Politikë

ÇFARË FSHEHIN NDRYSHIMET NË QEVERI?

6 Min lexim

Po ta dëgjoje për herë të parë fjalimin që mbajti kryeministri Edi Rama për projektimin e Shqipërisë 2030, do e vlerësoje jo vetëm si frymëzues, por dhe të besueshëm. Problemi kryesor që kishte fjalimi i tij lidhet me faktin se bëhej pas 10 viteve qeverisëse e se po të shkoje në fund të tij, kuptoje se shpresa që ngjallte në fillim vdiste. Çfarë të ardhme e pret Shqipërinë me këtë lojë shahu në kabintetin e tij, ku lojtari kursehet shumë në lëvizjen e gurëve dhe a e çon në fitore në vitin 2025 ky kabinet ku shumë ministra pritet që t’u trokasë në derë SPAK?

Dëshirat dhe pritshmëritë ishin që do të kishte një shkundje të të gjithë kabintetit qeveritar, pak a shumë të ngjashme me ndryshimet e fundvitit 2018. Atë vit treçereku i ministrave u fshinë, ndërsa skandalet kishin plasur duke sjellë protestat e studentëve dhe u mbyllën me ato të Unazës së Madhe ku ishin falsifikuar dokumentat dhe një kompani që shtirej si amerikane kishte marrë 20 milion euro tendera. Sot realiteti është tjetër, skandalet janë shtuar dhe trashur: një ish-zv/kryeministër në arrati, 7 kryetarë e ish-kryetarë bashkish të arrestuar, disa ministra e ish-ministra nën hetim, por ndryshimet janë minimaliste. Shembulli që e ilustron më mirë është roli i fortë që vazhdon të mbajë në qeveri Belinda Balluku, e cila drejton sektorët më të rëndësishëm, energjinë, infrastrukturën, rindërtimin, industrinë dhe është njëkohësisht dhe zv/kryeministre.

Siç ishte paralajmëruar dhe në korrik, do të lëvizte nga posti ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Puna e Delina Ibrahimaj dhe përplasjet që ajo kishte me “superministren” Balluku me sa duket e bënin fatin e saj të pashmangshëm, edhe pse ekonomia ka qënë një gur i fortë që është përdorur nga Rama në këtë periudhë krize. Largimi i saj konfirmon se kryeministrit nuk po i pëlqen rruga e zhvillimit që ka marrë ekonomia, e duke dëgjuar zëvendësen e tij, duket se pengesë në dhënien e financimeve në disa projekte po bëhej pikërisht Ibrahimaj. Për të mos e lënë pa një detyrë, Ibrahimaj merr një ministri të dorës së dytë dhe që ka një portofol të vogël, madje dhe më të vogël se disa institucione që ajo ka drejtuar në të shkuarën si tatimet apo Instituti i Statistikave.

Edona Bilali ishte e lehtë për t’u zëvendësuar, sidomos pas skandalit që trokiti në derën e ministrisë së saj për ndarjen e fondeve për kompanitë e reja Start Up, që rezultoi me nepotizëm dhe abuzime në disa projekte. Kjo ka qënë hera e vetme që do të dëgjohej në media për Ministrinë e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, ndërsa për Bilalin do të flitej vetëm kur mediat rozë nxirrnin lajme që ishte ndër të vetmet antare të kabintetit që makina e linte jo më larg se 1 metër nga dera e Kuvendit dhe që dera gjithmonë i hapej nga shoferi.

Ministër Financash tashmë do të jetë Ervin Mete. Ndryshe nga sa e kanë përshkruar si një person teknik, Mete është një person teknik në fushën e ligjit, por jo të financave. Shkolli i tij është në drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka përfunduar master 1 vjeçar në Universitetin e Harvardit dhe London School of Economics në të drejtë fiskale dhe korporative. Mete ka patur një karrierë politike pranë partisë G99 që pasoi lëvizjen Mjaft dhe pas fitores së socialistëve në 2013-n u emërua zv/ministër i Financave. Marrëdhëniet profesionale të tij me ministrin Shkëlqim Cani nuk do ishin të mira dhe ai do të emërohej zv/ministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që drejtohej nga Arben Ahmetaj. Në vitin 2017 ai nuk shërben më si zv/ministër dhe 3 vjet më pas emërohet drejtor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, post që e mbante deri më sot.

Një tjetër vend i rëndësishëm në kabinet është ai i ministrit të Jashtëm. Është shkarkuar Olta Xhaçka e cila është akuzuar nga opozita për konfliktin e interesit të statusit “investitor strategjik” që ka marrë bashkëshorti i saj. Megjithatë “patatja e nxehtë” për Xhaçkën, më shumë se sa debati politik për bashkëshoritin që ka konsumuar mazhorancën, janë dy çështje që po heton Prokuroria e Posaçme. Një nga hetimet po përqëndrohet në dhënien me koncesion të bazës ushtarake të Limionit në portin e Sarandës një konsorciumi të kompanive Kastrati dhe Concord Investment, port që sot është vendosur nën sekuestro, dhe një tjetër kallzim për përdorimin e helikopterit të ushtrisë për të vizituar Dibrën gjatë kohës që bënte fushatë si drejtuese në këtë qark. Së fundi, për Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj ka depozituar një tjetër kallzim në SPAK kryebashkiaku i zgjedhur i bashkisë  Himarë, Fredi Beleri.

Xhaçka pasohet nga një emër që nuk njihet publikisht por që ka shërbyer në këtë fushë sidomos në marrëdhënie me diplomacinë ushtarake të NATO-s. Igli Hasani ka qënë një zyrtar i hershëm në Ministrinë e Mbrojtjes që ka mbajtur poste drejtuese dhe teknike. Hasani është shkolluar fillimisht në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë dhe më pas në Royal College ku dhe ka marrë më pas titullin master në King’s College në Londër. Hasani ka qënë ambasador i Shqipërisë në OSBE dhe është sot koordinator i kësaj organizate për çështjet e ekonomisë dhe mjedisit.

Albana Koçiu zëvendëson Ogerta Manastirliun. Koçiu mban pa shkëputje për 10 vitesh postin e drejtores së Përgjithshme të Administratës Publike dhe ka shërbyer më parë në bashkinë e Tiranës në kohën që drejtohej nga Edi Rama. Surprizë ishte lëvizja që kryeministri bëri duke i ndryshuar Manastirliut dikasterin, por pa e lënë vetëm në karrigen e deputetes. Edhe pse në fushën e shëndetësisë ka patur probleme të shumta e shumë dosje të koncesioneve janë duke u hetuar nga SPAK jo vetëm për dhënien e kontratës por dhe te zbatimi i tyre, delegimi i ministrisë së Arsimit duket se ishte një sinjal që kryeministri dha se Ogerta Manastriliu është nën çadrën e qeverisë dhe nuk pret të sulmohet nga drejtësia. Më herët në fjalim Rama u kujdes të vinte në dukje mendimin e tij mbi gabimet që kanë bërë prokurorët në hetimin e kontratës së sterilizimit.

Evis Kushi nuk ra ndonjëherë në sy për një sektor aq të rëndësishëm që drejtoi siç është arsimi, ndërsa akuzat ndaj saj kanë qënë më së shumti për gabime e gafa dhe jo korrupsion. Kushi është një person politik i rëndësishëm për socialistët që siguron mbështetje të madhe politike në qarkun e Elbasanit. Me sa duket, Ministria e Arsimit ishte niveli më i lartë që mund të arrinte në një qeveri që nuk afron në kabinet socialistët e vjetër dhe as nuk ka kriter të ulë në karrigen e ministrit persona të rëndësishëm politikisht e që mbledhin vota. Kushi u shpërblye me një post honorifik në parti si Sekretare e Gruas.

Ministria e Standardeve dhe Shërbimit që drejtohej nga Milva Ekonomi shkrihet për shkak të funksionalitetit të dobët që kishte dhe do të zëvendësohet nga ajo e Pushtetit Vendor që do të drejtohet nga zv/kryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Mazniku. Mazniku ka një përvojë 8-vjeçare në pushtetin vendor në drejtimin e disa fushave të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës, ndërsa më herët ka qënë drejtues i lëvizjes Mjaft bashkë me Erjon Veliaj dhe njihet si një bashkëpunëtor i afërt i tij.

Ish-ministrja e Financave Anila Denaj tashmë rikthehet në kabinet pas largimit të Frida Krifcës. Këtu me sa duket, Rama ka dashur të përzgjedhë emra që nuk janë përfolur për korrupsion.  “Shpulla” që Shqipëria mori nga njësia OLAF e Interpolit për hetimet e hapura të fondeve IPARD që financon Bashkimi Europian në fushën e bujqësisë në Shqipëri, do të ishin të pafalshme për ministren aktuale të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Krifca ka mbajtur për 4 vjet postin e drejtores së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, institucioni kyç që bënte përzgjedhjen dhe shpërndarjen e fondeve IPARD. Ajo u shpërblye në postin e ministres së Bujqësisë pikërisht për suksesin që kryeministri vlerësoi në menaxhimin e tyre. Me sa duket suksesi i tepërt dhe dhënia e parave pa filtra duket se dhe e rrëzoi duke e lënë me dyshimin e hapur që kanë sot të gjithë të shkarkuarit: A do të jem unë nesër kontigjent për SPAK?

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

×
Ekonomi

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”