Një 32-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi gjatë ditës së sotme ka vjedhur dy automjete dhe ka shkaktuar dy aksidente.
Policia bën me dije se rreth orës 13:30 është njoftuar për një aksident te ish-Uzina e Autotraktorëve. Pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar se drejtuesi i automjetit, 32-vjeçari Florjan Fejza ishte plagosur.
Efektivët e policisë e kanë transportuar menjëherë 32-vjeçarin për në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Por, pasi kanë kryer verifikimin e dokumenteve të automjetit tip “Volkswagen”, ka rezultuar se makina ishte vjedhur vetëm pak minuta para aksidentit nga Florjan Fejza në Fushë-Farkë.
Pasi ka marrë ndihmë mjekësore, Florjan Fejza ka tentuar arratisjen nga forcat policisë. Ai ka dalë nga spitali dhe ka vjedhur një makinë tip “Ford” që ndodhej në parkingun e spitalit duke u larguar në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës.
Në përpjekje për t’i shpëtuar policisë, 32-vjeçari ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me disa automjete të tjera. Pas vjedhjes dhe aksidentit të dytë, forcat e policisë arritën ta arrestojnë 32-vjeçarin që dyshohet se vuan nga problemet të shëndetit mendor.
Për arrestimin e Florjan Fjezës u angazhuan edhe Forcat e Posaçme “Shqiponja”, përveç efektivëve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, të Komisariatit Nr. 4, dhe shërbimet e Qarkullimit Rrugor.