Popullsia e banorëve të Tiranës rritet çdo vit me progresion mesatar 1.4% në vit. Vetëm gjatë dekadës së fundit, numri i banorëve të rinj të kryeqytetit është shtuar me 127 mijë banorë (35 mijë familje më shumë). Sot në Tiranë jetojnë, punojnë, shëtitin, nxitojnë dhe kërkojnë më pak stres 925.268 banorë. Pra, rreth 1 milion njerëz dhe më shumë se 1/3 e popullsisë së vendit.
Ndërtimet pa plan, pa parkime poshtë pallateve dhe më qëllim fitimin e ndërtuesve pa vizion, janë shkaktarët kryesorë të kaosit në qytet, por jo të vetmit. Oreksi për të ndërtuar dhe shfrytëzuar çdo shesh dhe shtëpi të vjetër vijon të mbetet si më parë: kush të fitojë më shumë, pa pyetur për cilësinë e jetës së tjetrit dhe pa menduar as për veten. Kjo është një arsye e fortë se përse dëshira për t’u larguar nga Shqipëria mbetet e madhe. Kaosi, rruga pa trotuare, cilësia e ajrit nga trafiku dhe ankthi që të krijon qyteti shtyn çdo ditë dikë që të zgjedhë të jetojë më mirë në një vend tjetër. Kjo është një arsye e fortë që sot të nisë puna për të zgjidhur këtë plagë sociale të Tiranës. Jo se ata që janë sot në krye të bashkisë kanë faj për gabimet e së shkuarës, por sepse vetëm ata mund t’i japin zgjidhje. Sot nuk është koha që të tregohet gishti nga historia, por të shpjegohet strategjia se si do të zgjidhet ky problem.
1 parkim për 1 pallat
Tirana ofron 12.543 vende parkimi mes shesheve dhe rrugëve të qytetit ku 40% e tyre mund të përdoren vetëm nga rezidentët dhe nga këto vetëm 1.430 vende për përdorim nga të gjithë. 6.668 të tjera me pagesë të ndara në kategoritë A, B dhe C. Pagesa nis nga 20 lekë në orë për lagjet periferike deri në 50 lekë/orë në zonën B dhe100 lekë për qendrën dhe pjesën e qytetit brenda Unazës së Vogël.
Në total Tirana janë 13.857 vende publike për të parkuar makinën, në një qytet që çdo ditë qarkullojnë 150.000 makina nga 220 mijë që janë të regjistruara. Me këto kapacitete raporti mes mjeteve që qarkullojnë dhe vendeve të parkimit është 8 me 1. Misioni duket më i pamundur po të krahasohet me numrin total të makinave të regjistrura në kryeqytet: 1 parkim për 15 makina. Po të shihej kapaciteti me numrin e popullsisë pa llogaritur turistët dhe ata që vijnë nga rrethet për vizita pune, do të rezultojë se ka vetëm 1 vend parkimi për 18 familje. Pra, vetëm 1 vend parkimi publik për pallat!
Bashkia nisi të investojë për herë të parë në ndërtimin e shesheve publike në vtin 2015 me ardhjen në krye të bashksië së Erjon Veliaj. Sheshet menaxhohen nga Tirana Parking dhe ofrojnë në total 342 vende për automjetet. Në 4 zona të tjera është investuar për të ndërtuar parkingje nëntokësore të cilat kanë në 972 vende. Edhe pse kanë ndihmuar në zgjidhjen e parkimit dhe lirimit të hapësirave publike, janë sërish pak në krahasim me atë që i nevojitet qytetit dhe cilësisë së jetës së banorëve.
Parkingjet publike në sheshe | Vendet | Viti |
Stadiumi Dinamo | 84 | 2015 |
Qyteti Studenti | 100 | 2017 |
Pallati i Sportit “Asllan Rusi” | 70 | 2017 |
Pazari i Ri | 28 | 2018 |
Liqeni Artificial | 60 | 2018 |
Parkingjet publike nëntokësore | Vendet | Viti |
Bulevardi i Ri | 328 | 2015 |
Sheshi “Skënderbej” | 300 | 2017 |
7-Xhuxhat | 146 | 2017 |
Pazari i Ri | 198 | 2018 |
Zgjidhja: “Parkime Sociale”.
Nocioni “parkim social” lidhet me konceptin e një jete më të mirë dhe që adreson probleme sociale. Sot çështja e parkimit nuk është vetëm dilemë, por shqetësim për shëndetin mendor, rrëmbim i kohës dhe shkaktar i kaosit në jetën e banorëve, mungesë e shërbimeve që qyteti duhet t’i ofrojë qytetarëve, që nga trotuari e deri te bulevardet e gjëra që eleminojnë trafikun.
Nuk është asnjëherë shumë që të nisësh dhe të investosh për të ndërtuar 30 parkingje të mëdha sociale të cilat do të akomodonin nevojat për 10 mijë familje. Kosto e ndërtimit të tyre nëse bëhet me një projekt të kombinuar 15 sheshe dhe 15 parkingje nëntokësore mund të shkojë në 42 milion euro, por investimi jo vetëm që do ia vlente por edhe do të mund të shlyhej nëse një pjesë e tyre shiteshin në kosto (çmimi i ndërtimit).
Ndërtimi i një parkingu nëntokësor me 200 vende kushton mesatarish 2.5 milion euro dhe vendi i një parkimi që do të shitej për banorët e zonës në atë lagje do të ishte 13 mijë euro. Për atë që nuk do të blinte vendin mund të ofrohet shërbimi i qirasë mujore me çmim të butë 6-7 mijë lekë në muaj dhe administrimi i tyre të bëhej nga një kompani publike në pronësi të bashkisë Tiranë.
Bashkë me këtë strategji, bashkia e Tiranës ka mundësi që të ndjekë dhe një tjetër politikë duke kushtëzuar që marrja e lejes së ndërtimit për pallatet e reja të bëhet në këmbim të dhënies së një kati parkim që të shkojë për nevojat e bashkisë. Kosto e këtij kati për ndërtuesin mund të ulet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë që paguajnë kompanitë e ndërtimit dhe vendet të menaxhohen nga kompania publike që do të themelohej për këtë qëllim. Vendet mund t’i ofrohen me qira të përballueshme banorëve të zonës që kanë kartën e rezidentit, të cilët mund të paguajnë një tarifë modeste 200 lekë në ditë, e cila do të sillte edhe të ardhura për buxhetin e bashkisë. Një pjesë e vendeve që nuk do të merren nga rezidentët në këto pallate mund të përdoren për t’iu dhënë me qira qytetarëve që marrin shërbime nga zyra dhe aktivitete tregtare në ato zona.
E gjithë kjo strategji do të kërkonte përpunimin e të dhënave dhe evidentimin përmes një censusi të nevojave që ka çdo njësi bashkiake, rrugë apo lagje dhe projektimin e tyre duke llogaritur edhe zhvillimin që mendohet për atë zonë në të ardhmen. Pasi të ndodhë kjo, atëherë duhet t’i vijë radha sensibilizimit të qytetarëve dhe ndëshkimit të shkelësve. Stresin e qytetit menaxherët e bashkisë nuk duhet ta shfryjnë te gjobat por te politikat dhe strategjitë e mirëmenduara. Pasi t’i kenë bërë këto atëherë kanë të drejtë të ndërmarrin dhe aksione të dhimbshme me gjoba të larta dhe tolerancë zero. Por pasi “t’i kenë dalë nga borxhi!”