Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim

Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri, sfondi të vishet me mister i cili reflekton ankth tek të gjithë. A do të ketë ndryshime? Kush do të lëvizë? Jam unë ai? Po unë do të gradohem, tek e fundit kam kaq vjet që punoj e kontribuoj? Çfarë do të bëjmë këtë vit dhe çfarë orientimi do të kemi?

Edhe fjalimi dhe sfidat që vendos për sezonin e ri të qeverisjes janë një mister më vete. Askush nuk e ka lexuar më parë, askush nuk e ka dëgjuar. Çdo gjë funksionon si një skenar filmi i vjetër: socialistët mblidhen, disa shigjetohen pa iu përmendur emri, disa të tjerë ngrihen në piedestal dhe ndryshimet janë surprizë. Por surpriza e vërtetë që u shfaq te elita socialiste në Asamblenë e shtatorit ishte kthesa me 180 gradë që kryeministri Edi Rama mbajti në raport me drejtësinë. “Nuk ka asnjë shans që kjo qeveri dhe parti të pengojë Spak-un që të bëjë luftën kundër korrupsionit”. Kjo fjali që mund të duket si një ndryshim formal i retorikës politike dhe qasjes publike me drejtësinë, në fakt ishte një mesazh që ka fshikulluar pjesën më të madhe të zyrtarëve të lartë të sotëm.

Nëse një vit më parë kryeministri do të kërkonte që hetimet për korrupsion të ishin gjithëpërfshirëse duke kërkuar nominalisht procedim penal për Sali Berishën dhe Ilir Metën, këtë herë ai zgjodhi të mos shoh ngjyrën politike të atij që bie në rrjetën e drejtësisë.

“Partnerët tanë e futën peshkun si simbol, duke folur për peshq që do kapen, skuqen, konsumohen. Eshtë realisht tallje e madhe që SPAK deri tani përdor vetëm një lloj grepi e vetëm për një lloj peshku. Madje pa e pasur problem fare të gjuajë dhe cironka me dinamit. Duket se nuk ka as vullnet për t’a përdorur dinamitin për peshkaqenët!” deklaroi Rama në Asamblenë e PS në maj të vitit të shkuar. Sot, duket se diçka ka ndryshuar. Puna e drejtësisë nuk po vihet më në diskutim nga kryeministri dhe i cili zbuloi për herë të parë se në fakt ndihej mirë kur këto institucione fshinin këdo që në dukje punonte për popullin, por në fakt kishte vjedhur në kurriz të djersës së qytetarëve dhe emrit të Partisë Socialiste.

Kjo ishte fjalia që jo vetëm ka frikësuar qindra zyrtarë të lartë, por që po i hap rrugën një vallëzimi të ri, një tangoje pasioni që kryeministri duket se është detyruar t’a kërcejë me drejtësinë. Këtë radhë ndryshe nga vitet e tjera, partnerin nuk e ka zgjedhur vetë, por ia kanë caktuar dhe me të gjithë gjasat rolin e dominantit do ta bëjë Prokuroria e Posaçme. Të  tjerët janë do të mbeten  spektatorë që shijojnë shfaqen dhe disa do të vuajnë pasojat e bashkimit të kësaj dysheje.

Fillimisht u duk sikur në rrjetën e SPAK-ut po binin ata që kryeministri nuk i kishte punët mirë dhe nga lart urdhëronte persekutimin. Kjo fabul u përforcua jo vetëm nga aktorët politikë por dhe nga një prej zyrtarëve më të lartë që sot po përballen me drejtësinë, ish-zv/kryeminstri Arben Ahmetaj. “I them kryeministrit të mos bëjë gjykatësin, por kryeministrin” do të shprehej disa muaj më parë Ahmetaj, por duket se sa më shumë koha kalon, aq më shumë kjo tezë po rrëzohet.

Në hetimet e SPAK kishte 3 vjet e gjysëm që hetohej koncesioni i sterilizimit, për të cilin për plot dy vjet prokurorët nuk kanë bërë asnjë veprim me përjashtim të disa personave të pyetur. Presioni ndërkombëtar bëri që prokurorët të përshpejtonin veprimet dhe të merrnin vendimin për të çuar në gjykatë kërkesën për arrestimin e ish-zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj bashkë me biznesmenin që ka tortën më të madhe te kontrata me vlerë 100 milion euro Ilir Rrapja. Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duket se shpëtoi, por dhe këtu fuqia e kryeministrit dhe ndikimi i tij mbi një numër të kufizuar prokurorësh do të rrëzohej nga Gjykata e Posaçme. Gjykatësi urdhëron hetim për Ilir Beqaj dhe ish-ministrin e Financave Shkëlqim Cani. Në po këtë vendim ai le detyrë hetimin për korrupsion.

Njëkohësisht me këto ngjarje duket se SPAK pasi ka vënë nën sekuestro portin Marina Limion në Sarandë dhe po heton në këtë procedim marrjen në mënyrë të paligjshme të pronave të ushtrisë, detyroi që kryeminstri të largonte nga detyra ministren e Jashtme Olta Xhaçka, një figurë që ka pikë politike në Partinë Socialiste si nga dedikimi personal dhe nga angazhimi i bashkëshortit të saj që është një zyrtar historik në PS.

Një tjetër hetim i zyrës së mashtrimit financiar OLAF pranë Europol për abuzimin me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë, i kushtoi karrigen ministres së Bujqësisë Frida Krifca. SPAK ka nisur hetim për këtë aferë

Dalja në udhëtime me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në dosjen e Prokurorisë së Posaçme për Arben Ahmetaj le përshtypjen se larguan si Sekretar të Përgjithshëm të socialistëve Damian Gjiknurin, një bashkëudhëtar të çmuar të Ramës që nuk e ka zhgënjyer asnjëherë në fitore të vogla e të mëdha të PS-së.

Tashmë duket se Rama nuk e di se kë ministër do të ndryshojë dhe kë do të largojë. Lëvizjet janë të shpejta njësoj si fjalitë e shkurtra që nuk dhanë arsye për ndryshimet e fundit që bëri në kabinetin e tij dhe që lajmet të mos e zënë të papërgatitur po mundohet të vendosë në qeveri persona teknikë, të panjohur për publikun dhe të papërfolur për korrupsion. Kjo mund ta mbajë në pushtet dhe për një mandat tjetër, pasi drejtimin e tangos nuk e ka më ai. Mesazhi që dha në Asamblenë e vjeshtës ishte i qartë:

Po i vjen fundi një sistemi ku të gjithë jetonin me krimin dhe korrupsionin duke u pasuruar qetësisht me arrogancën paprekshmërisë! Tashmë ka nisur operacioni i pastrimit dhe lojën nuk e kam më unë në dorë!

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Kontradiktat e dosjes së sterilizimit

2 Min lexim
Dosja hetimore e sterilizimit zbulon lidhje të ish-zv/ministrit të Shëndetësisë me pronarët e kompanisë koncesionare. Hetimet vërtetojnë se njohje me ta kishte…

Lini një Përgjigje

×
Lajmi i ditës

Shfaqja e shëmtuar e Saimir Vishës këmbanë alarmi! Koha për vetting të thellë edhe tek avokatët