Politikë

Kupola e Policisë së Shtetit në përgjimet e SKY. A do shkojë Shqipëria drejt modelit gjeorgjian?

4 Min lexim

Muaji shtator duket se do të jetë i nxetë jo vetëm për politikën, por edhe për Policinë e Shtetit. Është koha që drejtësia e re në vendin tonë të sprovohet pikërisht me një nga organizatat kryesore për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Indicjet tashmë janë dhe policë apo drejtues të lidhur me grupet kriminale kanë nisur dalëngadalë të dekonspirohen, ndërkohë që guri i fortë në dorën e SPAK duket se do të jenë përgjimet dhe zbardhjet e aplikacionit SKY nga viti 2019 deri në vitin 2022.
Në fakt pas rastit të Jeton Lamit apo atij të shefit të njësisë operacionale Oltion Bistri, prej disa ditësh qarkullojnë në media detaje nga përgjimet e operacionit “Metamorfoza”, ku përveç anëtarëve të grupeve kriminale, shihet se si drejtues dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit bashkëpunojnë me ta.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se ekzistojnë përgjime, të cilat tregojnë qartë korrupsionin e kupolës së Policisë së Shtetit dhe faktin se si drejues të kësaj strukture dekonspirojnë operacione për kapjen e eksponentëve të krimit.
Dhe ky është me siguri momenti kur do të shohim që nuk goditet thjesht dhe vetëm ai polici që merr 1 mijë lek ryshfet, por kupola drejtuese që marrin mijëra euro në fund të muajit nga bota e krimit në mënyrë që ata të mos kenë shqetësime me ligjin. Janë ata drejtues që i kanë emrat në listëpagesën e grupeve kriminale, që mbi apo nën zë janë akuzuar dhe herë të tjera për lidhje me bandat, që kanë kapur majat e piramidës drejtuese brenda policisë për të abuzuar me pushtetin dhe forcën që u jep ligji me qëllimin për t’u shërbyer qytetarëve shqiptarë.
E në fakt kush mundet t’i besojë një polici që dekonspiron operacionet dhe tregon denoncuesit?
Sa herë Oltion Bistri i kishte shpëtuar kriminelët nga drejtësia dhe sa të tjerë si ai ka në radhët e Policisë?
E tashmë pas shumë vitesh, për herë të parë pritet që drejtësia të bjerë mbi vetë ushtruesit e ligjit, dhe pikërisht mbi kupolën e Policisë së Shtetit. Në momentin që këta bashkëpunëtorë të krimit do të ekspozohen, natyrisht që do të shkarkohen dhe do të zëvendësohen në detyrat që mbajnë. Sa janë ata dhe si do të zëvendësohen?
Mënyra e zëvendësimit të tyre është një lloj indikatori se sa serioze është goditja kundër korrupsionit në radhët e Policisë.
Si do të veprojë qeveria për të bërë zëvendësimin e një numri të lartë drejtuesish në polici?
Në fakt do të ishte e vështirë, por jo e pa mundur.
Në një anë është Gjerogjia. Një shembull  që mund ndjekë edhe qeveria jonë. Ky shtet arriti të shkarkojë të gjithë kupolën drejtuese, përfshirë edhe efektivë apo punonjës të tjerë të policisë dhe i zëvendësoi ata brenda 24 orëve.
Gjerogjia ishte një nga vendet me korrupsionin më të lartë në radhët e policsë. Për këtë arsye në vitin 2003 nisi rrugëtimin një reformë që do i jepte fund këtij fenomeni. Në korrik të vitit 2004, qeveria gjeorgjiane shfuqizoi të gjithë Policinë e Shtetit, duke shkarkuar 30 mijë efektivë policie dhe drejtues të saj.
15 mijë u shkarkuan në një ditë dhe brenda 24 orëve u zëvendësuan me efektivë të rinj të pakorruptuar.
Nëpërmjet kësaj reforme, Gjeorgjia njohu rritje të konsiderueshme në luftën kundër korrupsionit. Në vitin 2015 u rendit në vendin e 48 nga 168 shtete në total në indeksin për luftën kundër korrupsionit. Një arritje e madhe për një shtet, i cili ishte i kapur në çdo hallkë nga korrupsioni.
Me këtë reformë, jo vetëm që u pastrua policia nga punonjësit që i shërbenin krimit, por qeveria i tregoi popullit se është e aftë të shkatërrojë dhe të ringrejë një nga strukturat kryesore për funksionim e shtetit.
Por ka dhe një skenar tjetër.
Pasi SPAK të godasë në shtator kupulën e inkriminuar të Policisë, qeveria duhet të shkarkojë të gjithë zinxhirin drejtues. Në këtë mënyrë Policia e Shtetit do të rindërtohet nga pika zero me punonjës të pastër, të përkushtur ndaj punës dhe të verifikuar për pastërtinë e figurës së tyre.
Do të ishte e vështirë dhe një sprovë e madhe për shtetin tonë të gjente rreth 5 mijë policë brenda 24 orëve. Por, është koha që qeveria të tregojë se sa e aftë dhe serioze është në të tilla situata.
Në fakt në këtë rast pesha më e madhe do të binte mbi ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i cili është zotuar që kur mori detyrën se do të luftojë korrupsionin brenda Policisë së Shtetit.
Me ndihmën e SPAK, me shumë gjasë, kjo dëshirë Ballës do i plotësohet në muajin shtator. Jo më larg se kjo e enjte Balla deklaroi pas takimit me të Ngarkuarin me Punë të SHBA H. Martin McDowell, se tashmë pastrimi i Policisë së Shtetit nga faktorët korruptivë ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme.
Dhe ky është momenti që të na e tregojë se e ka seriozisht.
Nga ana tjetër të gjithë e ndiejnë se sa e rëndësishme është që SPAK po nxjerr në peshoren e drejtësisë persona, që më parë konsideroheshin të paprekshëm. Persona të cilët ditën betoheshin për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe natën i shisnin ata në duart e kriminelëve.
Pastrimi i Policisë së Shtetit është një nevojë imediate për një shtet të së drejtës dhe një shtet të sigurt. SPAK në shtator do të dëshmojë edhe njëherë se drejtësia e re nuk është vetëm nevojë, por një domosdoshmëri.
Duhet të marrë fund koha kur policët që paguhen për të luftuar krimin, t`u gjunjëzohën kriminelëve. Në shtator, kupola e Policisë së Shtetit do të përballet me SPAK dhe qeveria duhet të dëshmojë se sa e aftë është të menxhojë këtë situatë.

Postime të ngjashme
Politikë

Fundi i një epoke tranzicioni 30-vjeçare. Çfarë do vijë më pas?

7 Min lexim
Sipas të gjitha gjasave, e tërë elita politike, institucionale dhe kupola drejtuese e Policisë së Shtetit të 30 viteve të fundit do…
Politikë

"Alma" fiton Kukësin me 5000 vota diferencë. SPAK e vetmja opozitë në vend!

2 Min lexim
Më shumë se i çuditshëm dhe i pazakontë, rezultati i zgjedhjeve të 24 Shtatorit në Kukës, tingëlloi shqetësues dhe i rrezikshëm për…
Politikë

Rama në “tango” me SPAK

4 Min lexim
Është në karakterin e kryesocialistit Edi Rama që në evente ku do të ketë ndryshime qoftë në parti e qoftë në qeveri,…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

×
Politikë

“Berlusconi i Shqipërisë”, kush do jetë biznesmeni I “suksesëshëm” shqiptar që do zbresë në politikë për ti bërë bashkë të “gjithë”?