Politikë

Vjeshta e nxehtë e ndryshimeve politike dhe SPAK, çfarë do vijë më pas?

6 Min lexim

Shtatori pritet të jetë muaji që do u japë fund aludimeve për ndryshimet në qeveri. Ndryshime të cilat u paralajmëruan edhe nga vetë kryeministri Edi Rama pas mbledhjes dy ditore të kabinetit në Tepelenë, nga ku deklaroi se vendi ka nevojë për një riorganizim të mënyrës qeverisëse.

Edhe pse në korridoret e Kryeministrisë flitet për shkarkime të ministrave të rëndësishëm të kabinetit “Rama”, deri më tani ende nuk është e qartë se kush do të jetë “kurbani” i parë për fillimin e riroganizimit të aparatit qeverisës.

Në një kohë që nën zë përflitet për ministra të përfshirë në afera korruptive, lëvizja më e zgjuar do të ishte largimi i tyre ende pa u zyrtarizuar akuzat.

Nëse në shtator do të kemi një largim masiv të ministrave, lind pyetja se kush do i zëvendësojë ata? Riorganizimi i mënyrës qeverisëse nuk mund të ndodhë me njerëz që dalin nga kanalet e atyre që shkarkon. Natyrshëm që nevojitet një frymë e re, që vjen nga njerëzit e rinj.

Nuk është e vështirë për të gjetur njerëz që janë korrekt dhe të pakorruptuar, por është e vështirë që këta njerëz të gjejnë rrugën e lirë për të bërë punën siç duhet, pa “shkopinj nën rrota”. Mjafton të krijohen kushtet e sigurta për angazhimin e tyre.

Këta persona mund të gjenden edhe brenda qeverisë, ka shumë zëvendësministra, të cilët e kanë kryer funksionin e tyre edhe më mirë se eprorët. Mund të gjenden edhe në drejtori të ndryshme apo nga bota e biznesit, të cilët kontributin më efikas mund ta jepnin duke drejtuar ministri. Këta persona duhet të identifikohen dhe t’u hapet “shtegu” për të treguar veten. Edhe pse në pamje të parë kjo gjë duket e thjeshtë, pasi një PS që qeveris e vetme mund të kryejë zëvendësime sa herë që i duket e nevojshme, në fakt nuk është. Pavarësisht se PS duket si një parti solide, brenda saj ekzistojnë grupime dhe fraksione të krijuara nga individë me ndikim te socialistët. Në fakt, këto fraksione janë gati të padukshme, jo vetëm për qytetarët që e ndjekin nga televizori politikën, por edhe për ne që e ndjekim çdo ditë nga afër. Ndryshe nga PD në opozitë dhe e përçarë, në PS duket se pushteti e sfumon tensionin e brendshëm dhe i mban në dukje më të lidhur. Por, të supozojmë se një ditë këto grupime do e çajnë PS, duke sjell si pasojë dhe dobësimin e partisë. Për të kuptuar pasojat mjafton të hedhim sytë nga PD-ja e ndarë në tre pjesë, ku asnjëra nuk e kupton tjetrën. Si do të ndikojë kjo në panoramën politike? Sigurisht që do të ishte një goditje e fortë për rendin politik, por jo vetëm kaq. Do të ishte një mundësi e mirë për lulëzimin e partive të reja. Që në fakt, duket se janë të nevojshme qoftë dhe për të rifreskuar ingranazhet e ndryshkura të politikës prej më shumë se tre dekadash. Duhet theksuar se nevojiten parti të reja që janë përballë të vjetrës, por jo parti që absorbohen prej tyre me kalimin e viteve. Partitë e reja apo siç preferojnë ta quajnë veten lëvizjet politike që po projektohen, duket se nuk ndryshojnë shumë nga dy partitë që kanë dominuar prej 33 vitesh arenën politike. Është e qartë që fokusi i tyre është pëlqimi sa më i madh nga qytetarët dhe kjo është shumë normale. Por, metodat e tyre populiste të bëjnë të mendohesh nëse vërtet mund të jenë ndryshimi që i duhet Shqipërisë, apo do të jenë kioska politike e radhës që do të përdoret nga dy partitë e mëdha sa herë do u duhen për zgjedhje. Kemi tentativa për krijimin e partive të reja nga personazhe që edhe kur ka patur një protestë reale kundër qeverisë, kanë punuar për ta zhbërë. I kanë zhbërë protestat edhe duke bërë sikur janë pjesë e protestave. Mbi të gjitha, si mund të sjell ndryshimin një parti, kur iniciatorët e saj nuk kanë asnjë program për tu ofruar qytetarëve, përveç deklaratave populiste nga ndonjë kolltuk i emisioneve televizive. Flasin zgjidhjen e çdo problemi të mundshëm si me shkop magjik, duke fajësuar për gjithçka qeverinë. Kjo është formula populiste më e thjeshtë për ta zbatuar.

Për të kuptuar në shumë këtë formulë duhet të shikojmë përtej kufijve të Shqipërisë. Kjo qasje është e re për politikën në Shqipëri, por jo për Europën. Në vitin 2009 në Itali nisi një lëvizje e re politike, e quajtur “Lëvizja 5 Yjet” e cila nuk e konsideronte veten as e majtë dhe as e djathtë, madje nuk e përcakton veten si parti politike. Duke theksuar se fokusi i saj ishin interesat e qytetarëve dhe jo arritjet e saj në arenën politike, ajo po pëlqehej nga opinioni publik.

Ashtu siç po bëjnë në Shqipëri personat që duan të përfitojnë nga vakumi i krijuar në kuadrin politik nga PD dhe PS, “5 yjet” ngritën zërin për çështje që prekin drejtpërdrejtë qytetarin, uji, transporti, taksat etj.

Këto i bindën qytetarët Italianë dhe në vitin 2018 i besuan shumicën parlamentare duke e futur në qeveri. Por, shumë shpejt u pa që përtej deklaratave populiste, “5 yjet” nuk ia dolën të shkojnë më tej. Madje një nga goditjet më të forta për këtë lëvizje ka qenë dhe referendumi për drejtësinë. Gjithashtu, gjatë këtyre viteve kemi parë që “Lëvizja 5 Yjet” që e konsideronte veten as të majtë e as të djathtë, në zgjedhjet e vitit 2022 në Itali iu bashkua të djathtës radikale “Fratelli d’Italia” për interesa politike.

E solla në vëmendje “Lëvizjen 5 Yjet” për të kuptuar se çfarë kopjojnë individët që duan të krijojnë një lëvizje politike pa program konkret dhe duke qëndruar ulur në ndonjë banak emisioni televiziv.

Pra, ndryshimi që kërkohet për vendin nuk janë krijimi i partive të reja si paterica për partitë e vjetra, të cila kanë dëshmuar shumë herë se nuk shkojnë dot përtej interesave okulte të liderëve të tyre apo interesave të një grupi personash të caktuar. Ndryshimi i duhur për vendin do të ishte krejt e kundërta e kësaj.

Për të parë më qartë këto interesa mjaftonë të shikojmë PD e cila që prej marrëveshjes Rama-Basha në vitin 2017 nisi përçarjen duke përfunduar sot në tre pjesë. Por në vitin 2017 në pamë që disa nga njerëzit e Bashës morën poste ministrore, dhe funksionoi si mekanizëm. Nuk do të ishte e papritur nëse një gjë e tillë do të ndodhte përsëri. Edhe pse tashmë jemi mësuar që PD dhe PS t`i shikojmë si kundërshtarë tradicional, nuk mund të përjashtojmë një koalicion apo një bashkëpunim mes dy partive.

Nuk është fjala për koalicion me PD që përfaqësohet nga Berisha, por për atë që përfaqësohet ligjërisht dhe me vulë nga Lulzim Basha. Sigurusht që kjo do të tingëllonte diçka e neveritshme në politikë, por nuk është e pamundur. Basha ka treguar që nuk ka frikë të bëj marrëveshje apo koalicione që minojnë partinë e tij, ndërsa nga ana tjetër Rama, i cili shijon mandatin e tretë qeverisës, është i gatshëm të bëjë gjithçka që të mbajë pushtetin.

Ky koalicion jo vetëm do të nxirrte nga binarët politikën, por do të krijonte dhe një kaos social mes demokratëve dhe socialistëve, të cilët nuk do të dinë se kujt t’i besojnë.

Ky koalicion do të vriste njëherë e mirë PD-në dhe do të krijonte përçarje në PS, por ata që do të kenë pasoja edhe më të rënda janë qytetarët të cilët kanë luftuar për shumë vite për kauzat që kanë nxjerr këto parti, edhe pse shpesh braktisen në gjysmë të rrugës.

Në politikë gjithçka mund të ndodhë. Nuk do të ishte habi që Rama të merrte në gjirin e qeverisë edhe Lulzim Bashën, i cili prej gati dy vitesh është gjetur nën agresionin e “babit” të tij politik.

Por e qartë është se ky koalicion, por edhe partitë populiste nuk i shërbejnë qytetarëve që paguajnë taksa për këtë vend. I sherbejnë vetëm disa personave që shtetin e shikojnë si një thesar që duhet vjedhur.

Vendi ka nevojë për njerëz dhe parti që frymëzohet nga problematikat e qytetarëve, por jo nga invividë që këto probleme i përdorin për të dalë dy herë më shumë në televizor.

Në kushtet që në horizontin politik nuk ka asnjë lëvizje që do të mund të sjelli ndryshim real, ajo që nevojitet është zëvendësimi i personave të përfolur për korrupsion apo që kanë bërë korrupsion, me njerëz të cilët vërtetë kanë qendruar larg mëkatit për të bërë para në kurriz të qytetarëve. Nuk do të jetë e vështirë që këta persona të gjenden deri në shtator, muajin e “stuhisë” në qeveri.

Shqipëria nuk ka nevojë për Ramën, Bashën, Berishën apo Metën, por ka nevojë për njerëz profesionistë dhe që dashurojnë atdheun e tyre.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

×
Lajmi i ditës

 Një sektor i veçantë për të burgosurit “VIP” në Lushnje! Çfarë nuk dimë për burgun e Eskobarit të Ballkanit