Lajmi i ditës

Shfaqja e shëmtuar e Saimir Vishës këmbanë alarmi! Koha për vetting të thellë edhe tek avokatët

3 Min lexim

“Ça frakture ke ti, ti do dëmshpërblim”. Ishin këto vetëm disa nga fjalët e avokatit Saimir Visha teksa në studion e Euronews Albania përballej me Jashar Majën, viktimë e dhunës së anëtarëve të familjes Rraja dy muaj më parë.
Ndërsa në media mori zë lajmi për lehtësimin e akuzës ndaj dhunuesve nga ana e prokurorisë, Jashar Maja, një prej kushërinjve të dhunuar deklaroi se do të bënte ankimim për këtë vendim të prokurorisë, që sikurse tashmë është e ditur u mbështet në një ekspertizë mjeko-ligjore.
Të rrahur dhe dhunuar përpara kamerave, ku gjithçka u vërtetua përmes një videoje të publikuar në rrjet, Jashar dhe Bilbil Maja u përballën së fundi edhe me një sjellje tipike klienteliste të avokatit.
Një emër i njohur në botën e avokaturës, ku ndër të tjera palë mbrojtëse edhe për ish-ministrat Fatmir Mediun apo Lefter Koka, avokati Saimir Visha ka lënë të shokuar jo vetëm Jashar Majën që e kishte përballë, por thuajse të gjithë audiencën që ka dëgjuar diskursin e tij.
Duke kuptuar dhe mirëkuptuar shqetësimin e zotit Visha për klientët e tij problematikë e gjithashtu faktin që ndoshta profesionin e tij e konsideron thjesht si një biznes, për fat të keq duhet t’i rikujtojmë se ky lloj biznesi i përket një sektori tepër delikat dhe sensitiv. Le të themi më shqip: Nuk po shesim patate apo qepë, që edhe nëse na kalbet ndonjë nuk është humbje e madhe, por pavarësisht lekëve që klienti i tij i jep, po flasim për drejtësi, baza dhe shtylla e një sistemi demokratik. E në rast se ajo nuk jepet, jo vetëm që lëndon dhe kthehet në precedent, por krijon hapësirë për vetëgjyqësi.
A i kishte parasysh të gjitha këto Saimir Visha teksa me ftohtësi, qetësi, indiferentizëm e gati -gati deri në nënçmim i ofronte Jashar Majës një kafe ditën e shtunë?
Duke u kujdesur të theksonte fort pozicionin e tij profesional, që me sa duket e bënte të ndjehej mbi të dhunuarin, Saimir Visha iu drejtua Majës me fjalët: Sa vjeç je ti unë e kam titullin.
Ndërsa Jashar Maja ka kërkuar rishikimin e vendimit të prokurorisë për zbutjen e akuzës nga plagosje e rëndë në të lehtë (fakt që me sa duket është marr parasysh pasi prokuroria kërkoi ekspertizë të re mjeko -logjiore), ajo që ka tronditur këdo që e ka parë emisionin ka qenë përgjigja e Saimir Vishës: “Çfarë do bësh ti? Ke një kartë të të drejtave të viktimës ti”?
Me të drejtë përgjigja e Jashar Majës erdhi natyrshëm. Teksa kujtoi që Rrajat kanë qenë njerëz të lidhur me pushtetin, ai u shpreh: Jam qytetar i thjeshtë. Nesër do të marr pistoletën dhe do bëj të njëjtin akt që bënë ata? Sa do të dënohem unë?

Duke intimiduar, duket se në pamje të parë Saimir Visha po përpiqej të mohonte një video që e panë miliona shqiptarë me zë dhe figurë. Por në fakt përtej kësaj, ai po përpiqej me çdo mënyrë të pastronte klientët e tij, duke kërcënuar thuajse në mënyrë të hapur një qytetar të thjeshtë të këtij vendi.
Ndërsa në radhët e shoqërisë civile janë ngritur tashmë zërat që kërkojnë nga dhoma e avokatisë heqjen e liçencës për zotin Visha, pyetja që ne kemi është: A do të mundej Saimir Visha si avokat i fisit Rraja të fliste në këtë mënyrë edhe në sallën e gjyqit? A e ka thyer ai kodin etik të profesionit të tij tij dhe bashkë me të edhe ligjin, duke kërcënuar palën tjetër? A është përpjekur Saimir Visha të ndikojë gjithë zhvillimet ligjore të çështjes me sjelljen e tij?
E pavend dhe e paprecedentë, duket se në fakt sjellja e Saimir Vishës është një indicje për të hedhur sytë edhe tek avokatët si pjesë e sistemit të drejtësisë dhe nevoja për një vetting të tyre, jo vetëm të pasurisë, por edhe të integritetit dhe profesionalizmit. Ndoshta vetëm atëherë, Visha e të tjerë si ai, do të kuptonin se të kërcënosh një njeri rrezikon të të kthejë nga avokat në klient.

Postime të ngjashme
AktualitetLajmi i ditës

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min lexim
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
AktualitetLajmi i ditës

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min lexim
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Lajmi i ditës

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min lexim
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…

Lini një Përgjigje

×
Dritan GremiTurizëm

Imazhi i ri i Shqipërisë motivi kryesor i boom-it turistik!