Lajmi i ditës

Shkëlqimi dhe rënia e Arben Ahmetaj

4 Min lexim

Arben Ahmetaj nuk do ta kishte parashikuar asnjëherë se në mesin e moshës së tij do të ishte një nga figurat më të larta publike në Shqipëri. Ambicioz që në rininë e hershme edhe pse i rritur thjesht në një familje me 3 motra dhe nënën kryefamiljare. Shkollimi në gjuhën angleze nuk do t’i sillte fat në fillimet e hershme kur tentoi disa herë rrugën emigracionit. Ai u kthye më pas në Tiranë dhe nisi punë si përkthyes i shefit të misionit të FMN-së në Shqipëri.

Shumë e kanë paragjykuar shkollimin e tij në degën gjuhës angleze, por gjuha e huaj në ato vite ishte çelsi për karrierën e tij politike. Ai fiton një bursë për të ndjekur studimet master në Tregti dhe Diplomaci Ndërkombëtare në Universitetin e Kentucky dhe një specializim në një nga shkollat më të rankuara në botë, Georgetown University. Disa vite më vonë përfundon doktoraturën për Sigurinë Energjitike dhe Ndërkombëtare në Bukuresht.

Do të ishte Arben Malaj që i ofroi një vend në kabinetin e tij kur drejtonte Ministrinë e Financave dhe që e përfshiu në programin për rimëkëmbjen e ekonomisë të goditur nga skemat piramidale. Ahmetaj emërohet më pas Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Dorën e ndihmës së Malaj duket se e harroi kur drejtoi seancën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për të shkarkuar z.Malaj si antar të bordit të Bankës së Shqipërisë. “Personalisht nuk është e lehtë për mua” do të shprehej në atë kohë, por vota ishte besnike me direktivën që kishte dhënë Partia Socialiste pro shkarkimit.

Pozicioni si drejtues i tatimeve në vitin 1998-1999 do t’i hapte rrugën në karrierën politike si zv/ministër i Energjisë dhe Industrisë e më pas si zv/ministër i Integrimit. Ishin pikërisht këto vite kur emri i tij u bë gjerësisht i njohur për publikun shqiptar pas skandalit që u quajt “Hermes”. Një kompani me këtë emër e themeluar në vitin 2000 nga Ahmetaj, kishte marrë të drejta eksluzive nga ndërmarrja shtetërore “Albtelekom” për të blerë impulse me çmim nën kosto. Impulset i shiteshin më pas disa herë më shtrenjtë shqiptarëve që në ato vite  kishin të vetmen mundësi komunikimi me të afërmit jashtë vendit kartat e telefonisë.  Në disa padi që ngriti më vonë kompania “Albtelekom” pretendohej për një dëm në llogari të financave të saj me vlerë 22 milion euro nga firma e Ahmetaj, por gjykimi dhe hetimi u pushuan.

Arben Ahmetaj u bë përmes kompanisë Hermes një nga njerzit më të pasur në politikë. Pasuria e tij e deklaruar sot arrin në 3 milion euro. Në vitin 2005 ai kandidon përballë Lulzim Bashës në Tiranë dhe humbet. Sërish nuk tërhiqet nga politika dhe as nga Partia Socialiste. Lidhjet dhe mbështetja e tij qëndron pro kryetarit të ri, Edi Ramës. Ahmetaj  siguron një mandat deputeti në qarkun e Korçës në legjistlaturën 2009-2013 dhe është një nga personat kyçë që harton programin ekonomik të “Rilindjes Kombëtare” në fushatën e 2013-s.

Posti që morri në kabintetin “Rama 1” si ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë nuk do ta kënaqte. Tentoi të afronte sa më shumë pushtet rreth vetes duke mbajtur lidhje me grupe të shumta interesi. Ai do të ishte ministri nismëtar për ligjin e investimeve strategjike, dhënien e me koncesion të zonave të lira ekonomike dhe vendimin për qiradhënien shtetërore të tokave me 1 euro. Këto nisma i rritën portofolin e ministrisë duke i shtuar edhe sektorin e turizmit.

Në 2016-n merr merr drejtimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë pas shkarkimit të Shkëlqim Canit. Nëse në rolin si ministër Ekonomie ai do të lobonte për zhvillimin e ekonomisë përmes strategjive të dhënies së shërbimeve dhe punëve publike me koncesion dhe PPP, tashmë si ministër Financash idetë do të materializoheshin. Ahmetaj ishte “partizani” dhe lançuesi i skemës “1 Miliard Euro Rindërtim”, e cila i hapi rrugë dhënies së 4 koncesioneve në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe programit të ndërtimit të 4 shkollave në kryeqytet në partneritet publik-privat.

Arben Ahmetaj ishte zëri kryesor publik që mbrojti në vitet 2016-2020 qeverinë nga denoncimet e medias dhe opozitës për çështjet e inceneratorëve. Ishte ministri që votoi pro në qeveri dhe ndoqi procedurat për këto koncesione dhe miratoi dhënien e pagesave për kontratën e impiantit të Elbasanit dhe Fierit. Edhe pse e dha konsensus si ministër Financash për inceneratorin e Tiranës, ai shprehu disa herë rezerva për detyrimet që merrte përsipër buxheti, por asnjëherë publikisht. Ishte ndër të vetmit që nuk u ndje i keqardhur kur në verën e vitit 2017, kryeministri do ta zëvendësonte me ministren teknike të PD-së Helga Vukaj. Ahmetaj rimerr sërish ministrinë e Financave në shtator, edhe pse në verë përfshihet në një aksident jashtë vendit ku shoqërohej nga Mirel Mërtiri, bashkëjetuesi i pronares së inceneratorit të Elbasanit, Stela Gugallja. Ai ishte po ashtu i vetmi që u rikthye në qeveri pas valës së shkarkimeve që kryesocialisti Rama bëri në dimrin e 2018-s.

Në dhjetor të vitit 2019, vetëm disa ditë pas tërmetit që goditi vendin, Ahmetaj emërohet ministër Shteti për Rindërtimin. Sërish reformat e mëdha ekonomike do të kishin dorën dhe mendjen e tij. I preferuar nga kryeministri për arritjet që pati në uljen e borxhit publik dhe rritjen ekonomike si ministër i Financave, paketa e krizës së pandemisë, negocimi i Eurobondit dhe programet financiare të fushatës iu besuan prapë atij.

Deri në pranverën e vitit 2022, askush nuk do ta mendonte se karriera e tij do të niste rënien dhe disa të tjerë do të vinin bast se drejtësia nuk do ta prekte. Dy javë pas publikimit të skemave të mashtrimit të biznesit të inceneratorëve me personazhe fantazëm që kishin marrë miliona euro dhe në prag të pushimeve verore të qeverisë, Edi Rama e shkarkon nga detyra. Në vjeshtë ai zhvishet dhe nga postet drejtuese që kishte në Partinë Socialiste si kryetar për qarkun e Vlorës. Prokuroria e Posaçme regjistron procedim penal për të disa javë më pas për korrupsion pasiv kur në media rrodhën dokumenta se Klodian Zoto, pronar me 70% të aksioneve në inceneratorin e Fierit, kishte paguar hotele të shtrenjta për të dhe bashkëjetuesen e tij. Sot SPAK kërkon autorizimin e Kuvendit për arrestimin dhe kontrollin e banesës së tij.

Postime të ngjashme
AktualitetLajmi i ditës

Mediat franceze shkruajnë sërish për Gremi Clinic. Historia e Natalisë, që gjeti buzëqeshjen e jetës

2 Min lexim
Nje tjetër gazetë franceze i referohet Gremi Clinic për kura dentare cilësore në Shqipëri. Është fjala për Charente Libre, një gazetë e…
AktualitetLajmi i ditës

Gjykata godet biznesin e ndershëm në mbrojtje të “çibanëve” tatimorë.

7 Min lexim
Gremi: do luftoj edhe për ata që kanë frikë t’i rebelohen këtij sistemi të korruptuar Si njeriu që gjithmonë kam besuar tek…
Lajmi i ditës

Oh sa mirë me qenë shqiptar, oh sa mirë me qenë gjithë bashkë, ohej ohej!

2 Min lexim
Një ndeshje futbolli çuditërisht dhe fatkeqësisht na bën bashkë më shumë se çdo gjë tjetër në botë. Na bën të dashur me…

Lini një Përgjigje

×
Politikë

A do tërheqë Arben Ahmetaj zyrtarë të tjerë të lartë drejt qelisë?