Politikë

“Berlusconi i Shqipërisë”, kush do jetë biznesmeni I “suksesëshëm” shqiptar që do zbresë në politikë për ti bërë bashkë të “gjithë”? 

4 Min lexim

Duket se Shqipëria ka hyrë sot në një vakum politik. Nga njëra anë PD e fragmentarizuar me konfliktet e brendshme dhe dobësimin e vazhdueshëm e në krahun tjetër PS, e cila mbahet fort pas figurës së liderit që premton qeverisje deri në vitin 2030 edhe për faktin se në fushë i mungojnë kundërshtarët.

Përballë forcave klasike e tashmë të vjetra të politikës më shumë se 30-vjeçare janë ngritur në mënyrë të vazhdueshme përpëlitje të të ashtuquajturave lëvizje, që pavarësisht ngjyrave që liderët e tyre përpiqen t’u japin nuk duken tjetër veçse tentativa populiste për vëmendje, por pa alternativën për të qenë nesër një faktor elektoral.

Nga ana tjetër, ndërsa SPAK është shfaqur në horizont si rrezja e dritës që do të ndëshkojë krimin e errët, duket se fatkeqësisht ka arritur të nxjerrë në pah një katërkëndësh të frikshëm të lidhjeve mes krimit, politikës, biznesit dhe medias.

Kjo panoramë e vitit 2023 e bën Shqipërinë tepër të ngjashme me Italinë e fillimit të viteve ’90, kur mafia kishte kapur politikën dhe biznesin, ndërsa qytetarët kërkonin një alternativë të re për të stabilizuar vendin.

Nëse në Shqipëri është SPAK ai që duket se do të sjellë erë e ndryshimit, në Itali magjistratët Giovani Falcone apo Paolo Borselino kishin dhënë të njëjtën shpresë.

Pas vrasjes së tyre në vitin 1992, u duk se rruga për të pastruar krimin e për ta ndarë lidhjet e tij nga politika do të ishte thuajse e pamundur, ndërsa besimi tek forcat e vjetra kishte humbur thuajse tërësisht.

Aspak rastësisht, në një moment politik të ngjashëm me atë të Shqipërisë së sotme, në vitin 1994 në fushën e politikës do të zbriste një alternativë e re, ndonëse pas një emri jo të panjohur.

Më 26 janar, me anë të një videomesazhi prej 9 minutash Silvio Berlusconi njoftoi hyrjen e tij në politikë, edhe pse në fakt ai kishte të paktën dy vite që e përgatiste territorin për këtë moment.

Vetëm një ditë më pas, në Milano u arrestuan në një restorant mafiozët Filippo dhe Giuseppe Graviano. Në këtë pikë, diçka ndryshoi rrënjësisht. Asnjë bombë nuk u vendos më. Cosa nostra heshti.

Mesazhi me të cilin Berlusconi njoftoi lindjen e Forza Italia, tashmë është historik, ndërkohë që as mafia dhe Cosa Nostra nuk u cituan prej tij. Ai fitoi zgjedhjet e marsit të vitit 1994, duke lënë pas Partinë Demokratike të Majtë, Aleancën Nacionale, Partinë Popullore Italiane dhe Lega Nord.

Silvio Bersluconi hyri në politikë si një njeri i pasur, i mediatizuar, por jo vetëm. I njohur dhe cilësuar si njeri kontravers, kavalieri mbante në kurriz një seri skandalesh dhe akuzash, për të cilat ai do të thoshte më vonë se u prodhuan nga kundërshtarët e tij politikë.

Por në fakt, ende pa hyrë në politikë që në vitet 1992-1993  Fininvest, një nga kompanitë më të mëdha të Berlusconit kishte qenë objekt i hetimeve nga ana e policisë, nga operacioni “Duar të pastra” si dhe nga prokuroria e Torinos dhe Romës.

Ndërkohë në vitin 1990, katër vite para hyrjes së tij në politikë, Gjykata e Apelit në Venecia kishte arkivuar një çështje për dëshmi të rreme lidhur me aktivitetin sipërmarrës të Berlusconit.

Gjithashtu ai u akuzua për financime të errëta në ndërtimin e Milano 2 dhe Milano 3, ndërsa pjesa më delikate i referohet një takimi të mbajtur në vitin 1973 me bosin e mafias Stefano Bontate, organizuar nga krahu i tij i djathtë Marcello Dell’Utri.

Lidhur mekëtë raport prokuroria e Firences e kishte hetuar Berlusconin dhe Dell’Utrin për herë të parë në vitin 1997, duke i futur në regjistrin e të dyshuarve me inicialet “Autor 1” dhe “Author 2”. Në vitin 1998 hetimi u mbyll. Herën e dytë Berlusconi u hetua në Firence në vitin 2008, pasi i penduari Gaspare Spatuzza u tha gjyqtarëve atë që do t’i kishte thënë Graviano, domethënë se “me Berlusconin dhe Dell’Utrin” mafia e kishte marr “vendin në dorë”. Përsëri, çëstja përfundoi me arkivim.

Për të kuptuar se cili ishte njeriu që kishte marr në dorë fatin e italianëve do të mjaftonte në fakt një letër e shkruar nga vetë Givani Falcone që shprehej: «Berlusconi jep 20 milionë për  Vittorio Mangano». Kujtojmë se Vittorio Mangano ishte gjithashtu një emër i njohur i grupeve mafioze të Cosa Nostras, për të cilin u tha madje se kishte jetuar edhe në shtëpinë e Berlusconit.

Në këtë panoramë, mes këtyre akuzave, Silvio Berlusconi arriti të ishte 4 herë kryeministër i Italisë. A e ndihmoi lidhja me mafien për të arritur qëllimet e tij? A ofruan gurpet mafioze qetësi dhe stabilitet për Italinë e pas viteve ’90 si pakt për mbajtjen në pushtet të Berlusconit që do të vijonte t’i mbështeste?

Vështirë të thuhet e të konfirmohet, edhe pse asgjë nuk është e rastësishme. Ama, në realitetin tonë të vogël, kur të ngjashëm të Berlusconit nuk mungojnë, duket se frika për të mos përfunduar në dyert e SPAK mund t’i nxisë për t’u hedhur në shtratin e politikës si rruga e shpëtimit dhe ndryshimit.

Të pasurit që kërkojnë pushtet nuk do të ishin çudi dhe as risi në Shqipëri, çështja është që sigurisht dhe qartësisht ata nuk janë dhe nuk do të jenë zgjidhja. Nuk janë dhe nuk do të jenë alternativa ndryshe që shqiptarët kërkojnë, sa kohë që paratë e tyre,  ashtu si dhe ato të Silvios vijnë apo kalojnë në rrugë të errëta.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

×
Ekonomi

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!