrata.

Raporti i PD shkoi në Kuvend më 10 mars të vitit 2022 për të marrë dhe miratimin e ligjvënësve për “gjetjet” që kishte nxjerr hetimi i komisionit. Votimi i këtij raporti zbuloi se sa serioze ishte PD në hetimin parlamentar që kishte bërë dhe sa e vendosur ishte ajo për të shkuar më tej në akuzat e saj. Ndarja e selisë blu u reflektua edhe në komisionin hetimor e konkretisht në votimin e  raportit të komisionit në parlament.

Raporti i Partisë Demokratike për hetimin mbi inceneratorët u rrëzua me 84 vota kundër dhe 27 vota pro, kundrejt raportit të mazhorancës që mori 76 vota pro dhe 34 vota kundër. Pra, për rrëzimin e raportit të PD nuk votuan vetëm deputetët e mazhorancës, por dhe vetë të ligjvënësit e opozitës. Ajo çka e bën më qesharake këtë akt është se ata që votuan kundër ishin pikërisht ata deputetë të PD-së që kanë ngritur zërin në seli dhe në kolltuqe emisionesh televizive më shumë nga të tjerët, lidhur me aferën e inceneratorëve.

Deputetët e PD që votuan kundër raportit të partisë së tyre ishin Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Albana Vokshi, Agron Shehaj dhe Isuf Çelaj. Për të mbështetur zërin kundër të opozitës për raportin e hartuar nga vetë opozita, votuan kundër raportit dhe dy deputetë të LSI (Partia e Lirisë sot) Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho.

Për më tepër, deputetët e tjerë të PD së “Rithemelimit”, bashkë me Sali Berishën, nuk morën pjesë në votim. Në procesin e votimit nuk morën pjesë dhe deputetë të PD-së zyrtare si Oriola Pampuri, Alfred Rrushaj apo Grida Duma, ndërsa dy të fundit dorëzuan mandatin e tyre të deputetit pak muaj më vonë.

Projektvendim “Për miratimin e raportit përfundimtar të pakicës
(DEPUTETË TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE) të Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të organeve publike në procedurat për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane”.

REZULTATI I VOTIMIT

E ndërsa SPAK ka tashmë në duar një dosje të plotë hetimi lidhur me inceneratorët, teksa shohim votimin që grupimi i Berishës i bëri raportit në kuvend e në anën tjetër dëgjon sot deklaratat e këtij grupimi për çështjen, pyetja që vetiu ngrihet është: A mund të besojmë vërtet se PD e Berishës e do hetimin e aferës së inceneratorëve? Si mund të “vjellësh” akuza nga mëngjesi deri në darkë dhe vetë të mos votosh ose të votosh kundër një hapi, që e çon para hetimin? Sa e vërtetë është PD dhe Berisha kur kërkon hetimin e inceneratorëve? Përgjigjen e këtyre pyetjeve e ka dhënë votimi i tyre më 10 mars të vitit 2022.

Edhe më i rëndë është fakti se vetë Belind Këlliçi, i cili ishte anëtar i Komisionit Hetimor, votoi kundër raportit që PD dërgoi në Kuvend. Ai argumentoi se votoi kundër, pasi Tabaku ia kishte dërguar raportin pasi kishte nisur seanca plenare për votim dhe se nuk kishte patuar kohë që të njihej me të dhënat që kishte nxjerr komisioni. Ky justifikim u përdor me radhë edhe nga deputetët e tjerë të PD.

Por sa e vërtet është kjo?

 Edhe sikur Tabaku, drejtuesja e komisionit hetimor t’ia kishte dërguar me vonesë raportin, a nuk do të mjaftonte për një deputet të opozitës fakti, që ky raport është kundër mazhorancës dhe se mbështet të gjitha ato akuza që ai vetë ka ngritur vazhdimisht ndaj inceneratorëve?

E si të mos mjaftonte kjo, hipokrizia edhe më e madhe është se Belind Këlliçi mbajti fushatën e zgjedhjeve lokale të 14 majit me akuzat e inceneratorëve duke i vendosur vetes një standard të dyfishtë.

Natyrshëm lind pyetja: A kanë patur përfitime, qëllime apo interesa këta deputetë që i futën thikën pas shpine raportit të “shtëpisë” së tyre? Si mund të akuzosh çdo ditë mazhorancën si të përfshirë në korrupsion dhe në parlament nuk voton raportin kundër këtij korrupsioni? A ka ndonjë qëllim për të cilin është kryer ky veprim?

A po përpiqej vota e raportit të mbulonte diçka që me sa Partisë Demokratike dhe vetë Sali Berishës nuk i ka interesuar të bëhet publike? A ka në dosjen e prokurorisë funksionarë, zyrtarë apo eksponentë të PD që janë përfshirë në aferë, sikurse flitet? Cila është arsyeja, që PD dhe Berisha pavarësisht retorikës së ashpër dhe akuzave, mban një qëndrim më të zbutur ndaj Arben Ahmetajt? A duhet t’i besojmë partisë që akuzon qeverinë, por kur vjen çështja në votim bashkon votat me të? Këto janë pyetje që duhet t’ju japin përgjigje deputetët e PD. Kjo parti duhet të sqarojë qëndrimin e vërtet të saj ndaj aferës së inceneratorëve, pasi ndryshe flet e ndryshe vepron.  Mjafton një shikim kaq sipërfaqësor, për të kuptuar hipokrizinë e opozitës dhe arsyet e humbjeve seriale në zgjedhje.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

×
Politikë

“Përgjegjësia jo individuale”, standardi i dyfishtë i Arben Ahmetajt