Ekonomi

E humbëm dhe shansin e gazit të TAP

4 Min lexim


Shqipëria është një shtet që pozicionin gjeografik do ia kishin zili shumë të tjerë. E lidhur me perëndimin përmes detit Adriatik, në veri me Europën Qëndrore dhe në jug me Greqinë, është një nyje e rëndësishme në kontinentin europian. Vendi ynë ka bukuri natyrore të shumta, deri diku unike, ku ndërthurret relievi malor me bregdetin. Është një vend i pasur me minerale, naftë dhe burime ujore që na sigurojnë prodhimin e energjisë. E megjithë këto, për ironi të fatit jemi ndër shtetet me çmimin më të lartë të karburanteve, nxjerrim naftë por e shesim jashtë dhe fitimet i marrin privatët që kanë fushat naftëmbajtëse.

Kemi burime uji që na sigurojnë prodhim të mirë energjie, por nuk i menaxhojmë dhe përfundojmë të importojmë me çmime të shtrenjta. Kemi diell, por nuk investojmë në parqe të prodhimit të energjisë. Kishim fabrika, uzina, kombinate, por i prishëm.

Kemi një pozicion të rëndësishëm në hartën e Europës, por na mungojnë lidhjet me autostrada, hekurudha, porte dhe aeroporte.

Në vitin 2013-ë, në derën tonë do të trokiste një tjetër shans: mundësia për t’u lidhur me rrjetin europian të gazit. Ne, Mali i Zi dhe Kosova ishim të vetmet shtete të pa integruar në një sistem të tillë. Investimi nuk do të bëhej nga ne. Një konsorcium me kompani lider botërore në fushën e tregtimit dhe transmetimit të gazit do të investonte në një tubacion që do të sillte gazin nga fushat e Shah Denizit në detin Kaspik për në Europë. Projekti kishte emrin Trans Adriatic Pipeline.

Shqipëria nuk shtroi asnjë metër tubacion gazi.

Për të ndërtuar 878 kilometra të tubacionit të TAP u investuan 32 miliard euro. Ndërtimi i gazsjellësit nisi në vitin 2016 në pikën hyrëse të Greqisë dhe disa muaj më vonë në Shqipëri. Vendi ynë kishte dy sfida të mëdha inxhinierike për ndërtuesit e TAP: 1) pikën më të lartë të shtrimit të tubacioneve 2100 metra mbi nivelin e detit 2) dhe zhytjen e tyre në thellësinë 810 metra në detin Adriatik. TAP përfundoi ndërtimin në vitin 2020 dhe pritet të jetë i operueshëm tërësisht pas testimeve në fund të këtij viti.

Gjatë gjithë kësaj kohe institucionet shqiptare kanë bërë vetëm letra. Në vitin 2016 përfunduan një masterplan që u financua nga organiztat e huaja për gazifikimin e vendit, i cili kushtoi 2.4 milion euro. Pak më vonë Shqipëria do të themelonte një kompani me kapital shtetëror Albgaz, për të mirëmbajtur pjesën e tubacionit të TAP që kalon nga vendi ynë. Ndërmarrja kishte shumë plane në sirtar por që nga viti 2017 e deri më sot aty janë shtuar vetëm letrat dhe memorandumet e mirëkuptimit, pasi nuk ka asnjë punë, investim apo projekt të nisur.

Që nga viti 2013 ka kaluar 1 dekadë, por më shpejt u ndërtuan 878 kilometra nga Azerbajxhani për në Itali, se investimet e shtetit shqiptar në disa pika të rëndësishme që do të rritnin përfitimet ekonomike nga TAP.

  • Termocentrali i Vlorës.

110 milion euro të investuara në Termocentralin e Vlorës do të ishin shpëtuar nëse qeveria do të investonte në lidhjen e një tubacioni gazi me gjatësi 46 kilometra nga pika e daljes së gazit në Fier te Tec-i.  

Termocentrali i Vlorës mund të rregullonte me pak investim sistemin e ftohjes dhe teknologjia e tij konvertohej me gaz. Vënia në punë e Tec-it do të prodhonte të paktën 700 mijë megavat orë energji elektrike në vit, sasi gati dyfish më e lartë se importet që kushtuan 500 milion euro në krizën e vitit 2022.

  • Ndërtimi i tubacionit Fier-Kashar

Zona industriale që ka konsumin më të lartë të energjisë është në Fier, Durrës dhe Tiranë. Kërkesa për konsum të energjisë për bizneset e industrisë në këto qarqe arrin në 500 mijë megavat orë. Kjo sasi me çmimin që një pjesë e bizneseve e blejnë në treg të lirë, apo në kushtet kur kompanitë publike ia japin me çmim të subvencionuar, do t’i kursente vetëm vitin e shkuar kompanive të sistemit energjitik 200 milion euro. Vlera për investimin e 84 kilometrave tubacion nga Fieri për në Kashar është 150 milion euro.

  • Gazi për konsum familjar.

Jo në të gjithë zonat e Shqipërisë investimi në infrastrukturën e gazit është fizibël. Në disa vende investimet mund të mos jenë efiçente për shkak të klimës së ngrohtë, megjithatë edhe në këtë pikë jemi mbrapa dhe shumë larg orës së Europës  dhe rajonit. Procesi i gazifikimit të vendit mund të niste si një detyrimin ligjor për ndërtuesit ku në çdo projekt ndërtimi të instalohej edhe tubacioni për furnizmin me gaz të rezidentëve. Nëse një normë e tillë do të zbatohej që prej vitit 2013, vetëm në kryeqytet do të kishim 50 mijë apartamente që do të përdornin si burim energjie për ngrohje dhe gatim gazin. Kjo do të ulte faturën e energjisë jo vetëm për familjarët, por dhe për Korporatën Elektroenergjitke e cila bleu gjatë vitit të shkuar energji me çmime që kaluan vlerën 500 euro/megavat orë. Investimet në tubacione gazi për konsum familjar mund të bëheshin dhe në zonat e ftohta, si Korça, Kukësi, Shkodra apo Dibra. Kjo do të ulte koston e jetesës për të varfrit dhe do të kontribuonte në luftën kundër prerjes së pyjeve me qëllim ngrohjen.

  • Shqipëria shpërndarës i gazit në Europën Qëndrore.

Plani për të ndërtuar tubacionin Jonian Adriatik (IAP) që kalon përmes vendit tonë, Malit të Zi, Bosnjë – Hercegovinës dhe lidhet në Kroaci me tubacionin Plinacro, i cili transmeton gazin në Europën Qëndrore u shpall në vitin 2016. Projekti vijon të ketë mbetur në letër. Investimi për këtë projekt është i madh, 315 milion euro, por jo më i madh se disa koncesione të shtrenjta që kemi dhënë në rrugë apo në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane. Nëse Shqipëria do të kishte gati tubacionin IAP, vitin e ardhshëm do të ishte një nga vendet me peshën më të lartë ekonomike dhe gjeopolitike në rajon, pasi do të furnizonte Europën Qëndrore me një lëndë që sot e dominon Rusia.

Postime të ngjashme
Ekonomi

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min lexim
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Ekonomi

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min lexim
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Ekonomi

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min lexim
Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

×
Lajmi i ditës

Sa "Gjica" dhe "Alma" të tjerë ka në zyrat e shtetit tonë?