Ekonomi

Paratë e pista dëmtojnë, nuk ndihmojnë!

5 Min lexim

Ka vite që në Shqipëri është krijuar një mit i ri: Të jesh i pasur dhe të dukesh sa më shumë si i tillë. Në fakt me këtë kompleks shoqëror që po jeton sot shoqëria jonë ndonjëherë tentojmë të vemë njëri-tjetrin në lojë duke e krahasuar mënyrën e jetesës te disa më të pasur, por që jetojnë në vende të tjera. Ndryshe nga modeli i shoqërive lindore, të pasurit në shtetet perëndimore nuk duan të duken dhe as të tregojnë sa kanë. Mania për t’u dukur vjen nga ata që janë pasuruar shpejt dhe që më parë kishin provuar se sa pak kishin e tashmë janë të etur ta tregojnë.

Gara për t’u dukur i pasur shihet në rrjete sociale, por dhe në makinat e fundit që qarkullojnë rrugëve të qytetit, veshjet firmato, telefoni, restoranti dhe porositë me shishe të shtrenjta vetëm për t’u dukur! Natyrshëm të gjithëve na bëjnë përshtypje mënyra se si shpërdorohen para pafund, ndërsa shumë familje vuajnë për mbijetesë, kurim dhe shkollim. E ata që i kanë bërë paratë shpejt nuk dinë as t’i shpenzojnë, por kanë nisur të përhapin gjithnjë e më shumë idenë se pasuria e tyre mund të bëjë vetëm mirë, ndaj bujrum na lini ta investojmë në ekonomi dhe të fitojnë dhe ata që s’kanë. Në fakt nuk është kështu, paratë e bëra përmes krimit, korrupsionit, trafiqeve sjellin varfëri dhe keqeverisje!

Paratë me burim krimin nuk lejohet të gëzohen dhe në momentin që ato pastrohen atëherë dhe krimi i bërë nga një individ apo grup kriminal amnistohet. Sot sfida më e madhe që kanë të gjithë ata që gëzojnë pasuri nga burime jo të ligjshme është ta futin brenda sistemin në mënyrë që ta gëzojnë të qetë pasurinë. Nëse arrin që ta pastrosh, rreziku për kapjen dhe sekuestrimin e tyre zhduket. Ndaj dhe grupet kriminale, bizneset dhe zyrtarët e korruptuar investohen në pastrimin e parasë dhe paguajnë shuma të konsiderueshme për këtë dhe në këtë mënyrë blejnë qetësinë dhe sigurinë se paratë do të mbeten të tyre.

Si deformohet konkurrenca e ndershme

Shumë tregje në Shqipëri janë të vështira për të hyrë dhe bërë biznes për shkak të penetrimit të grupeve kriminale. Ata jo vetëm që nuk kanë qëllim të ndjekin modelin e biznesit me rregulla loje të barabarta, por shpesh shantazhojnë bizneset e ndershme dhe ushtrojnë presion që të dalin nga tregu. Në Shqipëri tregu i ndërtimit, lojrave të fatit, mineraleve e në disa raste i hotelerisëdhe shërbimeve dominohet nga këto grupe. Interesi i këtyre sipërmarrësve nuk është shitja dhe fitimi në vetvete, por pastrimi i parave. Ata tentojnë të mbajnë çmime të lira në mënyrë që të kenë sa më shumë të ardhura, për të justifikuar paratë që kanë në qarkullim. Ky model ekonomik shkatërron biznesin e ndershëm, i cili çmimet e shitjes për mallrat dhe shërbimet që ofron i orienton në bazë të kostos duke mbajtur dhe një marzh fitimi për veten. Vitet e fundit shohim dhe një tendencë të re, që këto grupe kriminale kanë arritur të hyjnë e të marrin kontrata koncesionare në fusha të rëndësishme ekonomike, duke penalizuar drejtpërdrejt bizneset e tjera dhe qytetarët që marrin shërbimet.

Penalizimi i qytetarëve dhe ekonomisë

Rasti më konkret për të ilustruar se si janë dëmtuar grupet e ndershme të biznesit, por dhe familjet që mbahen me të ardhurat nga emigrantët që punojnë jashtë, është rënia e vlerës së valutave në tregun vendas. Eksportuesit, prodhuesit dhe bizneset e turizmit janë në prag të një krize dhe të vetmit që nuk po e ndiejnë këtë vështirësi janë bizneset që punojnë me para te zeza.
Qarkullimi i shtuar i parave të pista dhe forcimi i monedhës vendase ka bërë dhe vlerën e mallrave që blihen në lekë më të lartë, çka automatikisht ka dhënë efekte në rritjen e inflacionit. Sot të gjithë qytetarët kur shkojnë të blejnë një produkt apo të marrin një shërbim në lek, po paguajnë dhe taksën e fshehtë të parave të pista.

Pasojat ndihen dhe në tregun e ndërtimit. Çmimet e banesave janë rritur për të gjithë qytetarët dhe në shumë raste janë bërë të papërballueshme për familjet që punojnë me punë të ndershme. Për të blerë një apartament në kryeqytet, një familje me të ardhura mesatare 100 mijë lekë të rinj në muaj, i duhen të paktën 30 vjet punë.

Kërcënimi i institucioneve dhe qeverisjes

Grupet kriminale dhe paratë e korrupsionit deformojnë mirëqeverisjen dhe orientojnë politikat jo mbi bazën e një sistemi të drejtë meritokracie, por mbi interesat e ngushta të një grupi të caktuar.
Në Shqipëri ka shumë politikanë të cilat janë sponsorizuar për të ardhur në pushtet me para nga grupet kriminale në këmbim të mbrojtjes që do t’i ofrohet më pas. Shumë emërime në administratë publike bëhen nga këto grupe dhe në sektorë të rëndësishëm: pikat kufitare, doganat, tatimet, polici dhe drejtësi. Ky lloj modeli shtrembëron drejtësinë shoqërore dhe ofron trajtim të veçantë për njerzit e krimit në kurriz të atyre që punojnë dhe jetojnë ndershëm.
Fuqizimi i grupeve kriminale në politikë mund të kërcënojë në të ardhmen vetë qeversijen, ku ligje të caktuara mund të jenë porosi e tyre dhe vendmarrje të rëndësishme të udhëhiqen nga këto interesa.

Efektet në jetën sociale

Rritja e krimeve kundër personit në Shqipëri është një pasojë e drejtëpërdrejtë që vjen nga shtimi i aktiviteteve kriminale. Përsa kohë pasuria e këtyre grupeve do të rritet, edhe ndikimi i tyre tek të rinjtë që rekrutojnë do të rritet. Rrjedhojë e drejtpërdrejtë e kësaj është dhe shtimi i nivelit të kriminalitetit në shoqëri.
Ky fenomen ka lënë dhe rrezikon të lerë dhe më vonë brenga të mëdha sociale. Shumë familje kanë humbur të afërmit për shkak të përfshirjes të të rinjve në këto aktivitete, apo të tjerë që vuajnë dënimin në burg. Paratë e pista po instalojnë dalëngadalë dhe idenë se nuk ia vlen puna e ndershme dhe se mund të pasurohesh shpejt, çka rrezikon mjaft përgjegjësinë dhe kulturën e shoqërisë tonë!
Modeli që po ofrojnë së fundi politikanët se nuk të vjen gjë e keqe nga paratë e pista, duke propozuar politika të amnistive fiskale apo thirrje për çunat e Londrës dhe Ekuadorit që të vijnë në Shqipëri dhe të sjellin paratë, nuk i shërben jo vetëm kulturës që duhet të vendosë Shqipëria por as vizionit të shtetit demokratik që funksionon mbi parimin e meritokracisë. Ndaj kujt t’i djegë kjo fjali le ta mbajë!

Postime të ngjashme
Ekonomi

Përse në Shqipëri nuk ka low cost?

3 Min lexim
Çmimet e larta të biletave kanë mbajtur peng fluturimet dhe flukset e turistëve drejt Shqipërisë për vite me radhë. I renditur si…
Ekonomi

SHËNDETËSIA E KONCESIONEVE, SA E KANË PAGUAR SHQIPTARËT PREMTIMIN “FALAS”

6 Min lexim
Disa muaj pasi dorëzoi detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja u ul në karrigen e antarit në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese…
Ekonomi

Kush i rrëzoi valutat?

3 Min lexim
Prej disa muajsh monedha vendase ka nisur një forcim konstant ndaj valutave në tregun e brendshëm. Leku sot këmbëhet me 103.62 euro,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

×
Lajmi i ditës

Një bravo për SPAK