Politikë

“Përgjegjësia jo individuale”, standardi i dyfishtë i Arben Ahmetajt

3 Min lexim


Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i është shtuar listës së zyrtarëve të lartë të arrestuar apo që SPAK kërkon t’i arrestojë për çështjen e inceneratorëve. Pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi, SPAK nuk e pengon më asgjë që t’i vënë prangat ish-numrit dy të qeverisë për tre akuza; “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Pasi SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e tij, Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria, duke qëndruar në heshtje për disa ditë, ndërsa reagimin e parë publik e bëri pikërisht në ditën ku opozita dhe mazhoranca votuan për heqjen imunitetit të tij.
Në reagimin e bërë në rrjetin social “Facebook”, Ahmetaj mohon të ketë shkelur ligjin në çështjen e inceneratorëve apo të jetë përfshirë në afera korruptive. Por, përveç shfajësimit që ai i bën vetes nga akuzat e ngritur nga SPAK, Ahmetaj mban qëndrim të dyfishtë për përgjegjësitë që zyrtarët e lartë duhet të mbajnë para drejtësisë. Në kohën kur SPAK kërkoi arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, i arrestuar po për çështjen e inceneratorëve, Ahmetaj në shkallët para Kryeministrisë deklaroi se çdo zyrtar duhet të mbajë përgjegjësi individuale për shkeljet ligjore që ka kryer gjatë detyrës dhe të mos e përfshijë qeverinë.
Por, sot kur SPAK kërkon arrestimin e tij, Ahmetaj ka shprehur qëndrim krejt të kundërt. Në “Facebook” ai shkruan me ironi “I falënderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo personale është kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte.”
Ai ka nënkuptuar që në rastin e tij pesha e tre akuzave të mos jetë individuale, por të ndahet dhe me persona të tjerë, për të cilët Ahmetaj deri më tani nuk ka folur.
Sipas Ahmetajt, kërkesa për arrestimin e tij bëhet jo se ka shkelur ligjin, por se drejtësia e re do statistika për të arrestuar zyrtarë të lartë. Pra, ai pretendon se është pre e këtyre statistikave dhe jo se vërtet ka shkelur ligjin. Por, si SPAK, opozita, madje dhe vetë kolegët e mazhorancës, bien dakord se ndaj tij është bërë një hetim i plotë dhe se provat e bëjnë atë fajtorë për tre akuzat.
Qëndrimi i dyfishtë i Ahmetajt për rastin e tij dhe atë të Kokës, tregon dhe njëherë se sa farsë është politika, ku çdo zyrtar i korruptuar i vë shkelmin kolegut për ta hedhur në gropë.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Ahmetaj ka përcjellë një sërë mesazhesh të tjera.
“Avokati im në Këshillin e Mandateve citoi një thënie të vjetër nga Franca: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit”. Unë jo e jo që s’kam gjak blu, por jam një njeri tejet i zakonshëm, me gjak nga Gjirokastra, Vlora, Korça, Rrogozhina, Kavaja, Lezha, Kukësi e Tropoja nëse doni”,-thotë Ahmetaj.
Nëse Ahmetaj nuk është vet “mbreti” , kush është mbreti? Kujt po ia përcjell ai këto mesazhe? Nëse është i pafajshëm, siç pretendon, pse nuk tregon personat e tjerë që janë përfshirë në aferën korruptive. Në fund të fundit, kush është ai person që për hir të shoqërisë apo bashkëpunimit, do të kalojë disa vite në burg larg fëmijëve dhe familjes? Ky lojalitet nuk ekziston në politikë, aq më tepër në politikën shqiptare.
Standardi i dyfishtë i Ahmetajt, nuk tregon gjë tjetër veçse fytyrën e vërtetë të politikës shqiptare, majtas dhe djathtas.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

×
Politikë

A do tërheqë Arben Ahmetaj zyrtarë të tjerë të lartë drejt qelisë?