Politikë

Misioni i pamundur i Yuri Kim me politikën Shqiptare

5 Min lexim

Demokraci, mbrojtje dhe investime, këto ishin tre prioritetet e Yuri Kim, për të cilat u zotua kur u emërua ambasadore e SHBA në Shqipëri. Misionin diplomatik në Shqipëri e nisi në janar të vitit 2020, Yuri Kim do të ishte personi i cili do të zëvendësonte Donald Lu, njeriu i cili ishte një nga mbështetësit më të mëdhenj të reformës në drejtësi. Kështu, me fillimin e viti 2020 rruga e nisur nga SHBA për reformat do të ndiqej në terren nga Yuri Kim.

Vetëm pak muaj  pasi ishte akomoduar në godinën e ambasadës së SHBA në Rrugën e Elbasanit, nisi kiza e parë politike mes opozitës dhe mazhorancës. Këtë herë në fokus ishte Reforma Zgjedhore, një çështje e vjetër sa vet demokracia në Shqipëri. Kjo do të ishte sfida e parë e Yuri Kim që do të luante rolin e arbitrit mes opozitës dhe pozitës, dhe që më pas do të përballej me sfida nga ato të niveleve më të larta tek ato më ordinere.

Ashtu siç ka ndodhur për më shuam se 30 vite, në vitin 2020 çështja e Reformës Zgjedhore, jo vetëm që kërkonte diskutime dhe propozime konkrete, por më absurdja ishte se kush do të bisedonte për këtë. Opozita kishte djegur në bllok mandatet e deputetit një vit më parë, por kurrsesi nuk mund ta linte refomën zgjedhore në dorën e qeverisë dhe deputetëve që zëvendësues.

Në këtë moment hynë në lojë ndikimi i ambasadores së SHBA dhe i ndërkombëtarëve në vendin tonë. Kim zhvilloi takime intensive me përfaqësuesit e forcave politike, duke i bindur ata të gjenin mekanizimin për të përfshirë në diskutimet e reformës edhe partitë opozitare që dogjën mandatet.

Si rezultat i diskutimeve dhe presioneve, sigurisht, forcat politike u dakordësuan që të krijohej Këshilli Politik, i cili përbëhej nga Damian Gjiknuri nga Partia Socialiste, Oerd Bylykbashi i Partisë Demokratike, Petrit Vasili i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare. Pas shumë takimesh, palët ranë dakord për të miratuar reformën duke shënuar dhe triumfin e parë për diplomaten amerikane.

Por, misioni i saj, ndoshta dhe më i rëndësishëm ishte zbatimi i reformës në drejtësi dhe sidomos plotësimi i vakancave të krijuara në Gjykatat e Shqipërisë për shkak të procesit të vettingut. Pasi SPAK nisi punën e tij në nëntor të vitit 2019, për SHBA ishte e rëndësishme dhe rezultati që do të kishte “qenia” e tyre.

Gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri, Kim nuk ka shprehur asnjëherë pakënaqësi për punën e bërë nga SPAK edhe pse në disa raste ka patur hije dyshimi. Fokusi i SHBA te “prokuroria e mrekullive”, ishte aq i lartë sa që zgjedhja e kreut të SPAK për herë të dytë, solli dhe ftohje edhe me drejtuesin e qeverisë Shqiptare, Edi Ramën, pasi në atë kohë u aludua se Kim dhe Rama po lobonin për emra të ndryshëm për t’u zgjedhur në krye të Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion. Zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK, u lexua nga shumë analistë si fitore e Kim ndaj Ramës.

Përsa i përketë reformës në drejtësi, Yuri Kim nuk kishte çfarë të bënte më shumë, përveç se ta inkurajonte atë, pasi punën e “rëndë” për të e bëri paraardhësi i saj Donald Lu.

Në kuadrin e reformave, kryediplomatja amerikane edhe pse mund të ishte kritikuar nën zë, publikisht është mbështetur nga politika shqiptare. Por përplasja me opozitën do të shënjonte një kapitull të ri të Kim në Shqipëri. Pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës nga SHBA, Kim i kërkoi publikisht Lulzim Bashës, në atë kohë kryetar i PD, që ta përjashtonte atë nga grupi parlamentar. Madje, situata u “nxeh” edhe më shumë kur ambasadorja e SHBA tha se demokratët nuk duhet të hanë bar për shkak të një personi.

Mes frikës nga Berisha dhe presionit të ndërkombëtarëve, më 9 shtator të viti 2021 Basha zgjodhi të dytën duke e shikuar dhe si rrugë shpëtimi nga hija e “babait” të tij politik.

Pas përjashtimit, Basha la të nënkuptohej qartë se nuk ishte dëshira e tij për të përjashtuar Berishën, por se i ishte bërë presion nga ndërkombëtarët, konkretisht Yuri Kim.

Pas kësaj, Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryediplomaten amerikane si bashkëpunëtore të qeverisë “Rama” dhe se gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri ka punuar për të shkatërruar opozitën. Akuzat dhe kundër akuzat mes Berishës dhe Kim vijojnë dhe sot e kësaj dite.

Berisha nuk do të ishte përplasja e vetme për Kim. Ajo u përfshi në një betejë akuzash në atë kohë me Kreun e Shtetit, Ilir Meta, sot kryetar i PL. Shkak i kësaj përplasje u bë përfshirja e presidentit Meta në fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021 dhe thirrje e tij për dhunë. Debati i tyre degjeneroi në një pikë aq të ulët, saqë vështirë të besohej se ishte një përplasje mes një kreu shteti dhe një kryediplomateje.

Gjatë një interviste televizive, teksa e akuzonte se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Shqipërisë, Meta ndërpreu intervistën duke thënë se ambasadorja i ka dërguar mesazh në telefonin e tij që mos të vijonte akuzat ndaj saj. Ai shkoj dhe më tej duke deklaruar se Kim e kishte telefonuar dhe se i kishte thënë të mos vijonte me akuzat pasi di gjëra për të. Duke aluduar për afera korruptive, ku mund të ishte i përfshirë Ilir Meta. Këto deklarata u mohuan nga Kim, duke thënë se çdo gjë ajo bën është koordinim të plotë me DASH.

Duke shikuar me vëmendje sjellje e ambasadores në Shqipëri, i vetmi politikan që nuk është përfshirë në debat të hapur është kryeministri Edi Rama. Kjo marrëdhënie mes Ramës dhe Kim ka prodhuar akuza të pafundme ndaj përfaqësueses së SHBA në Shqipëri. Por, në fakt edhe marrëdhënia Rama-Kim nuk ka qenë gjithmonë e ngrohtë. Amnistia Fiskale dhe Pasaportat e Arta, ishin dy nga nismat e qeverisë që u kundërshtuan ashpër nga ambasadorja, duke dalë hapur kundër qëndrimit të Ramës. Dhe në fakt si rrallë herë, kryeministri nuk bëri atë që donte, as me Amnistinë Fiskale, as me Pasaportat e Arta. Kaq mjafton për të kuptuar ndikimin dhe fuqinë e ambasadores së SHBA në Shqipëri. Në fakt një fuqi që vet ne si shoqëri dhe si politik e kemi “hyjnizuar” ndoshta dhe deri në kufijtë të palogjikshmes.

Ashtu si shumë nga paraardhësit e saj as Yuri Kim nuk arriti të ruante balancat në politikën tekanjoze shqiptare, e cila në fakt kur nuk e gjen dot fajin te kundërshtari politik shpik një armik, qoftë ky dhe ambasador i vendit më të fuqishëm në botë.

Yuri Kim nuk arriti të kapërcente paraardhësit e saj, por nga Shqipëria u largua me mallkimin e armiqve dhe me bekimin e miqve.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

×
Ekonomi

Institucionet ndërkombëtare të shqetësuara për tregun imobiliar në Shqipëri